
“Dua që fëmijët e mi të rriten në një vend të lirë, i cili s’mund të jetë i tillë, nëse fjala s’është e lirë”
“Këtë libër ia dedikova njërit prej fëmijëve të mi që lindi gjatë kohës që unë shkruaja këtë libër. Natyrisht që fëmijët e mi kanë nevojë për rrogën që unë marr në vendin ku punoj, por unë do doja që fëmijët e mi të rriteshin në një vend të lirë, dhe një vend i lirë nuk mund të jetë i tillë, nëse fjala nuk është e lirë, aq më tepër kur duam të shkojmë në Europë”. Kështu do të shprehej dje gjatë promovimit të librit të tij më të ri gazetari Sokol Balla, duke iu përgjigjur “njërës prej pyetjeve cinike të botuesit Henri Çili për raportet midis nesh dhe rrogave që marrin te pronarët”.
Si një gazetar që i ka njohur të gjitha hallkat e kësaj “industrie të rëndë”, Sokol Balla i di mirë se ku janë ngërçet dhe se sa e ndërlikuar bëhet nga dita në ditë. “Fjala e lirë, sfidë europiane”, është libri më i ri i gazetarit Sokol Balla, prezantuar dje në ambientet e Universitetit Europian të Tiranës. Pas trajtimit në temën e diplomës Master në Universitetin e Kardifit, Balla ndan me njerëzit e medias dhe jo vetëm, problematikat e lirisë së shprehjes dhe të medias në Shqipëri. Në promovimin e librit ishin të pranishëm ambasadori i SHBA-ve në Shqipëri, Alexander Arvizu, ambasadorja e Mbretërisë së Bashkuar, Fiona McIlwham, deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, gazetarë, botues, pronarë të mediave të ndryshme në Shqipëri, si edhe akademikë. “Dikur, flas për ne gazetarët që e kemi nisur karrierën në fillim të viteve ’90, diku nga fundi i viteve ’90 kemi pasur një armik, një përbindësh dhe ai ishte qeveria apo autoritetet. Besoj se sot gjërat janë shumë më të komplikuara se aq, industria e medias është zhvilluar dhe është pjesë e një globalizimi që ka kapur të tërë sektorët dhe e ka bërë më të komplikuar çështjen e ndikimit në linjat editoriale”, u shpreh Balla. “Kanë kaluar 20 vjet të praktikave tona të shtypit të lirë në Shqipëri dhe shumëçka mbetet e vjetër, por ka edhe shumëçka të re në raport me sfidat që ka liria e shtypit në Shqipëri”, u shpreh Henri Çili gjatë prezantimit. Dhe libri i Ballës jep një kontribut jo të vogël në këtë drejtim. Në libër ai ka përfshirë një anketim me mbi 150 gazetarë shqiptarë, dhe shqetësimet e shprehura nga ata janë shumë herë më të forta se ato të njëzet viteve më parë. “Sot kemi pronarët e mediave, megjithatë unë mendoj që nuk janë e keqja më e madhe që i ndodhin industrisë së medias. Ndoshta pa pronarët e medias nuk do të kishim fare media në Shqipëri”, shtoi ai.
Një nga problemet që Balla evidenton fort është vendosja e një raporti të drejtë të gazetarëve me pronarët e mediave, sidomos në kohën kur raporti i fundit i BE-së për median ishte më kritik se herët e tjera dhe shikonte një përkeqësim të lehtë në raport me vitet e mëparshme. Por, duket se nuk jemi të vetmit. Sipas Ballës, vetë Europa po përjeton një moment kritik për sa u përket shqetësimeve të lidhura me lirinë e medias dhe me lirinë e fjalës. “Kështu, si Shqipëria, edhe media e saj, gjithashtu, janë duke u këshilluar nga Brukseli që të ndjekin modelin europian, një adaptim ligjor dhe social, në një kohë kur vendi po synon të integrohet në BE, Europa vetë jo shpesh ofron një model me një situatë jo më pak problematike, kur vjen puna te liria e medias dhe te industria e medias”, thotë ai në parathënien e librit. “Në të gjitha demokracitë e reja roli i medias është kritik dhe analizat mbi rolin që ajo luan është gjithaq i rëndësishëm. Ky është një kontribut i rëndësishëm për këtë debat dhe e di që do të nxisë edhe më shumë debate. Ky debat nuk është as i të majtës, as i të djathtës, as i politikanëve, apo i gazetarëve, por në përgjithësi i të gjithë shoqërisë dhe duhet të gjenerohet në rang më të gjerë për të gjithë shqiptarët”, u shpreh ambasadorja e Mbretërisë së Bashkuar, Fiona McIlwham.











