
Bashkia e Tiranës propozon heqjen e 60 tarifave vendore dhe uljen e disa taksave që aplikohen në kryeqytet. Projektvendimi do të diskutohet sot pasdite në mbledhjen e parë të Këshillit të ri Bashkiak. Nëse ai miratohet, qytetarët e Tiranës nuk do të paguajnë më për asnjë nga dokumentet që marrin në minibashki. Vërtetimet, certifikatat, autorizimet do të jenë falas. Po kështu edhe tarifat për shërbimet e strehimit do të merren pa pagesë. Ndërkohë, të gjithë tregtarët që ushtrojnë aktivitetin e tyre në tregjet publike, do të përfitojnë ulje 5-10%, në rast se paguajnë menjëherë tarifat për 6 muaj ose për një vit. Ndryshe nga më parë, kur tarifat e pastrimit për biznesin e vogël ishin të diferencuara, këto subjekte tani do të paguajnë 10% të taksës së përcaktuar për ta. Ky nivel tarife ka nisur të zbatohet tashmë nga Bashkia e Tiranës, por duhet të pasqyrohet edhe në vendimin që do t’i jepet për miratim Këshillit Bashkiak. Në këtë mënyrë, ulja e barrës fiskale pritet të sjellë hapje vendesh të reja pune dhe rritje të cilësisë së shërbimit ndaj qytetarëve. Ndërkohë, niveli i tarifës së pastrimit dhe largimit të mbeturinave për kategoritë e tjera të biznesit (i madh dhe VIP) mbetet i pandryshuar. Çdo familje do të paguajë në masën 5000 lekë tarifën e pastrimit. Do të hiqen të gjitha tarifat në fushën e transportit, ku përfshihen edhe ato të dhënies së lejes për ushtrim aktiviteti. Ndryshime ka pësuar taksa e tabelës, ndërsa do të hiqen taksat e regjistrimit të përvitshëm të mjeteve dhe tarifa e Inspektoratit Veterinar e Urbanistikës. Gjithaq, çdo shërbim në Drejtorinë e Përgjithshme të Taksave në Bashkinë e Tiranës do të jetë falas. Në grupin e tarifave ku preken direkt qytetarët, janë edhe ato për vizitat në kopshtin zoologjik dhe në aktivitetet e zhvilluara në qendrën kulturore “Tirana”. Fëmijët e të rriturit nuk do të paguajnë më për to. Falas do të jetë përdorimi i fushave të tenisit, basketbollit dhe palestrës të klubit sportiv “Tirana”. Tifozët nuk do të paguajnë më biletat në stadium, kur klubi i futbollit “Tirana” është organizator i veprimtarisë sportive. Do të shfuqizohet tarifa për dhënien në shfrytëzim të mjediseve sportive të stadiumit “Selman Stërmasi” për zhvillimin e aktivitetit sportiv. Gazeta zbardh të plotë draftin. Dje, gjatë një konference për shtyp, kryebashkiaku Lulzim Basha tha se me anë të këtij vendimi do të rritet konkurrenca në Tiranë, për të realizuar një ekonomi kompetitive dhe terreni më të përshtatshëm për të bërë biznes. “Ulja e këtyre taksave e tarifave, kombinuar me zbatimin në Tiranë, të sportelit të vetëm për licencat dhe për lejet, janë dy nga premtimet e mia dhe dy nga vendimet më të rëndësishme, sa i përket krijimit të vendeve të punës dhe stimulimit të rritjes ekonomike, nëpërmjet krijimit të hapësirave për biznesin e vogël, të mesëm, VIP, kompanitë ekzistuese dhe ato që duan të investojnë në Tiranë”, tha Basha. Ai shtoi se vendimi do të sjellë shmangien e çdo burokracie duke eliminuar çdo hapësirë e cila është, mund të përdorej dhe është përdorur më parë, për abuzim.
60 TARIFA
administrative dhe shërbimi nuk do të paguhen më nga qytetarët e Tiranës. Sipas të dhënave, nga 64 tarifa administrative mbeten 7 tarifa dhe nga 17 tarifa shërbimi, mbeten 14 tarifa.
