Zbulohen në 3 muaj 25 raste të reja me SIDA. Të dhënat vijnë nga Instituti i Shëndetit Publik.Mes të prekurve, 8 janë femra, ndërsa pjesa tjetër meshkuj. Thuajse i konfirmuar është edhe një fëmijë 17 muajsh, i cili mendohet që ta ketë marrë virusin nga nëna. Specialistët e Institutit të Shëndetit Publik bëjnë apel për më shumë ndërgjegjësim në kryerjen e analizave dhe mbi të gjitha për marrëdhënie seksuale të mbrojtura. Për të evituar lindjen e fëmijëve të infektuar, nënat shtatzëna duhet patjetër të kryejnë analizat për virusin. “Aktualisht, vetëm 5% e grave shtatzëna kryejnë analizat për virusin HIV gjatë shtatzënisë. Mungesa e tyre ka bërë që të lindin jo pak fëmijë të infektuar gjatë këtyre viteve. Ndonëse kryerja e analizave nuk është e detyrueshme, vetë nënat e reja duhet të ndërgjegjësohen për t’i kryer ato”, shprehen specialistët e ISHP-së. Sipas tyre, mosha e të prekurve varion nga 27-40 vjeç, çka tregon se bëhet fjalë për popullatën aktive. “Edhe pse sot në të gjitha rrethet e vendit ekzistojnë qendra ku ekzaminimet kryhen falas, numri i personave që shkojnë vullnetarisht është tepër i ulët. Mund të llogarisim se rreth 3% e popullsisë mund t’i ketë kryer, ndërkohë që numri i të infektuarve është disa herë më i lartë se shifrat zyrtare”, pohojnë specialistët. Nga të dhënat e ISHP-së, rezulton se rreth 71% e rasteve të reja me SIDA mësojnë rastësisht për sëmundjen. Ata drejtohen në spital për shqetësime të tjera me shëndetin dhe pas analizave rezulton se janë të infektuar me virusin e rrezikshëm. Vetëm 7% e rasteve janë paraqitur vullnetarisht pranë ISHP-së apo spitalit infektiv. Rreth 53% e rasteve janë diagnostikuar në stadin AIDS, fakt ky që thekson edhe një herë për një diagnostikim të vonshëm të kësaj sëmundjeje. Sot funksionojnë 16 Qendra të Këshillimit dhe Testimit Vullnetar Konfidencial (VCT) në mbarë vendin, duke bërë të mundur ofrimin e shërbimeve të testimit dhe këshillimit për HIV, si dhe infeksioneve të tjera që transmetohen me rrugë seksuale, sa më pranë njerëzve, gjë e cila ka bërë të mundur rritjen e numrit të testimeve nga viti në vit. Në Shqipëri predominon rruga seksuale e transmetimit, në total 92%, ku 81 % i përket rrugës heteroseksuale dhe 11 % homo-biseksuale. Rreth 65% e rasteve i përkasin grupmoshës 25-45 vjeç, një grupmoshë seksualisht aktive. Për sa i përket shpërndarjes totale sipas gjinisë, 70% e rasteve janë meshkuj dhe 30% e tyre janë femra. Gjatë dy viteve të fundit, shihet se ka një rritje të përqindjes së femrave të infektuara, e cila shkon në 34%. Numri i të prekurve ka arritur në 431 persona, ndërkohë që realisht është disa herë më i lartë. Homoseksualët, romët dhe përdoruesit e drogës janë grupet më të rrezikuara për t’u infektuar nga virusi HIV. Për shkak të marrëdhënieve seksuale me shumë partnerë dhe transfuzionit të gjakut, në rrezik është e gjithë popullata. Për këtë kategori mjekët bëjnë apel sigurimin e gjakut të sigurt dhe përdorimin e prezervativit gjatë kryerjes së marrëdhënieve seksuale.
431 persona
janë zbuluar si të infektuar me virusin HIV në vendin tonë pas viteve ’90. Por, sipas specialistëve të Institutit të Shëndetit Publik, numri i tyre është disa herë më i lartë
3 per qind
e popullsisë ka kryer analizat për virusin HIV. Ndërkohë, mungon ndërgjegjësimi për kryerjen e analizave, edhe pse ato ofrohen falas edhe në
rrethe
ZIRINA LLAMBRO
© Panorama.al











