Spiropali në Ukrainë: Mbështesim përpjekjet për një paqe të drejtë e të qëndrueshme, Rusia duhet të vihet para përgjegjësisë për krimet e luftës

Jan 15, 2026 | 16:49

Ministrja e Punëve të Jashtme, Elisa Spiropali ndodhet në Ukrainë për një vizitë zyrtare. Ajo është takuar me homologun ukrainas, Andrii Sybiha‎, me të cilin mbajti edhe një deklaratë për shtyp.

elisa spiropali Andrii Sybiha‎

Në fjalën e saj, ministrja theksoi nevojën e vënies para përgjegjësisë së Rusisë për krimet që ka kryer me luftën që ka nisur prej vitesh në Ukrainë.

Ajo u shpreh se Shqipëria mbështet përpjekjet e presidentit të SHBA, Donald Trump për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë. Theksoi gjithashtu nevojën e një paqeje të drejtë e të qëndrueshme për popullin ukrainas.

“Shqipëria mirëpret përpjekjet ndërmjetësuese të Shteteve të Bashkuara dhe Presidentit Trump, të Bashkimit Evropian dhe të gjithë partnerëve që sinqerisht kërkojnë një zgjidhje që nderon sakrificat e jashtëzakonshme të Ukrainës.”, u shpreh Spiropali.

Ministrja bëri me dije gjithashtu se kanë diskutuar me homologun ukrainas edhe për mundësinë e zgjerimit të bashkëpunimit mes dy vendeve.

“Bashkarisht ramë dakord që, pavarësisht vështirësive, të përqendrohemi në: Mundësitë për tregti dhe investime, edhe në rrethana të jashtëzakonshme, kontakte më të thella ndërmjet komuniteteve të biznesit, bashkëpunim në sektorë ku Shqipëria dhe Ukraina mund të krijojnë vlerë të shtuar, si energjia, infrastruktura, turizmi, bujqësia dhe teknologjia.”, theksoi ministrja.

Deklarata e plotë: 

Gjashtë muaj pasi pata privilegjin solemn të bëja homazhe për të rënët në Memorialin e Heronjve, në Parkun Taras Shevchenko, në Odesa, ndihem vërtetë e nderuar dhe thellësisht e prekur të jem sërish në Ukrainë. Ju falenderoj shumë për mikëpritjen. Unë madje nuk po e ndjej më të ftohtin.

Prej gati katër vitesh, Ukraina po përballet me një luftë të pajustifikuar dhe të paprovokuar agresioni, shkaktuar nga Federata Ruse, e cila vazhdon të sjellë shkatërrim, vuajtje dhe humbje. Gjithsesi, nuk ja ka dalë të mposhtë vullnetin dhe shpirtin e popullit ukrainas.

Edhe një herë, përulem para heronjve që mbrojtën jo vetëm tokën ukrainase, por vetë tokën e Evropës, vetë themelet mbi të cilat qëndrojnë vlerat dhe fati ynë i përbashkët.

Vizita ime e sotme ka dhe një peshë domethënëse, pasi përkon me një datë historikisht të rëndësishme për Ukrainën: me 5 janarin, datën kur në vitin 1992, Rada Verkhovna zyrtarizoi muzikën e himnit kombëtar.

“Shçe ne vmerla Ukraini”.

“Ukraina ende nuk ka vdekur”.

Këto fjalë kanë jehuar fuqishëm në mbarë botën. Por, unë dua të përqendrohem tek domethënia që vjen më pas.

Një premtim se “Fati do të buzëqeshë sërish”.

Ndërsa dimri ashpërsohet, Ukraina po përballet sërish së fundmi me sulme brutale dhe të qëllimshme të Rusisë ndaj sistemeve energjetike, instalimeve të ngrohjes dhe infrastrukturës tjetër kritike, duke detyruar miliona ukrainas të luftojnë për përditshmërinë e tyre ekzistenciale, për pasur shtëpi të ngrohta, spitale funksionale dhe shërbime thelbësore operative.

Këto sulme janë të paprovokuara, të pajustifikuara dhe të kryera në shpërfillje të hapur të së drejtës ndërkombëtare dhe dinjitetit njerëzor, duke rrezikuar qëllimisht jetën e civilëve dhe duke goditur infrastrukturën kritike.

Goditjet masive, përfshirë përdorimin e raportuar të një rakete balistike me rreze të ndërmjetme, përfaqësojnë një përshkallëzim shumë më të rrezikshëm dhe të papërgjegjshëm.

Ato synojnë jo vetëm të terrorizojnë dhe të thyejnë shpirtin e popullit ukrainas, por edhe të dërgojnë një mesazh kërcënues përtej kufijve të Ukrainës.

Veprime të tilla rrezikojnë sigurinë e të gjithë rajonit dhe vazhdojnë të minojnë stabilitetin global.

Shqipëria i dënon këto krime pa asnjë rezervë. Nuk mund të ketë asnjë justifikim, asnjë paqartësi përballë një agresioni kaq brutal.

Ata që janë përgjegjës për këto mizori, duhet mbajnë përgjegjësi të plotë. Mosndëshkimi nuk është një opsion.

