Si i gjetëm eshtrat e Markut 35 vite pas pushkatimit

Jan 29, 2012 | 13:15

Marku dhe File Rozhani me fëmijët

File Rrozhani, e shoqja e të pushkatuarit për sabotim në ’75-n

Historia jo e zakonshme e një gruaje, që jetoi me të shoqin pak më shumë se 7 vite. Rriti e vetme 3 fëmijët dhe, bashkë me ta, kaloi pjesën tjetër të jetës në kërkim të eshtrave të të shoqit të pushkatuar. Duhet të kalonin 35 vite derisa ëndrra për të çuar lule në një varr që mbante emër, të merrte formë. Djali i vogël, ai që nuk do kishte asnjë parafytyrim për të atin pa ndihmën e fotografive, ia doli.

Ëndrra janë thurur në çdo kohë. Me cakun e lejueshëm domosdo, por janë thurur. Në mos të të kalonin flutura në stomak tek shëtisje në arë e shihje ‘atë’, mund të ëndërroje, më e pakta, një familje të shëndoshë, të cilën do ta shihje të rritej e shumohej sa të kishe jetë. Ndonëse për t’ia arritur do të ishin familjarët a farefisi që do të vendosnin se kush do të ishte fatlumi, prapë kundërshtitë ishin të pakta. Kryesisht në zonat veriore të vendit, ku duam apo s’duam, mentaliteti ka qenë e vazhdon të jetë më i mbyllur. File Rrozhani, një e re 25-vjeçare nga një fshat i qytetit të Shkodrës, e pati jetën fare të ngjashme me pjesën më të madhe të moshatareve të saj. Familja vendosi për të një burrë, pakt me të cilin ajo u pajtua, e kështu nisi jetesa e një familjeje të re. Nëse për pjesën dërrmuese të vendësve një jetesë konstante, pa ulje-ngritje qoftë financiare apo pa pretendime mirëqenieje, ishte normale, për të dhe të shoqin, Mark Rrozhanin, nuk ishte kështu. Synimet ishin për një jetë më të mirë, ku fëmijët të rriteshin ndryshe nga prindërit e tyre. Por qëllimet e mira nuk mund të shkojnë përherë vaj, siç ata i patën ëndërruar. Për t’i shpëtuar jetesës së vështirë, shtylla e familjes zgjodhi të largohej nga Puka, e të transferohej në Fushë-Arrëz, ku punoi së pari si kuzhinier e mandej magazinier. Filja iu përkushtua rrobaqepësisë, e kështu familja arriti atë që kish synuar. Një jetesë të nivelit mesatar, që jo shumëkush kishte luksin për ta pasur në vitet ’70. Ama, as për ta nuk do zgjaste. Do përkeqësohej, aq sa ato ngjarje nuk do të shlyheshin kurrë më nga kujtesa e jetesës së tyre të mëpasshme. Prangat e kohës e mbërthyen edhe Mark Rrozhanin,

