Kryedemokrati Sali Berisha, ka komentuar akuzat e qytetarëve për standardet e ndryshme të drejtësisë në Shqipëri dhe Kosovë, duke u ndalur te hetimet e zyrtarëve të lartë të qeverisë Rama, konkretisht hetimet e SPAK ndaj ish-numrit dy të qeverisë, Belinda Balluku.
Gjatë bashkëbisedimit me qytetarët në rrjetet sociale, një qytetar e pyeti Berishën se përse në Kosovë një ish-kryetar i Komunës së Prishtinës u dënua me dy vite burg për 170 mijë euro të padeklaruara, ndërsa në Shqipëri, sipas tij, nuk preken Belinda Balluku me 300 apartamente, apo kryeministri Edi Rama për vilën në Surrel.
Në përgjigje, Berisha u ndal te rasti i hetimit ndaj Belinda Ballukut dhe akuzoi mazhorancën se ka penguar drejtësinë. “Në rastin e Ballukut, siç e patë edhe ju, kur një prokuror vendosi të zbatojë ligjin, u përball me egërsinë e pakufishme të Edi Ramës, Lubi Ballukut dhe bandave të tyre”, deklaroi Berisha.
Sipas kreut të PD-së, prokurori “u përball me votën e 83 mandateve të krimit në Parlament”. Berisha tha më tej se “vjedhjet e Edi Ramës, Lubi Ballukut dhe ministrave të tij, ju garantoj se janë miliarda euro”.
Pyetje: Doktor, në Kosovë, ish-kryetari i Komunës së Prishtinës u dënua me dy vjet burg për 170 mijë euro të padeklaruara, por këtu kemi Belindën me 300 apartamente dhe Ramën me vilë në Surrel. Si nuk preken? Në Kosovë nuk ka as SPAK dhe as BKH.
Berisha: Nuk preken sepse SPAK është në kontroll të plotë të Edi Ramës. Sepse SPAK është një seksion i Partisë Socialiste. Kjo është e vërteta. Dhe vjedhjet e Edi Ramës, Lubi Ballukut dhe ministrave të tij, ju garantoj se janë miliarda euro.
Por në rastin e Ballukut, siç e patë edhe ju, kur një prokuror vendosi të zbatojë ligjin, u përball me egërsinë e pakufishme të Edi Ramës, Lubi Ballukut dhe bandave të tyre. U përball me votën e 83 mandateve të krimit në Parlament. Kështu që, faktikisht, SPAK është sot thjesht një organizatë e PS-së.
© Panorama.al












