Skadon afati i KFOR, nëpër rrugë ende barrikada

Oct 18, 2011 | 9:27

Në mesnatë ka skaduar afati që KFOR-i u kishte dhëne serbëve në veri për heqjen e barrikadave nga vendkalimet që shpien në Bërnjak e në Jarinje. Ne fakt, mëngjesi ka gdhirë me barrikada

Pa marrë parasysh afatin, barrikadat nuk janë hequr. Madje, ka njoftuar Beta, në barrikada ka më shumë qytetarë serbë.

Ndërkohë, njofton “Blic”, KFOR-i ka vendosur të dërgojë në punktet e kontrollit 15 kamionë me mjete dhe pajisje ushtarake.

Burime brenda trupës paqeruajtëse i kanë thënë gazetës se KFOR-i pret që të ketë rezistencë të banorëve lokalë dhe se heqja e barrikadave do të ndodhë pa përplasje. Sipas atyre burimeve, KFOR-i është i gatshëm që të përballet me sulme nga grupe të organizuara, por nuk do të përplaset me qytetarë civilë, që mund të gjenden afër barrikadave.

Duke e ditur një qëndrim të tillë të KFOR-it, strukturat paralele në veri kanë filluar që të organizojnë nxënësit, gratë dhe punëtorët. Atyre po u kërkohet që të dalin pranë barrikadave dhe t`i mbrojnë ato.

Sipas burimeve ndërkombëtare, heqja e barrikadave përveçse do të mundësojë lëvizjen e lirë, do të lehtësojë edhe aksionet që kanë të bëjnë me hetimet për sulmin ndaj KFOR-it dhe vrasjen e policit kosovar.

Strukturat paralele të Serbisë në Kosovë kanë dhënë tri mesazhe të ndryshme për heqjen e 16 barrikadave. Krerët e komunave paralele kanë kërkuar më shumë kohë gjatë takimeve me KFOR-in, por përfaqësues të tjerë kanë thënë se kanë edhe dy zgjidhje tjera: të shtojnë nga dy barrikada për secilën që heq KFOR-i ose të përleshen me ushtarët e NATO-s.

© Panorama.al

Te lidhura