Mark Rozhani me të ëmën

për të mos e lëshuar më. Për më të voglin e fëmijëve, atij nuk do t’i mbetej as silueta e një hijeje. Për më të madhen, vajzën, vetëm një zë i sfumuar e tipare të paqarta. As një copëz letër për t’i njohur kaligrafinë. Veç disa fotografi të vjetra dhe kujtime të cunguara, rrëfyer nga e ëma. Nuk ishin bërë as 8 vite martese, kur Mark Rrozhani u pushkatua. La tre fëmijë jetimë, dhe humbi pa lënë asnjë gjurmë. Duhet të kalonin 35 vite, që fëmijët, me ngulmin dhe vendosmërinë, të gjenin eshtrat e të atit, dhe të kishin, së paku, një varr, ku të zbraznin rëndesën e mallit e dashurisë së paprekur që kishin mbajtur ndër vite. Bashkë me Filen, në këtë intervistë ka qenë edhe i biri, më i vogli, Aleksandër Rrozhani, dhe kjo prezencë nuk ka qenë rastësore. Edhe pse pa e njohur të atin, jeta e tij është udhëhequr vetëm nga një qëllim, të gjejë vendin ku është pushkatuar i ati. Për këtë, pas viteve ’90, ai studioi në Akademinë e Policisë në Tiranë dhe u specializua më pas si ekspert krimesh në laboratorin kriminalistik. Domosdo që ky investim shërbeu, madje jo vetëm për të. Falë investigimit të tij u gjendën edhe eshtrat e dy trupave të tjerë, fundosur në të njëjtën luginë me atë të Mark Rrozhanit. Por si ishte e gjithë historia? Nga mori shkas ky makabritet që la gjurmë të pashlyeshme në historinë e gjithë familjes? Për këtë, jo pa mund, flasin nënë e bir.
Shoh që keni pa fund letra e dokumente, tërheqin më shumë ato të shkruarat me dorë. Ç’janë?
Janë letrat që im shoq pat dërguar në kohën kur ishte në burg, ende pa u marrë vendimi për pushkatimin e tij. Nuk na kishte rënë kurrë në dorë asnjëra prej tyre. Letrat janë të adresuara në emra të ndryshëm, që nga shokët e tij, ndonjë mjek, për të ëmën, mua e fëmijët. I kemi parë vetëm tani, falë kërkimeve të Sandrit. Fëmijët e kanë parë për herë të parë shkrimin e të atit, firmën e tij. Nga ana tjetër, as ato që nisnim ne nuk shkonin.
Përpara se të mbërrijmë te rrokopuja që mori fati i familjes suaj, na tregoni pak si nisi jetesa me Markun.
Ashtu siç niste thuajse jetesa e çdo familjeje asokohe, në anët tona. Familjarët a farefisi piketonin një vajzë dhe bëheshin ritet e kohës pa shumë stërhollime.
Ju keni jetuar shumë pak kohë me bashkëshortin tuaj, si i kujtoni ato vite?

