
Shpërfytyrohen kampionët me 10 veta
Gjysma e kaltër e Mançesterit është në qiellin e shtatë. Supermacia e skuadrës së qytetit, por dhe e Premier Ligës, të paktën për momentin, është e Sitit që pushton “Teatrin e Ëndrrave” për të dytën herë në 37 vite (1974), duke poshtëruar 6-1 kushërinjtë e urryer të Junajtid. Thyen dhe rekordet e 19 herë kampionëve, që pësuan humbjen e parë që prej prillit të 2010-s në fushën e tyre (19 ndeshje pa ndier shijen e saj). Një fitore me shifra të njëjta e “qytetarëve” kishte ndodhur në vitin 1926. Milionerët konsolidojnë vendin e parë dhe tani nuk ndiqen më këmba-këmbës nga “djajtë”, të cilët e shohin veten mbrapa me 5 pikë diferencë. Është Mario Baloteli heroi i derbit. Tërheq skuadrën me dy golat e parë drejt fitores, ndërsa detyron Evansin të marrë karton të kuq në minutën e 47-të, duke ua bërë më të lehta gjërat miqve. Zgjedhjet e titullarëve të Sër Aleks Fergusonit habisin sërish. Vidiç përfundon në tribunë, ndërsa preferohet Uelbek në vend të Hernandezit, që ka treguar formë të shkëlqyer këto javët e fundit. Qendra e mbrojtjes formohet nga dyshja Ferdinand-Evans, ndërsa krahët i besohen Evrasë dhe Smolling. Skocezi ia beson krahët e mesfushës Jangut e Nanit dhe qendrën Fletçerit me Andersonin. Runit i lihet sërish hapësira në thellësi, në 4-4-1-1, duke kaluar pykë të vetme Uelbekun, që ka për detyrë t’i hapë telashe mbrojtjes së kaltër. Nga ana tjetër, Mançini nuk bën ndryshime drastike, teksa preferon sërish Supermaion në vend të Xhekos. Në minutat e para, zotër të fushës janë “djajtë”. Fitojnë metra dhe goditje nga këndi pa fund, por nuk arrijnë të krijojnë raste të rrezikshme. Është e njëjta tablo gjatë 20 minutave të para. Por 120 sekonda më vonë, Baloteli hyn në zonë dhe finalizon një shkëmbim Silver-Milner, duke e çuar topin në rrjetën e De Geas. Italiani feston sipas mënyrës së tij, duke shfryrë emocionet me fjalët poshtë bluzës: “Përse gjithnjë unë”? Fishekzjarrët që i dogjën shtëpinë 72 orë më parë, e bënë sërish protagonist për keq milionerin rebel, të cilit ky gjest i kushtoi kartonin e verdhë. Junajtid shtyn përpara, por nuk bind (vetëm 2 gjuajtje nga distanca e Andersonit dhe Runit që nuk i hapin probleme Hartit) dhe skuadrat shkojnë me këtë rezultat në dhomat e zhveshjes. Fraksioni i dytë nis në mënyrën më të keqe për kampionët. Një pasim i Agueros për Balotelin, i cili ndalohet në mënyrë të parregullt nga mbrapa në hyrje të zonës prej Evansit, e detyron kryesorin Klatenburg të nxjerrë kartonin e kuq. Në “Old Trafford” bie heshtja. Dëgjohen vetëm himni “hëna blu” e tifozëve të Sitit. Pas një ore lojë, Baloteli siglon dopietën e dytë, pasi shtyn vetëm topin drejt rrjetës falë asistit të Milnerit. 7 minuta më vonë, përsëritet e njëjta skemë, por kësaj radhe feston Aguero. Argjentinasi shërbehet sërish nga e djathta nga Riçards. Shthuret Junajtid, që nis të sulmojë dhe të mos mendojë më për hapësirat mbrapa. Në njërin prej këtyre aksioneve Fletçer shënon një gol fantastik, por goli i skocezit vetëm sa tërbon edhe më shumë Sitin. Xheko zëvendëson Marion dhe, me një asist në kundërsulm, i jep mundësinë Silvës të shënojë. Boshnjaku realizon dopietën e tij dhe, me duart që tregojnë rezultatin e thellë, mjafton për të përfunduar një pasdite ëndrrash në tempullin e urryer, të cilin milionerët e pushtuan të paktën për një ditë.
Mançester Und-Man.Siti 1-6
Shënues: Fletçer 81’/ Baloteli 22’, 60’, Aguero 68’, Xheko 90’, 90+3’, Silva 90+1’
Kartonë të verdhë: Evra, Anderson, Smolling, Uelbek/ Kompani, Baloteli, Riçards
Kartoni i kuq: Evans 47’
Man.Junajtid (4-4-1-1): De Gea, Smolling, Ferdinand, Evans, Evra, Nani (Hernandez 65’), Fletçer, Anderson (Xhons 66’), Jang, Runi, Uelbek.
Trajner: Aleks Ferguson
Man.Siti (4-2-3-1): Hart, Riçards, Kompani, Leskot, Klishi, J.Ture, Berri, Milner (Kolarov 89’), Silva, Baloteli (Xheko 70’), Aguero.
Trajner: Roberto Mançini
Aleks Ferguson: Ndihem i turpëruar
Humbja më e thellë ndaj rivalit më të egër. Aleks Ferguson ka përjetuar 90 minuta makthi dhe një dështim, që e ka cilësuar si më të madhin në historinë e tij. “Ishte dita jonë më e keqe. Ishte dështimi më i madh në historinë time. Edhe kur kam qenë lojtar, nuk më kujtohet të jem mundur ndonjëherë 6-1”, ka thënë Ferguson. Më pas, ai ka analizuar ndeshjen dhe ka fajësuar lojtarët. “Ende nuk më besohet ai rezultat. Kur Mançester Siti kaloi në avantazh 1-0, ne nuk u demoralizuam, pasi ishim të bindur që mund të barazonim. Por, dalja me karton të kuq e Evansit na vrau. Sikur të mos mjaftonte ajo, lojtarët e mi u çmendën në fushë. Kur ishin 4-1, të gjithë ishin në sulm dhe skuadra mbronte vetëm me dy mbrojtës”.
Fletçer: Nuk do dalim dot përjashta
Po të mos kishte shënuar ai, ndoshta dhimbja e humbjes do të ishte disa herë më e madhe. Autori i golit të vetëm dhe të nderit të “djajve”, Darren Fletçer, tha se humbja e derbit me një rezultat kaq të thellë ishte aq e dhimbshme për lojtarët, sa edhe për tifozët. Ne jemi të vetëdijshëm për dhimbjen që shkakton një rezultat i tillë. Tifozët do shkojnë të hënën në punë me një brengë të madhe. Por ne jetojmë në të njëjtin qytet dhe do e vuajmë me të njëjtin intensitet këtë rezultat. Askush nuk dëshiron të poshtërohet në këtë mënyrë. Por ne duhet të shohim dhe anën pozitive. U thashë shokëve në dhomat e zhveshjes se ka për të na bërë mirë në të ardhmen shija e një humbjeje kaq të thellë”, – deklaroi i zhgënjyer mesfushori skocez i Junajtid.











