Historia e biletave të ndeshjes Skënderbeu-Apoel ka disa ditë që ka nisur, ndërkohë që abuzimet duket se janë ulur këmbëkryq. Kompania që u mor me shitjen dhe administrimin e këtyre biletave, përveçse ka shtuar numrin e vendeve, disa mijëra vetë më shumë se sa kapaciteti real i stadiumit, çmimet e biletave i ka shitur në sportele në shumë raste me çmimin krejt të ndryshëm nga ai që shkruhej në biletë. Me dhjetëra qytetarë të Korçës ndihen të indinjuar për këtë vjedhje masive që po bëhet në emër të Champions Leagues, festë që për banorët e këtij qyteti do të ketë përmasa të paharrueshme. Ndërkaq, biletat kanë përfunduar së shituri si rrallë ndonjëherë në ndonjë takim, duke konkurruar dhe ndeshjet e Kombëtares shqiptare. Por, tregu i zi i shitjes së tyre është shumë interesant. Nëse kërkon të sigurosh një biletë për në tribunën qendrore, mjafton të kërkosh te disa persona që rrinë pranë ambienteve të stadiumit dhe të sigurosh atë biletë me një çmim dyfish më të lartë se ai reali. Kështu, nga 1500 lekë të reja që ajo kushton, e gjen lehtësisht për 3000 lekë. Por ajo që ka befasuar të gjithë për këtë takim, është çmimi i biletave shumë i lartë madje dhe më i lartë se në Qipro.
Skënderbeu – Apoel
Sonte, ora 20:00
Formacionet e mundshme
Skënderbeu:
Shehi, Robles, Vrapi, Bici, Arapi, Orelesi, Bratiç, Shkëmbi, Allmuça, Muzaka, Dos Santos
Apoel: Konstantinou, Jorge, Oliveira, Antoniades, Elia, Çaralambides, Satsias, Manduka, Çiotis, Marsinjo, Solari