Me të shoqen, Filen

Kemi pasur një jetesë normale, të një niveli mesatar. Marku përpiqej të na mundësonte kushte të mira financiare, aq sa mund të të lejonte koha. Pra, të dy ne ishim në punë relativisht të mira. Ai si kuzhinier, e mandej si magazinier, ndërsa unë si rrobaqepëse. Patëm tre fëmijë bashkë dhe jetonim mirë, derisa morëm grushtin përfundimtar.
Çfarë ndodhi? Si është historia?
Ka qenë prill i vitit 1975, kur Marku është arrestuar me akuzën për “sabotim në ekonomi dhe agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor”.
Pse, ç’kishte ngjarë?
Atë kohë, në Fushë-Arrëz ishin djegur disa magazina, një pjesë e vogël e të cilave, magazina ambalazhesh, ishin në kujdesin e Markut. U arrestuan 15 veta njëri pas tjetrit, deri sa, në fund, erdhi radha e Markut.
Pse nuk ishte arrestimi i tij në një kohë me të tjerët?
Marku rridhte nga një familje kulake, gjyshit të tij në ’46-n i konfiskuan të gjithë pasurinë e, më pas, edhe i ati i Markut dënohet për motive politike. Të gjitha këto nuk diheshin kur ne ishim transferuar në Fushë-Arrëz, por sigurisht që u kërkua gjithçka rreth origjinës së tij pas zbulimit të këtyre fakteve dhe u bë arrestimi.
Në familje, në prezencë të fëmijëve?
Jo, nuk ishte në shtëpi. Kishte shkuar të takonte të motrën në Vlorë, e meqë nuk mund të kthehej brenda një nate, qëndroi në Tiranë, në Hotel Dajti. Nuk pati kohë të hynte brenda, sepse njerëzit që do ta merrnin me vete, e prisnin te dera.
Së pari ishte urdhër arresti, mandej…
Po, daja i tim shoqi erdhi na lajmëroi për çka kishte ndodhur. U bë kërkesë për falje, që rezultoi e dështuar e përpjekje të tjera si këto.
Për Mark Rrozhanin, në përfundim të hetimeve, u mor vendimi i pushkatimit, ndryshe nga ç’ndodhi me pjesën tjetër të grupit. Pse?
Sepse nga mllefi e padrejtësia, Marku nuk kishte arritur të përmbahej e kishte përdorur disa shprehje që nuk ishin fort të përtypshme nga ‘gjahtarët’ e kohës.
Të tipit?
“Ky pushtet nuk e ka të gjatë jetën më tepër se 2-3 vjet”, “Kjo qeveri i ka ditët e numëruara”, “këta janë kriminelë”, “Enver Hoxha është gjallë, por nuk merr vesh gjë se ka cofë, në fshatra popullsia vuan dhe bën jetë të keqe”, “do vijë koha kur ne do të marrim pronat tona e kjo qeveri do të përmbyset” e të tjera si këto.
Qoftë edhe njëra prej tyre të përmendej mjaftonte për vendime ekstreme…
Në fakt, ishin pikërisht shprehjet e mësipërme që u pohuan në seancën gjyqësore përfundimtare, ku Marku u dënua me vdekje me pushkatim.
Ju si e morët vesh këtë vendim?
Dy ditë përpara pushkatimit, sipas një llogarie që bëmë më vonë, sepse ne nuk e morëm vesh kohën e saktë të ekzekutimit të tij, unë shkova si përherë për t’i çuar tesha dhe ndonjë ushqim. Më thanë se nuk ishte e mundur ta takoja atë ditë, duhet të kthehesha një ditë tjetër. Prita pak mos diçka ndryshonte, pastaj ika. Të nesërmen në darkë vjen sërish daja i tim shoqi për të na dhënë lajmin e tmerrshëm. Bashkë me lajmin, kishte marrë edhe disa sende të tij, si orën e unazën.
Ndonjë detaj më shumë? Si, ku?
Asgjë. Absolutisht asnjë e dhënë. As se ç’u bë me trupin e tij, as ku e kishin pushkatuar, asgjë.
Me ju ç’u bë më pas?
Shkova bashkë me fëmijët të jetoja te familja e vëllait të tim shoqi, ku ishin edhe prindërit e tij. Natyrisht që rrobaqepësia nuk m’u lejua më dhe nisa të punoj në kooperativë bujqësore. Siç merret me mend, fëmijët kishin pengesa të vazhdueshme në shkollë, qoftë edhe atë të nivelit 8- vjeçar. Thuajse gjithë familja pësoi një farë izolimi, as në raste vdekjesh nuk na lejohej të bënim ceremoni të mëdha që binin në sy. Në një rast vdekjeje, në varrim, nuk kanë qenë të pranishëm më shumë se 10 veta.

