Protestat masive për largimin e Ramës, Kim Mehmeti: Ju jeni investimi më i madh strategjik që është bërë në Shqipëri! Bëhuni gjithnjë e më shumë, vetëm kështu do ta mposhtni Piktorin

Jun 15, 2026 | 7:35

Shkrimtari dhe publicisti Kim Mehmeti ka shprehur mbështetjen e tij për të rinjtë që po protestojnë në Shqipëri dhe kërkojnë largimin e kryeministrit Rama.

kim mehmeti protrstat

Me anë të një mesazhi në rrjetet sociale ai i ka cilësuar ata si “investimin më të madh strategjik që është bërë ndonjëherë në vend”.

Ai kritikon elitën politike, të cilën e akuzon për dëmtimin e interesave kombëtare dhe për degradimin e jetës publike në vend. Sipas Mehmetit, protestat përfaqësojnë një zë të sinqertë rinor që sjell shpresë dhe energji të re për Shqipërinë.

Nga Kim Mehmeti

POROSI PROTESTUESVE – JU JENI INVESTIMI MË I MADH STRATEGJIK QË ËSHTË BËRË NË SHQIPËRI!

Bëhuni gjithnjë e më shumë, sepse kështu e zbukuroni Shqipërinë dhe vetëm kështu do ta mposhtni Piktorin, i cili nuk e kursen as familjen e Presidentit amerikan për ta mbuluar fytyrën vetjake të shkatërrimtarit të shqiptarisë.

Brohorimat tuaja kundër plehut politik tridekadësh, që ka mbuluar mëmëdheun, janë ftesa më e sinqertë për investitorët e huaj dhe investimi më i madh strategjik që ndonjëherë është bërë në Shqipëri.

Jo vetëm se po e largoni plehun politik që e ka mbuluar dhe po e kalb Shqipërinë, por ju po e shpëlani edhe mëkatin e gjeneratës sime, e cila ju la në duart e burrështetasve, të cilëve nuk do t’u besohej as një fermë pulash, ngaqë do t’i hanin shpendët dhe do t’i vidhnin vezët.

Mos bini pre e “mendjendriturve” të shumtë që dalin nëpër ekranet e televizioneve të financuara nga krimi, duke e mbrojtur Piktorin, sepse ata për këtë paguhen dhe, nëse bie punëdhënësi i tyre, ata mbeten pa grazhdin ku majmen dhe pa baltën e turpit, ku përpëliten si derra.

Jo vetëm tani, por gjithmonë, Shqipëria do të mburret me ju e do të turpërohet nga ata që sot duan ta heshtin dhe ta komprometojnë zërin tuaj të sinqertë rinor, i cili mëmëdheut ia freskon damarët e shpresës dhe krenarisë.

© Panorama.al

Te lidhura