Spitalet, të sëmurët firmë për ilaçet që do të marrin

Oct 1, 2011 | 11:09
Drejtori i QSUT, Sajmir Ivziku

Ilaçe me firmë në spitalin “Nënë Tereza”. Këtë masë krerët e QSUT-së kanë vendosur ta marrin për të evituar shpërdorimin dhe vjedhjen e medikamenteve. Nga muaji që vjen, në kartelën e çdo të sëmuri përbri ilaçit do të jetë edhe firma e tij. Drejtori i QSUT-së, Saimir Ivziku, tha dje gjatë një konference për shtyp se do të realizohet gjithashtu riorganizimi i sistemit të farmacive në QSUT. Urdhri tashmë ka dalë. “Kjo do të thotë se farmacia qendrore me atë dytësore do të jenë të lidhura në sistem online, i cili do të na japë një informacion të saktë në çdo moment për hyrjet dhe daljet e barnave ndërmjet dy niveleve të farmacive.  Më pas bëhet kontrolli nga farmacitë periferike në shërbim dhe te ky i fundit do të bëhet krahasimi me kartelën e mjekimit, e cila do të bëjë të mundur shmangien e çdo lloj mundësie të shpërdorimit të ilaçeve. Ky është një hap i domosdoshëm për funksionimin e këtij institucioni”, tha Ivziku. Sipas tij, një tjetër hap i reformës është edhe funksionimi i recepsioneve. “Nëse do të vini re në ambientet e spitalit, tashmë njerëzit kanë se ku të drejtohen, të sqarohen dhe të respektojnë ligjin. Kjo do të thotë se, nëse je një person i siguruar dhe ke ndjekur e zbatuar sistemin e referimit, kalon për konsultë në shërbimin e kërkuar. Nëse nuk e ke ndjekur këtë sistem, do të paguash tarifat e aprovuara me ligj. Kjo na lejon të bëjmë një miradministrim të pacientëve që hyjnë në spital dhe na jep të dhëna të sakta për popullatën e siguruar dhe jo të siguruar, që i drejtohen spitalit për të marrë shërbime të caktuara”, tha Ivziku. Ai deklaroi të hapur konkursin për kryeinfermierët dhe kryelaborantët e rinj. Kreu i QSUT dha disa sqarime lidhur me urdhrin e bërë publik në media dy ditë më parë. Zgjedhja e 86 kryeinfermiereve të pavijoneve dhe 11 kryelaboranteve do të bëhet me konkurs mbi bazën e kritereve.
Sipas Ivzikut, urdhri i lëshuar prej tij nuk ka lidhje me skandalin e vjedhjes së barnave në spitalin onkologjik. “Ky urdhër nuk ka asnjë lidhje me atë çka ndodhi. Kjo është një procedurë normale në kuadrin e reformimit të këtij institucioni. Në lidhje me rastin e ndodhur, ne vazhdojmë procedurat tona e të verifikimit, të të gjithë mënyrës së hyrjeve dhe daljeve të ilaçeve. Ky kontroll vlen për miradministrimin jo vetëm të ilaçeve dhe materialeve të mjekimit, por të gjithë punës që bëhet në këtë institucion. Për sa i përket urdhrit, do të theksoj se pas zgjedhjeve të shefave, hallka tjetër janë k/infermierët dhe k/laborantët”, tha Ivziku. Sipas urdhrit, deri në datën 5 tetor, duhet të jenë shefat e shërbimeve ata që do të paraqesin propozimet për kryeinfermierin dhe kryelaborantin, i cili do të mbaje këtë funksion deri në momentin e përfundimit të procedurës. Kjo procedurë do të kryhet me miratim të komisionit për-zgjedhës.

Rikonkurrimi
Të gjithë ata infermierë apo laborantë, që janë liruar dy ditë më parë nga detyra, do të kenë të drejtën e aplikimit për zgjedhjet e reja. Sipas urdhrit të ri, Drejtoria e Burimeve Njerëzore dhe Edukimit në Vazhdim në QSUT duhet të marrë të gjitha masat e nevojshme në përputhje me ligjet dhe urdhëresat në fuqi për organizimin e procedurave të përzgjedhjes së kryeinfermierëve dhe kryelaborantëve të rinj. Urdhri përcakton se shefat e shërbimeve, brenda datës 05.10.2011, duhet të dërgojnë në Drejtori propozimet për komandimin në detyrën e kryeinfermierit-kryelaborantit deri në përfundim të proceduarave

96 kryeinfermierë
dhe kryelaborantë që punojnë në spitalin “Nënë Tereza”, do të lënë vendin e punës. Urdhri është lëshuar dje nga Drejtoria e QSUT.

ZIRINA LLAMBRO

© Panorama.al

Te lidhura