NGA PROF. DR. EDMOND PANARITI
Sovraniteti nuk humbet me një akt të vetëm. Ai tretet ngadalë, përmes vendimeve të gabuara, kontratave të padrejta, braktisjes së tokës, bujqësisë, dobësimit të institucioneve dhe mbi të gjitha, përmes largimit të njerëzve që e mbajnë vendin dhe shtetin të gjallë. Shqipëria sot përballet me një krizë të shumëfishtë sovraniteti: pasuritë minerare shfrytëzohen pa strategji, deti negociohet me dobësi, bujqësia nuk ushqen popullin e vet, popullsia rrudhet me ritme dramatike dhe mbi të gjitha, nafta – pasuria më strategjike e vendit – është dhënë me koncesione te disfavorshme që përbëjnë një cenim të hapur të sovranitetit ekonomik.
Nëntoka shqiptare është e pasur, por kjo pasuri nuk kthehet te shteti dhe nuk shërben për rritjen e mirëqenies se popullatës. Koncesionet minerare shpesh janë të paqarta, të njëanshme dhe të nënshkruara pa transparencë. Komunitetet mbi këto pasuri mbeten të varfra, ndërsa fitimet rrjedhin jashtë. Kjo është një formë e heshtur humbjeje sovraniteti sepse kur nuk kontrollon burimet e tua, nuk kontrollon të ardhmen tënde. Por asgjë nuk e simbolizon këtë humbje më shumë se koncesioni i naftës. Shqipëria është vend prodhues me peshë të naftës, por paradoksalisht ka naftën më të shtrenjtë në rajon. Kjo nuk është thjesht padrejtësi ekonomike; është një abuzim i hapur që prek drejtpërdrejt sovranitetin.
Kur një shtet prodhon naftë, por qytetarët e tij paguajnë çmime më të larta se vendet që nuk prodhojnë asnjë pikë, atëherë kemi të bëjmë me një dështim të thellë të politikave publike dhe një dorëzim të interesit kombëtar përballë interesave private. Nafta është pasuri strategjike, jo mall i zakonshëm. Dorëzimi i saj përmes kontratave të pafavorshme është një cenim i pastër i sovranitetit ekonomik. E njëjta dobësi shfaqet edhe në det. Hapësirat detare janë energji, peshkim, transport, burime nënujore dhe siguri. Por kur negociatat zhvillohen pa kapacitete të forta teknike dhe juridike, kur presionet e jashtme peshojnë më shumë se interesat kombëtare, deti tkurret. Çdo milje detare e humbur është një humbje strategjike për brezat e ardhshëm.
Sovraniteti detar nuk është çështje emocionale; është çështje fuqie. Ndërkohë, toka – baza e çdo shteti – po braktiset. Bujqësia nuk ushqen dot popullin e vet. Importojmë edhe produktet më elementare, ndërsa tokat mbeten djerrë dhe fshatrat boshatisen. Një vend që nuk ushqen dot veten, është një vend i varur dhe i shantazhueshëm. Varësia ushqimore është kërcënim i drejtpërdrejtë ndaj sovranitetit, sidomos në kohë krizash globale. Por kërcënimi më i madh nuk vjen nga pasuritë, as nga deti, as nga toka. Vjen nga largimi i njerëzve tanë. Rënia drastike e popullsisë është goditja më e rëndë që mund t’i ndodhë një shteti.
Kur të rinjtë largohen, kur lindjet bien në nivele historike, kur popullsia plaket, shteti humbet kapitalin e tij më të çmuar, forcën njerëzore. Pa njerëz nuk ka ushtri, nuk ka ekonomi, nuk ka bujqësi, nuk ka industri, nuk ka kulturë, nuk ka të ardhme. Një territor pa popull, është thjesht një hapësirë gjeografike, jo një shtet funksional. Rënia demografike është kërcënim i drejtpërdrejtë ndaj sovranitetit sepse dobëson çdo shtyllë të tij: – dobëson mbrojtjen, – dobëson ekonominë, – dobëson aftësinë për të shfrytëzuar pasuritë, – dobëson peshën gjeopolitike, – dobëson kohezionin shoqëror. Por, në veçanti një vend që po boshatiset nuk e ka luksin të gabojë në menaxhimin e pasurive, në negociatat detare, në politikat bujqësore apo në koncesionet e naftës. Çdo gabim e përshpejton rënien.
Sovraniteti nuk është një fjalë për podiume. Ai është një realitet i brishtë që kërkon vizion, strategji dhe vendimmarrje të guximshme. Sot, pasuritë tona po ikin, deti rrezikon të tkurret, toka nuk po na ushqen, populli po e braktis vendin dhe nafta – pasuria më strategjike – po menaxhohet në mënyrë që dëmton interesin kombëtar. Nëse nuk e pranojmë këtë dhe nuk veprojmë me urgjencë, rrezikojmë të mbetemi me një shtet që ekziston në letër, por jo në jetë. Sovraniteti nuk humbet me një shpërthim dramatik. Ai tretet ngadalë, derisa një ditë kuptojmë se kemi mbetur me simbole, por pa substancë. Dhe pikërisht aty fillon rreziku më i madh.
/Gazeta Panorama
© Panorama.al












