“SPAK provoi se Balluku ka intimiduar dëshmitarët”- Bardhi zbardh dosjen: I bëri presion vartëses! Peleshi e ka mbyllur materialin në kasafortë! Përgjegjësi për pengim të drejtësisë

Dec 17, 2025 | 20:14

Kryetari i grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, deklaron se SPAK ka provuar me metoda speciale hetimi se zv/kryeministrja Belinda Balluku ka intimiduar dëshmitarët.

gazment bardhi belinda balluku

Sipas tij, provat gjenden në dosjen që Prokuroria e Posaçme ka dërguar në Kuvend, ku kërkon edhe heqjen e imunitetit të Ballukut për efekt arrestimi, pas marrjes si e pandehur dhe me masë sigurie për tunelin e Llogarasë dhe Unazën e Madhe.

Por ai shton se këto prova janë kyçur në kasafortë nga kryeparlamentari Niko Peleshi, që nuk ua lejon deputetëve që do mblidhen në Këshillin e Imuniteteve të premten.

“SPAK me metoda speciale hetimi ka provuar se Belinda Ballukun ka intimiduar dëshmitarët. Provat ekzistojnë, i ka sjell edhe në Kuvend, por Niko Peleshi i ka mbyllur në kasafortë. Vonesat, kasafortat dhe fshehja e fakteve janë vetëm manovra të dëshpëruara të Edi Ramës për të blerë kohë”, shkruan Bardhi mes të tjerash në Facebook, duke e shoqëruar edhe me një dokument nga dosja.

presioni i ballukut dosja

Bardhi ka zbardhur edhe pasazhin e materialit dhe dosjes së SPAK, duke e shënuar edhe me bojë këtë pjesë (foto sipër), ku flitet për presionin e zv/kryeministres ndaj vartëses së saj, me inicialet M.K.

“Në vijim të hetimit me metoda speciale ka rezultuar se nga ana e të pandehurës Belinda Balluku, gjatë kohës që ajo është njohur me akuzën nga organi i procedurës dhe ushtronte detyrën si zv/kryeministre dhe ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, ka ushtruar presion me forma të ndryshme ndaj personit të pyetur në këtë procedim, konkretisht shtetases M.K., (vartëse e saj)”, thuhet në një pasazh të dosjes hetimore dhe materialit që ka dërguar SPAK në Kuvend, ku kërkohet heqja e imunitetit në shtesë argumenti.

Në fund ai shprehet se qeveria dhe Rama po përpiqen ta mbrojnë Ballukun, por paralajmëron se nuk kanë rrugë tjetër vetëm se të mbajnë përgjegjësi.

Postimi i plotë i Gazment Bardhit:

“Edi Rama nuk ka më alibi! Rreziku për intimidimin e dëshmitarëve dhe prishja e provave është e vetmja arsye pse ekzistojnë masat e sigurimit.

SPAK me metoda speciale hetimi ka provuar se Belinda Ballukun ka intimiduar dëshmitarët. Provat ekzistojnë, i ka sjell edhe në Kuvend, por Niko Peleshi i ka mbyllur në kasafortë. Vonesat, kasafortat dhe fshehja e fakteve janë vetëm manovra të dëshpëruara të Edi Ramës për të blerë kohë.

Çdo minutë shtesë që Belinda Balluku mbahet në detyrë është një zgjedhje politike e Edi Ramës. Një zgjedhje për të mbrojtur veten!

Por nuk ka më as rrugëdalje për kryeministrin e Republikës së Korrupsionit! Edi Rama duhet të zgjedhë: të dorëzojë të pandehurën Belinda Balluku, ose të mbajë përgjegjësi për pengimin e drejtësisë. Rrugë të mesme nuk ka!”.

© Panorama.al

Te lidhura