Skandal në Greqi, tërhiqen 1.2 miliardë euro nga bankat

May 17, 2012 | 15:22
Nga takimi i Presidentit Papulias me liderët e partive greke

Greqia po shkon drejt zgjedhjeve të reja të 17 qershorit paralelisht me rrënimin e sistemit bankar të vendit, me popullin që po tërheq depozitat me një fluks të jashtëzakonshëm. Paralajmërimi kishte ardhur nga guvernatori i vendit, ministri i Financave dhe ish-kryeministri teknokrat Papademos, se zgjatja e paqëndrueshmërisë politike ishte shumë e rrezikshme, por liderët e partive politike greke nuk e gjetën gjuhën e përbashkët për të krijuar një qeveri uniteti. Zgjedhjet e reja u caktuan më 17 maj dhe deri atëherë vendi do të drejtohet nga Kryeministri i ri i përkohshëm, Panajotis Pikramenos. Sipas agjencisë greke të lajmeve, “In.gr”, Presidenti Karolos Papulias, pas dështimit të bisedimeve për qeverinë e unitetit kishte propozuar zgjatjen e mandatit të ish-kryeministrit teknokrat, Lukas Papademos. Por kjo ishte kundërshtuar fort nga Alexis Tsipras, lideri i koalicionit të majtë radikal, Syriza, i cili pritet të fitojë zgjedhjet e 17 qershorit. Pas betimit në mbrëmje, Pikramenos tha: “Vendi është nj pikë kritike. Shpresoj të jem në gjendje ta bëj detyrën time si drejtues i qeverisë së tranzicionit”. Pikramenos është një gjyqtar i njohur në Greqi. Kabineti i tij do të betohet sot në orën 10:00 paradite. Kryeministri i ri ka fuqi të limituara deri në zgjedhjet e reja, duke shtuar frikën se vendi do të mbetet pa timon, ndërsa kërcënohet nga mungesa e parave dhe dalja nga eurozona. Sipas “Wall Street Journal” në një shenjë se paqartësia para zgjedhore po e prek thellë vendin, agjencia e privatizimit në Greqi tha të mërkurën se nuk do të marrë asnjë vendim mbi shitjen e aseteve deri në zgjedhjen e qeverisë së re. Ndërkohë fluksi i tërheqjes së depozitave bankare vazhdon. Sipas një zyrtari të lartë grek, “tërheqja e parave vazhdon, sepse grekët janë shumë të shqetësuar”. Situata e kaosit politik dhe paqartësia e të ardhmes së vendit në eurozonë ka nxitur tërheqjen masive të depozitave nga bankat. Deri të hënën, nga bankat greke ishin tërhequr 700 milionë euro nga depozitat. Nga e hëna deri dje, burime bankare të cituara nga “Financial Times” tregojnë se grekët kanë tërhequr 1.2 miliardë euro të tjera, shifër e barabartë me 0.75 për qind të depozitave totale. Jorgo Provopulos, president i Bankës Qendrore, ia ka shprehur frikën e rrënimit të sistemit bankar Presidentit Papulias, në një letër ku thuhej se rrezikimi i sistemit bankar do të ishte shkatërrimtar për Greqinë. Deri në zgjedhjet e reja Greqia do të jetë pa Parlament, ndërsa sot pritet të nisë fushata zgjedhore.

Barroso
Bashkimi Europian po i sheh me shumë shqetësim zhvillimet në krizën greke. Presidenti i KE-së, Hose Manuel Barroso, ka përsëritur se Greqia duhet të qëndrojë në eurozonë, por duhet të respektohen të gjitha detyrimet e marra përsipër. Ai ka shtuar se vendimi u mbetet grekëve, vota e të cilëve në zgjedhjet e reja të 17 majit, sipas tij, “do të ketë një domethënie historike”. Sa u përket obligimeve ndërkombëtare, Barroso ka theksuar se Greqia duhet t’i respektojë, sepse nuk ka asnjë alternativë që eviton sakrificat apo e bën më pak të lehtë, sepse ato u takojnë edhe 16 vendeve e parlamenteve të tjera të eurozonës.

Mario Dragi
Banka Qendrore Europiane ka deklaruar se, sipas saj, zgjidhja më e mirë do të ishte ajo që e mban Greqinë në eurozonë, por nuk i takon BQE-së të vendosë. Duke folur në një takim në zyrat qendrore në Frankfurt, Gjermani, guvernatori i BQE-së, Mario Dragi, tha se për sa i përket këshillit drejtues të Bankës Qendrore Europiane ekziston preferenca e fortë mbi këtë çështje se “meqë në traktatet europiane nuk ka asgjë që prek daljen e një vendi nga zona e euros, nuk i takon BQE të vendosë”. Në çdo rast BQE do të vazhdojë të kryejë mandatin e saj institucional për të garantuar stabilitetin e çmimeve dhe soliditetin e bilancit të saj”.

© Panorama.al

Te lidhura