Drejtësia për viktimat, mbajtja e përgjegjësisë për agresorin dhe rivendosja e plotë e sovranitetit, unitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës nuk janë të negociueshme; ato janë parakushte për paqen. Shqipëria mbështet plotësisht përpjekjet ndërkombëtare për ta vendosur Federatën Ruse përpara përgjegjësisë për krimet ndërkombëtare dhe krimet e luftës, përfshirë krimin e agresionit kundër Ukrainës.

Shqipëria ka qenë një mbështetëse e qëndrueshme dhe e palëkundur e Ukrainës që nga fillimi i agresionit të paprovokuar të Rusisë. Ne jemi rreshtuar plotësisht me sanksionet dhe masat kufizuese të BE-së, si edhe me ato të organizatave të tjera ndërkombëtare, kemi mbështetur integrimin evropian të Ukrainës dhe kemi përkrahur të gjitha nismat për pezullimin e Rusisë nga organizatat ndërkombëtare. Në mbështetjen tonë, nuk jemi kushtëzuar nga përmasat e dimensionit tonë gjeografik, por nga qartësia e qëllimeve, vlerave, kontributeve dhe veprimeve tona.

Si çdo komb tjetër demokratik dhe i qytetëruar që e çmon paqen, ne dëshirojmë që vuajtjet të marrin fund dhe të nisë rindërtimi, në mënyrë që fëmijët të mund të flenë pa frikë.

Por, për ta arritur këtë, është thelbësore një paqe e drejtë dhe e qëndrueshme.

Shqipëria mirëpret përpjekjet ndërmjetësuese të Shteteve të Bashkuara dhe Presidentit Trump, të Bashkimit Evropian dhe të gjithë partnerëve që sinqerisht kërkojnë një zgjidhje që nderon sakrificat e jashtëzakonshme të Ukrainës.

Çdo nismë që na afron realisht drejt përfundimit të kësaj lufte meriton angazhimin tonë. Gjithsesi, të jemi të qartë: një paqe e drejtë do të thotë garanci reale sigurie.

Një paqe e drejtë do të thotë kthimi në shtëpi i fëmijëve të rrëmbyer, kthimi i të burgosurve, hetimi dhe ndjekja penale e krimeve të luftës dhe mbajtja e përgjegjësisë nga ana e agresorit.

Me sytë nga e ardhmja, besoj se është po aq e rëndësishme të shohim përtej fushëbetejës. Të fillojmë që tani të projektojmë të ardhmen e Ukrainës.

Kjo e ardhme përcaktohet nga perspektiva jonë e përbashkët si anëtarë të ardhshëm të familjes evropiane.

Shqipëria do ta mbështesë këtë vizion. Ne do ta mbështesim pa asnjë hezitim rrugën evropiane të Ukrainës në çdo forum shumëpalësh dhe jemi të gatshëm të ndajmë përvojën tonë, përfshirë punën teknike të negociatave dhe reformave.

Sot zhvilluam diskutime të sinqerta dhe konstruktive edhe sa i takon mënyrave për të avancuar marrëdhëniet tona dypalëshe dhe për të harmonizuar më tej lidhjet tona të forta politike me një bashkëpunim më të fuqishëm në shumë fusha.

Bashkarisht ramë dakord që, pavarësisht vështirësive, të përqendrohemi në:

▪ Mundësitë për tregti dhe investime, edhe në rrethana të jashtëzakonshme.

▪ Kontakte më të thella ndërmjet komuniteteve të biznesit.

▪ Bashkëpunim në sektorë ku Shqipëria dhe Ukraina mund të krijojnë vlerë të shtuar, si energjia, infrastruktura, turizmi, bujqësia dhe teknologjia.

U dakordësuam, gjithashtu, të inkurajojmë kontakte më të ngushta mes njerëzve dhe të thellojmë bashkëpunimin në kulturë, arsim, shkencë dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore. Në këtë drejtim, vlerësojmë shumë rolin e konsoliduar prej vitesh, të komunitetit të diasporës shqiptare në Ukrainë, e cila shërben si një urë e rëndësishme për forcimin e lidhjeve mes dy vendeve tona.

Diskutuam edhe për gatishmërinë e Shqipërisë për të kontribuar në projektet e pasluftës dhe në rindërtim, në koordinim me partnerët dhe organizatat ndërkombëtare.

Ministër Sybiha, i dashur Andrii,

Më lejoni ta përfundoj këtë deklaratë duke theksuar edhe një herë se:

Ukraina po shkruan një nga historitë e mëdha të kohës sonë, një histori rezistence, dinjiteti dhe refuzimi për t’u dorëzuar përballë tiranisë.

Shqipëria është krenare të jetë pjesë e kësaj historie, si një mike që zgjodhi të qëndrojë në krahun tuaj në momentet vendimtare.

Dhe do të vazhdojmë të jemi, për sa kohë të kërkohet.

Sepse nuk mund të jesh neutral mes zjarrit dhe zjarrfikëses.

Nuk ka terren të mesëm moral mes një kombi që lufton për mbijetesën e tij dhe një lufte perandorake që synon ta fshijë atë nga ekzistenca!

Slava Ukraini!

 

 

© Panorama.al

Te lidhura