Taksat dhe tarifat vendore qe hiqen dhe ndryshojne ne Tirane
HIQEN
Taksat e regjistrimit të përvitshëm të mjeteve
Tarifa e shërbimit arkivor
Tarifa për shërbimin e strehimit
Tarifa për shërbimin në fushën e transportit
Dhënie certifikate për transport mallrash apo pasagjerë 2.000 l
Dhënie autorizimi për subjekte të transportit ndërqytetas 3.000 l
Autorizim për lëvizje të automjeteve brenda unazës 500 l/muaj
Leje certifikatë për servis automjetesh, lavazh, parking 10.000 l
Licencë për lejimin e aktivitetit për autoshkolla 5.000 lekë
Autorizim për pikat e tregtimit me pakicë të karburanteve 5.000 l
Leje shërbimi tregtar ambulator
Leje shërbimi tej kohës normale të punës
Lejë për shërbim 24 orësh (bar kafe, restorant, pub, diskotekë, kazino)
Tarifa për mirëmbajtjen e rrugëve qytetase
Tarifa e Inspektoratit Urban
Tarifa e Inspektoratit Veterinar
Tarifa për njësitë bashkiake:
Lëshim vërtetimi banor lagjeje
Kryerja e procedurave për ndarje ose bashkim familjar
Dhënie autorizimi për pensionistët
Vërtetimi-deklaratë për marrjen e kompensimit për personat e punësuar në shtet që kanë pjesëtarë familjeje pa punë.
Shqyrtim i dosjeve për leje ndërtimi
Kontrolli i dokumentacionit për privatizim
Kontrolli i dokumentacionit për statusin e të pastrehut
Tarifë për regjistrim fillestar në biblioteka
Tarifa e urbanistikës:
Tërheqje dokumentesh
Kontrolli i piketimit të objekteve
3 kate: 3.200 lekë
Mbi 3 kate: 4.800 lekë
Kontrolli pas përfundimit të themeleve
3 kate: 3.200 lekë
Mbi 3 kate: 4.800 lekë
Kontrolli pas përfundimit të karabinasë 2000 lekë për kat
Aktkontroll i përfundimit të punimeve 8.000 lekë
Azhornimi i gentplaneve për leje ndërtimi: 40 lek/m2
Për procedurë legalizimi të shtesës 40 lekë/m2
Për procedurë legalizimi të ndërtimeve pa leje 10 lekë/m2
Matja, përcaktimi i zonës së vendndodhjes së objektit 6.000 lekë/m2
Azhornime për reklama, vendosje tavolinash 2.000 lekë
Tarifa për shërbime në Drejtorinë e Përgjithshme të Taksave
Tarifa dhe vërtetime për plotësimin e dokumentacionit për privatizim
Tarifa “Qendra kulturore Tirana”:
Tarifa e sallës 10.000 lekë/ora
Hyrja për shfaqjet e cirkut të organizuara për kopshte 200 lekë
Hyrja për shfaqjet e varietesë 200-500 lekë
Hyrja për shfaqjet e baletit 300-700 lekë
Tarifa “Klubi Sportiv Tirana”:
Përdorimi i fushave të tenisit 300 lekë/ora
Tarifë e përdorimit të palestrës 1.500 lekë/ora
Tarifa e përdorimit të fushave të basketbollit 300 l/ora
Tarifa “Klubi i futbollit Tirana”
Për ndeshje kombëtare 200 lekë-500 lekë
Për ndeshje ndërkombëtare 400 lekë-1000 lekë
Tarifa për shfrytëzimin e mjediseve të stadiumit “Selman Stërmasi” 50.000 lekë
NDRYSHOJNE
Tarifa e pastrimit dhe largimit të mbeturinave
Familjarët 5000 lekë/vit
Biznesi i vogël 10% të taksës/vit
Tarifat e shërbimit në tregjet publike
Në tregjet për artikuj industrial 3.500 lekë/muaj
Në tregjet për artikujt e tjerë 2.000 lekë/muaj
Përfitojnë 5% reduktim të tarifës kur paguajnë detyrimin për 6 muaj
Përfitojnë 10% reduktim të tarifës, kur paguajnë detyrim për 1 vit
Taksa e fjetjes në hotel:
3% e çmimit të fjetjes
Taksa e tabelës:
Vendosje tabele për qëllime identifikimi
Tabelë në shqip ishte: 1.500 lekë/vit
Bëhet: 120 lekë vit
Tabelë në gjuhë të huaj
Ishte 3.000 lekë/vit
Bëhet: 120 lekë /vit
Reklamat:
Të zakonshme
Ishte: 10.000 lekë m2/vit
Bëhet: 45.000 lekë m2/vit
Elektronike 15.000 lekë m2/vit
Bëhet 45.000 lekë m2/vit
ZIRINA LLAMBRO
© Panorama.al