Aleksandër Rrozhani: U bëra ekspert krimesh për të gjetur eshtrat e tim eti.
Është e qartë tashmë, që përpara viteve ’90 nuk kishte asnjë informacion rreth tij. Sandër, si u bë e mundur më vonë?
Përpjekjet e para nisën në Pukë, u interesuam atje te banorët e zonës, për të gjetur së pari njerëzit që mund të kishin informacion rreth çështjes. Shfrytëzuam të gjitha dokumentet e mundshme, të gjithë njerëzit, por asgjë nuk u bë e mundur.
Çfarë ndryshoi më vonë që ia arritët qëllimit?
U përpoqëm së pari me gërmime. Të parat ishin në vitin 1995 bashkë me familjen e Mëhill Franit, të pushkatuarin tjetër bashkë me tim atë. Pas 4 ditë gërmimesh, asnjë rezultat. Sipas disa orientimeve në dokumente, thuhej se mund të ishin në Livadhin e Hamzit, por nuk arritëm gjë. Vijuam sërish në vitin ’98, por asgjë.
Kur tentuat përsëri?
Në vitin 2001 u përpoqëm të gjenim një skicë por pa sukses, megjithëse edhe atëherë gërmuam 2 ditë. Vit pas viti, dilte ndonjë i njohur i ri apo ndonjë e dhënë tjetër që na bënte sërish të shpresonim. Në 2005-n u përpoqëm sërish, por më kot. Kërkonim personat që ishin prezent në momentin e ekzekutimit, por nuk mundëm t’i gjejmë. Mjeku ligjor që i kishte matur pulsin për të parë në kishin vdekur, nuk kujtonte gjë, sepse ishte marrë në mesnatë e ishte çuar në vendngjarje. Së fundi, arritëm të gjejmë dy shoferët që i kishin transportuar, si dhe një person të tretë që kishte shkuar për të riverifikuar kufomat. Ishte hapur një lajm sikur ato kishin lëvizur nga kafshët e egra.
Shoferët ju çuan në rrugën e drejtë?
Për fatin tonë të keq, kishte ngjashmëri të pabesueshme mes dy fushave që kishim në hartën e orientimit, asaj të Livadhit të Hamzës dhe Livadhit të Kabashit. Te të dyja kishte një rrap, një rrjedhë uji, një stan. Gjatësia e ndalesës së makinës nga të dyja livadhet ishte e barabartë. S’ngelej vetëm të kërkonim te të dyja. Bëmë kërkime me mjete motorike, si dhe me lopata. Kaluan ditë derisa thuajse po dorëzoheshim. Sikur nuk ishte e thënë t’i gjenim.
Derisa…?
Derisa, në kohën e fundit, kur një pjesë prej nesh ishte larguar madje nga vendi, njëra nga ganxhat e ekskavatorit nxori një rrobë. Në atë çast i ndërpremë dhe nisa vetë, bashkë me të tjerët, të gërmoja me lopatë. Dolën eshtrat e këmbës e gradualisht të gjitha. Madje të dy palët. Kishte qenë rasti i parë që bëheshin 2 ekzekutime në një natë. U bënë më pas të gjitha veprimet procedurale, ekzaminimet. I kam çuar vetë të paketuara në makinë drejt Mjekësisë Ligjore. Pas punës së grupit të ekspertëve, u bë i mundur identifikimi përfundimtar i tyre.
Ju as që e kishit njohur babain, asnjë kujtim nuk kishit prej tij, asnjë parafytyrim, e megjithatë e gjithë jeta juaj kishte synuar arritjen e këtij qëllimi…
E kisha ëndërruar e parafytyruar gjatë këtë çast. Më dukej një mision që duhej përmbushur medoemos. Ka qenë kjo arsyeja që më bëri t’i drejtohem Shkollës së Policisë, edhe pse një e kisha kryer tashmë për mësuesi në Shkodër, nuk isha në paqe me veten.
Të qenët ekspert krimesh, ju ndihmoi në këtë drejtim?
Kam bindjen që falë shkollimit, punës dhe njohurive që mora në këtë fushë, arritëm të gjithë, të tria familjet, në atë që donim. Them të tria, sepse ishte edhe një tjetër i pushkatuar fare afër dy trupave të parë. Vumë në dijeni familjen tjetër dhe arritën ta gjejnë edhe ata. Përveçse ishte një mision që nuk do isha kurrë i qetë po të mos e kisha përmbushur, ishte një lloj gëzimi edhe për familjet e tjera. Të jesh i dobishëm dhe të bësh diçka të mirë, nuk është pak, më dha kënaqësi të dyfishtë.

Sot, 35 vite e pak muaj pas pushkatimit të të atit, Aleksandër Rrozhani, e ëma e tij File, por edhe e gjithë familja, kanë një vend ku të shkojnë t’i ‘çojnë’ një fjalë, gëzimin për lindjen e një nipi, shumimin e familjes, jetesën e mirë, e gjithë çka ai nuk mundi të shohë kurrë.

ANI JAUPAj

© Panorama.al

Te lidhura