Siria voton Kushtetutën e re, Klinton: Drejt luftës civile

Feb 27, 2012 | 12:35

Sekretarja amerikane e Shtetit, Hilari Klinton, gjatë një konferencë për shtyp në Marok, i kërkoi ushtrisë siriane që t’i kthejë kurrizin Presidentit Asad. “Sirianët në ushtrinë e vendit, të cilët ende mbështesin Presidentin Bashar Asad, duhet të kthehen kundër tij. Sa më shumë ta mbështesni fushatën e dhunës së regjimit kundër motrave dhe vëllezërve tuaj, aq më shumë do ta ndotni nderin tuaj. Nëse refuzoni të merrni pjesë në këtë fushatë, bashkëkombësit dhe gratë do t’ju shohin si heronj”, tha ajo. Klinton, në një intervistë për BBC, paralajmëroi se Siria po drejtohej nga lufta civile. “Mendoj se janë të gjitha mundësitë për një luftë civile. Ndërhyja nga jashtë nuk do ta parandalonte këtë, por do ta përshpejtonte”. Klinton shtoi se: “Ne kemi një set të rrezikshëm aktorësh në rajon: Al Kaeda, Hamasi dhe ata që janë në listën tonë të terroristëve deklaruan se mbështesin opozitën. Sirianët mund të jenë më të shqetësuar se çfarë do të ndodhë më pas”, tha ajo. Siria votoi dje referendumin për ndryshimet kushtetuese, të cilat do t’i lejonin Presidentit Bashar Al Asad të qëndronte në pushtet deri në vitin 2028, në një ditë tjetër të përgjakshme për vendin. Të paktën 31 civilë e ushtarë kanë humbur jetën të dielën, ndërsa qyteti Homs vazhdon të bombardohet nga ushtria e Asad. Kundërshtarët e Presidentit e kanë cilësuar referendumin një shaka të sëmurë, për shkak se po mbahet në një kohë trazirash kaq të mëdha për vendin. Rezultati i referendumit pritet të njoftohet të hënën.

Viktimat e së shtunës
Organizata e të drejtave të njeriut dhe burime të tjera nga opozita në Siri njoftuan për të paktën 94 të vrarë nga sulmet e ushtrisë ditën e shtunë. Dhjetëra të tjerë u plagosën. Pjesa më e madhe e viktimave u shënuan në Homs, ku bombardimet kanë hyrë në javën e katërt.

© Panorama.al

Te lidhura