
Josip Kuzhe është i qetë për të ardhmen e tij, por jo vetëm. Trajneri i Kombëtares shqiptare mendon se ai dhe skuadra nuk janë nën presion përpara ndeshjes me Francën, edhe pse kuqezinjtë vijnë pas një humbjeje të turpshme kundër Luksemburgut. Në konferencën për shtyp nga ambientet e hotel “Dyrrah”, një ditë para nisjes për në Paris, Kuzhe foli për ndeshjen dhe të ardhmen e tij. “Ky takim nuk vendos rinovimin e kontratës sime me FSHF-në, për këtë jam i bindur,” është shprehur ndër të tjera kroati.
Prisni ndonjë reagim nga skuadra kundër Francës?
Po, unë pres një reagim nga skuadra. Ne do të përpiqemi të bëjmë një lojë të mirë. Po punojmë edhe në aspektin psikologjik. Për ne është shumë i rëndësishëm ky reagim. Ta lëmë pas ndeshjen me Luksemburgun dhe kjo të shërbejë si një motivim më i fortë. Për një trajner nuk është dhe aq e thjeshtë. Gjithsesi, motivimi ekziston, pasi kundër një ekipi si Franca ai vjen natyrshëm. Kështu kemi bërë gjithnjë edhe ndaj ekipeve të tjera të mëdha.
Do të luani për një barazim?
Do të luajmë kundër një emri të madh si Franca, por duhet të besojmë se mund të marrim një rezultat pozitiv. I rëndësishëm është edhe niveli individual e gjithashtu kolektiv i përgatitjeve. Lojtarët duhet të jenë të motivuar në lojë dhe ta shijojnë ndeshjen. Ne duhet të luftojmë, të kemi shpirt kompetetiv dhe të marrim një rezultat pozitiv.
Te Franca mungojnë lojtarë, si Benzema, Riberi dhe Abidal. E shikoni si diçka pozitive për Shqipërinë?
Sigurisht, jam i kënaqur që nuk do të luajnë lojtarë të tillë, por jo i lehtësuar për të thënë se do të kemi një punë më të lehtë. Franca ka shumë lojtarë. Kam parë 10 ndeshjet e fundit të tyre dhe Blank ka përdorur plot 25 lojtarë. Nëse do të më pyesnit mua, se për cilin lojtar do të isha i lumtur që nuk do të luante kundër nesh, unë do të thosha nuk e di. Mendoj se Franca do të ndryshojë formacion edhe ndaj nesh, sepse ka një ndeshje shumë më të rëndësishme më pas me Bosnjën.
Nëse Shqipëria ndal Francën, atëherë i bën nder në të njëjtën kohë Bosnjës. E keni menduar këtë?
Shumë gazetarë më kanë telefonuar nga Bosnja dhe më kanë thënë se Shqipëria duhet të bëjë diçka për ne. Unë u kam thënë se nuk janë në mendjen time (qesh). Jam duke menduar vetëm për Shqipërinë dhe vetëm se çfarë do të ndodhë rreth saj.
Ndryshe nga ndeshja e parë, kur kishte dhe një farë presioni, e ndieni se tani ju dhe skuadra do të jeni më të lirshëm?
Po, e ndiejmë shumë. Do të luajmë kundër një ekipi të madh, në një stadium të bukur dhe atmosferë të këndshme. Por, e përsëris edhe një herë, se këto emocione do të ndikojnë direkt në motivimin e lojtarëve.
Duke u ndalur te ardhmja juaj, mendoni se ndeshja kundër Francës do të luajë një rol të rëndësishëm në rinovimin e kontratës me FSHF-në?
Kjo ndeshje nuk besoj se do të vendosë të ardhmen time. Realisht nuk do ta mendoja këtë. Dua vetëm të bëj një ndeshje të mirë, që skuadra të luajë denjësisht dhe të marrë një rezultat pozitiv. Që të luajë kjo ndeshje një rol në të ardhmen time, nuk e besoj.
Kanë mbetur edhe dy ndeshje nga fundi i eliminatoreve. Na thoni sinqerisht sa pikë kishit menduar deri në këtë moment?
Unë nuk i kam numëruar pikët. I kam parë gjërat në përgjithësi. Ne nuk dëshironim vetëm të merrnim pjesë në këto kualifikuese. Ne dëshironim të ishim paksa më shumë të rëndësishëm, të bënim disa rezultate të mira. Veçanërisht të fitonim kundër një ekipi të madh, siç mund të ishte Franca, Bosnja apo Rumania. Këtë mund të mendoja, por në përgjithësi, çdo trajner do ta shikonte me më shumë optimizëm për të synuar idealen. Kuptohet që kurrë nuk na ka munguar motivimi. Dua të them se kurrë nuk kam ëndërruar se do të arrijmë finalet, por kam dëshiruar të bëja ndeshje të mëdha dhe një hap më shumë për të ardhmen.
Lorik Cana: Është sfidë speciale, ëndërroj pikë
Lorik Cana rikthehet të luajë në Francë, por këtë herë si kundërshtar i “gjelave” në Paris. Ish-lojtari i PSG-së dhe Olimpikut të Marsejës, tashmë kapiten i Kombëtares shqiptare, ka deklaruar dje se ruan kujtime të bukura nga “Stade de France”, stadiumi ku do të luhet ndeshja e së premtes. Në konferencën për shtyp nga hotel “Dyrrah”, lideri kuqezi nisi rrëfimin e tij me emocionet e rikthimit në Paris. “Çdo ndeshje me ekipin kombëtar ka emocionin e vet. Sigurisht, kundër Francës është një sfidë speciale për mua, pasi luaj në një vend ku jam rritur si futbollist dhe kam kaluar shumë vite të bukura. Për më tepër, të premten do të luajmë në një stadium, nga ku personalisht ruaj shumë kujtime. Kam luajtur 4 finale të Kupës së Francës aty dhe shpresoj që këtë herë të dalim me sukses. Është ndeshje e veçantë, edhe për faktin se raste të tilla janë të pakta në karrierë. Mendoj se do të jetë e bukur për të gjithë lojtarët. Nuk di çfarë të them më tepër, ne do të futemi për të marrë pse jo më të mirën, ndaj të shpresojmë”, – ka thënë lojtari 28-vjeçari. Kosovari do të mbajë shiritin e kapitenit në sfidën ndaj “gjelave”, ashtu siç bëri edhe më 2 shtator në “Qemal Stafa”. Dje, Cana sqaroi edhe zërat për polemika në lidhje me shiritin. “Dua të theksoj se në këto 8-9 vjet, ambient më të pastër se grupi aktual nuk ka pasur. Të paktën kështu më rezulton”.
Roshi
Debutim ëndërr për talentin fierak, Odise Roshi. I grumbulluar për herë të parë me Kombëtaren, mesfushori pritet të jetë titullar në sfidën ndaj Francës. “Jam OK edhe në atë pozicion. Madje, edhe trajneri i Këlnit më ka provuar. Do të jap gjithçka”, – është shprehur i riu. I pyetur për kundërshtarët që mund të ketë përballë, si Revelier apo Sanja, talenti fierak me modesti tha: “Ata janë të gjithë njësoj”. Ndërsa, në lidhje me aventurën e tij në Gjermani te Këlni, Roshi sqaroi se ka probleme me gjuhën. “Të them të drejtën, ka pasur edhe raste kur nuk jam kuptuar me shokët e ekipit apo trajnerin, për shkak se nuk e di mirë gjuhën. Megjithatë, jam futur në kurs dhe po përmirësohem”.
Nga Durrësi/ JORGIS MEMO
© Panorama.al











