Spitalet, ja sa na kushton kurimi

Nov 11, 2011 | 9:13

Elvana Hana, drejtoreshe e ISKSH

Për herë të parë llogariten kostot e shërbimeve dhe ndërhyrjeve në spitale. Sa më larg, aq më shtrenjtë shërimi. Hana: Rritja e jetëgjatësisë, presion në sistemin shëndetësor

Gazeta boton tabelën e plotë me kostot e shërbimeve, të diagnostikimit, të ndara sipas sëmundjeve të ndryshme dhe ditëve të qëndrimit në spital. Kostoja më e lirë e shërbimit për shërimin e një sëmundjeje është në Berat, me 22.6 mijë lekë, ose rreth 226 dollarë. Ndërkohë që për të njëjtën sëmundje, kostoja mesatare për çdo rast shërbimi në Vlorë bëhet 571 dollarë. Kjo ndarje gati dyfish e kostove bëhet edhe më e madhe në spitalet bashkiake, duke arritur ekstremin, në 138 mijë lekë në Delvinë. Të ndara sipas diagnozave, kostoja më e shtrenjtë është ajo për shërbimin e pediatrisë në spitalin e Mallakastrës, me 291 mijë lekë, ose 1810 dollarë. Kaq shpenzon shteti për të shëruar një sëmundje në spitalin e Mallakastrës.
Shërbimi më i shtrenjtë ngelet kirurgjia. Sipas përllogaritjeve të ISKSH, në Shkodër, një ditë shtrim për person kushton 26 mijë lekë, ose 260 USD. Duhet theksuar se këto janë vetëm kostot e shërbimit, pra të cilat garantojnë vetëm shërbimin dhe jo investime të tjera apo fitime për ISKSSH. Por financimi i të gjitha këtyre shërbimeve po bëhet me një skemë që sipas drejtoreshës së ISKSSH, Elvana Hana, sepse popullësia po bëhet gjithmonë më e plakur. “Në afat të gjatë ka edhe çështje të tjera që do të ndikojnë seriozisht  në rritjen e kostove. Së pari, çështjet demografike. Shqipëria ka pësuar një rritje të shpejtë të jetëgjatësisë nga viti 1995 me 71.4 vjeç, në 77 vjeç për vitin 2011. Ndryshimet demografike, pa dyshim që kanë filluar të bëjnë presion në sistemin shëndetësor. Popullata mbi 50 vjeç nga viti 2005 që ishte 670 mijë, ka arritur në 750 mijë deri në 2009-n. Të moshuarit kanë një sëmundshmëri kronike shumë komplekse, prandaj këto gjëra duhen planifikuar. Së dyti, çështjet e teknologjisë. Investimet në teknologjitë e reja kanë potencial për të sjellë një eficiencë më të madhe dhe performancë më të mirë përsa i përket shërbimit ndaj pacientit, por gjithashtu janë shumë të shtrenjta”. Një tjetër problem që cenon skemën është numri i atyre që janë të siguruar dhe jo. Sipas tabelave të ISKSH, rreth 30 për qind e atyre që shtrohen në spital nuk kanë sigurime. Numri bëhet i frikshëm në rastin e femrave që shkojnë në maternitetin 1, ku 56 për qind e tyre nuk kanë sigurime.
Zirina Llambro

© Panorama.al

Te lidhura