Sfidat e lirisë së fjalës, është tematika që gazetari i njohur, Sokol Balla, prek në librin e tij më të ri, botuar nga “UET Press”, i cili promovohet nesër në mjediset e Universitetit Europian të Tiranës. Dy dekada më parë, në vendin tonë njerëzit burgoseshin, dënoheshin apo dhe vriteshin për fjalën e tyre të lirë. Sot në Shqipëri vërtet askush ndoshta nuk mund të lëndohet fizikisht, por ndëshkimi si fenomen ka pësuar një metamorfozë…
Për Sokol Ballën, një nga gazetarët dhe moderatorët më të vjetër në vend, fjala e lirë është sfida europiane e shqiptarëve. Ai vjen për herë të tretë te lexuesi shqiptar me një libër që i kushtohet lirisë së shprehjes si një kusht kur ne si qytetarë të këtij vendi kërkojnë integrimin europian.E destinuar fillimisht për të qenë një temë diplome për studimet “Master” në Universitetin e Kardifit në Britaninë e Madhe, një nga më prestigjiozët në botë për studimet mbi median, e cila vjen sot në duart e lexuesit shqiptar në formën e një libri, ky libër i botuar nga botimet “UET Press” mund të konsiderohet pa diskutim një vlerë e shtuar në galerinë e vogël të titujve mbi problematikën e medias në vend.
Libri sjell një qasje interesante, pasi sipas Ballës, vetë Europa po përjeton një moment kritik përsa u përket shqetësimeve të lidhura me lirinë e medias dhe me lirinë e fjalës. “Kështu, si Shqipëria, edhe media e saj, gjithashtu, janë duke u këshilluar nga Brukseli që të ndjekin modelin europian, një adaptim ligjor dhe social, në një kohë kur vendi po synon të integrohet në BE, Europa vetë jo shpesh ofron një model me një situatë jo më pak problematike, kur vjen puna te liria e medias dhe te industria e medias”, thotë ai në preambulën e librit.
Në parathënien e tij, Henri Çili shtron tri konsiderata që ky libër prezanton për publikun shqiptar. Së pari, tashmë ne jemi një hap më para, pra nuk kemi më dhunën fizike ndaj gazetarëve, si ajo e fillimviteve ’90.
Konsiderata e dytë që trajton libri vë në qendër të problematikës së lirisë së shtypit faktorin ekonomik. Sipas tij, problemi kryesor është mënyra se si financohet media në Shqipëri. Megjithëse ajo është kryesisht me humbje, paradoksalisht është një nga sektorët që nuk falimenton. Konsiderata e tretë lidhet me zhvillimet shumë të shpejta të teknologjive të komunikimit masiv dhe disiplinave, si marrëdhëniet me publikun dhe marketingun, dhe këtu shtrohet çështja e dallimeve mes lajmit si produkt i interesit publik dhe lajmit si produkt i përpjekjeve marketing dhe atyre të marrëdhënieve me publikun. “Për të gjitha këto, për ta përballuar lirinë e shprehjes si ‘një sfidë europiane’, siç e titullon Sokol Balla këtë libër, del nevoja e konsiderimit të çështjes përtej problemeve klasike që ka pasur deri tani e ka edhe sot media në Shqipëri. Ky libër, i ndërtuar mbi një hulumtim autentik, në të vërtetë i hap të gjitha këto pista diskutimi”, thotë Henri Çili në parathënien e librit.











