Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ka marrë pjesë në një takim me homolgët e NATO-së në selinë e aleancës në Bruksel.

Spiropali shprehet se takimi i Ministrave të NATO-s konfirmon unitetin dhe angazhimin strategjik të Aleancës përballë sfidave.
“Takimi i Ministrave të Jashtëm të NATO-s, për angazhimin strategjik të Aleancës sonë përballë sfidave të sigurisë, ku Shqipëria mbetet një aleat i besuar për forcimin e sigurisë kolektive”, shkroi ajo në rrjetet sociale.
Spiropali thekson se “Shqipëria rikonfirmon angazhimin për mobilitetin ushtarak dhe rolin qendror të Korridorit VIII si arterie strategjike e gatishmërisë së NATO-s.”

“Ne dhe aleatët mbetemi të përkushtuar në modernizimin e infrastrukturës, harmonizimin e procedurave dhe rritjen e kapaciteteve për lëvizje të shpejtë, si kontribut konkret për sigurinë kolektive të Aleancës”, shprehet Ministrja.
Elisa Spiropali do të marrë pjesë gjithashtu në Takimin e vendeve nënshkruese të Letër-Marrëveshjes për Korridorin VIII, si arterie strategjike e mobilitetit ushtarak.
Në këtë takim pritet të diskutohet rëndësia strategjike e avancimit të lëvizshmërisë së trupave dhe pajisjeve ushtarake në rajon, si dhe ftesa shqiptare për të mbajtur një takim Ministerial të vendeve nënshkruese në fillim të vitit të ardhshëm në Tiranë.











