Zyra e Prokurorit Publik Evropian (EPPO) ka ngritur padi penale ndaj 22 personave në Greqi, mes tyre edhe katër deputetë aktualë, në kuadër të një hetimi për një skemë të dyshuar mashtrimi me fondet bujqësore të Bashkimit Evropian.
Sipas EPPO-së, hetimet kanë zbuluar ndërhyrje të paligjshme në procedurat administrative dhe në proceset e auditimit të organizatës bujqësore OPEKEPE gjatë vitit 2021. Të akuzuarit sipas mediave greke dyshohet se kanë ndikuar në mënyrë të parregullt në procedurat që lidhen me shpërndarjen dhe kontrollin e subvencioneve bujqësore të financuara nga Bashkimi Evropian.
Personat e akuzuar përballen me vepra penale që përfshijnë mashtrimin me subvencione dhe certifikimin e rremë. Në rast se shpallen fajtorë, ata mund të dënohen deri në pesë vite burg.
Katër deputetët ndaj të cilëve është ngritur ndjekje penale janë Kostas Skrekas, Katerina Papakosta, Christos Boukoros dhe Maximos Senetakis.
Sipas mediave greke, ndaj Kostas Skrekas, Christos Boukoros dhe Maximos Senetakis është ngritur ndjekje penale, rast pas rasti, për nxitje të menaxhimit të paligjshëm të fondeve evropiane. Ndërsa Katerina Papakosta akuzohet gjithashtu për nxitje të certifikimit të rremë dhe tentativë mashtrimi kompjuterik.
Po sipas njoftimit, janë ngritur akuza edhe ndaj shtatë deputetëve të tjerë në detyrë. Bëhet fjalë për Kostas Ach. Karamanlis, Yiannis Kefalogiannis, Notis Mitarakis, Kostas Tsiaras, Dimitris Vartzopoulos, Lakis Vasiliadis dhe Theofilos Leontarides.
Ndërkohë, procedurat ndaj këtyre shtatë deputetëve aktualë dhe dy ish-deputetëve janë pezulluar, pasi autoritetet kanë vlerësuar se nuk ka prova të mjaftueshme për të vijuar ndjekjen penale ndaj tyre.
© Panorama.al











