U largua për pak kohë nga ekrani kur ishte në javët e para të shtatzënisë dhe ne të gjithë menduam se ajo nuk do të kthehej derisa të lindte vajzën. Një sakrificë e madhe kjo për një gazetare karriere si Sonila Meço, e cila duket se ekranin e ka një nga dashuritë e saj më të mëdha. Mirëpo, u rikthye që të vazhdonte punën e saj, ndërkohë që ne ndiqnim ditë pas dite nga televizori, përveç edicionit informativ, edhe transformimin e saj fizik. Në fakt, sikur të mos e dinim që Sonila Meço po pret një fëmijë, zor se mund të kuptonim diçka nga busti i saj. Në fytyrë nuk ka ato buhavitjet tipike të grave që janë në pritjen e ëmbël dhe as ndonjë tranformim tjetër. Ndërkohë, pak ditë më parë, paparaci ynë e fotografoi së bashku me të shoqin, Drinin, në një aktivitet dhe ja ku na shfaqet Sonila Meço, e tëra, kokë e këmbë dhe ne mund ta studiojmë me kujdes. Përveç barkut, duket se shtatzënia ia ka kursyer të gjitha pjesët e tjera të trupit, duke krijuar kështu siluetën e një gruaje shtatzënë shumë elegante.
Sonila në këtë rast është një shembull i mirë për të gjitha ato femra që kanë aktivitet publik dhe ngurrojnë të bëjnë fëmijë nga frika e deformimeve fizike. Por ja, ndodh edhe kështu, pra shihni Sonilën dhe bëhuni me bebe!











