
Ndërsa miqtë kishin filluar qysh tash t’i festonin 80-vjetorin, edhe pse shumë pak ditë kanë kaluar nga ditëlindja e 79-të, u nda nga jeta një nga aktorët më popullorë të humorit, Skënder Sallaku.
Gjithnjë energjik, me një optimizëm për t’u pasur zili, Sallaku, që ka bërë të qeshin miliona shqiptarë, u mposht në betejën me vdekjen. Pas dy operacioneve të vështira, në orën 03:20, duke gdhirë dita e djeshme, ai u nda nga jeta në Qendrën Spitalore Universitare. Ai ishte shtruar aty prej 10 ditësh, ndërsa vuante nga një sëmundje e pashërueshme. Të goditur nga humbje të njëpasnjëshme të disa artistëve të mëdhenj (Laver Bariu, Ibrahim Madhi, Vaçe Zela), çdo shqiptar u ndje dje me një buzëqeshje më pak. Skënder sallaku është pa dyshim një nga humoristët më popullorë shqiptarë, i shquar për humorin spontan e goditës, me të cilin kishte bërë të qeshnin edhe ish-bllokmenët, që jo rrallë e ngacmonin që t’u tregonte barsoleta nga ato “të xhepit”. Sallaku shquhej edhe për plastikën e tij të rrallë dhe krijimin e një galerie të pasur karakteresh. Aktori Skënder Sallaku do të përcillet sot për në banesën e fundit. Ceremonia e lamtumirës do të zhvillohet nga ora 11:00-13:00 në Teatrin Kombëtar.
Aktori
Skënder Sallaku lindi në Tiranë më 25 janar 1935. E ka nisur karrierën e tij si artist cirku, por ndërkohë ishte edhe një nga emrat e njohur në sportin e mundjes. Fillimet në artin e cirkut janë në lëvizjen amatore, pranë Pallatit të Kulturës “Ali Kelmendi”. Në vitet 1954-1955 aktivizohet me grupin e Estradës së Kufirit si aktor. Në vitet 1959–1960, shpallet kampion kombëtar në mundje. Në shtator të vitit 1957, hyn si aktor në Estradën e Shtetit, ku aktivizohet deri në fund të vitit 1990, kohë kur del në pension. Gjatë karrierës së tij, Skënderi ka meritën e të qenët klouni i parë, i Cirkut shqiptar, ku është shfaqur në tablo të ndryshme akrobatike, në numra zhonglimi, numra me kafshë, kombinime biçikletash, tablotë me pedana etj. Ka interpretuar si pantomimist “Karrigia”, “I vdekuri”, “Busti”, Boksi”, “Kuzhinieri” e mjaft të tjera. Ka kryer një kualifikim njëvjeçar në Kinë, pranë cirkut të Pekinit. Në grupin akrobatik punoi deri në vitin 1972, kur Cirku i Tiranës u shkëput nga Estrada e Shtetit.
Rolet
Si aktor shkëlqeu në disa role, “Oreksi i madh”, “Revolja e humbur”, “Gjuetia e fundit”, “Cirku në fshat”, “Kur hiqen maskat”, “Estrada në ekran”. Është vlerësuar me tituj “Artist i Merituar”, “Artist i Popullit” dhe “Mirënjohja e Qytetit të Tiranës”.
Edi Rama
Pas lajmit për humbjen e aktorit Skënder Sallaku, Kryeministri Edi Rama ka shprehur ngushëllimet e tij: Lajm i trishtueshëm vdekja e Skënder Sallakut, humoristit popullor që në kohë të zymta bëri të qeshin pleq e fëmijë! Ngushëllime familjes.
Lulzim Basha
Familjarët e aktorit dhe dashamirësit e artit të Skënder Sallakut morën ngushëllime dje edhe nga kryebashkiaku i Tiranës, dhe kreu i PD-së, Lulzim Basha: “Ndarja nga jeta e legjendës së humorit tiranas, Skënder Sallaku, më trishtoi pa mase. Pak javë më parë u takuam në Bashki. Përcillte si gjithmonë po atë humor dhe optimizëm që e shoqëronte emrin dhe praninë e tij prej dekadash. Skënder Sallaku ishte një nga artistët më të dashur për çdo qytetar të këtij vendi, pavarësisht moshës. Ngushëllime familjes, miqve dhe artdashësve të tij të shumtë.
Ministria e Kulturës
“Lamtumirë Skënder Sallaku, artisti që na qeshi shpirtin në ditët gri, në kohën kur e qeshura ishte uniformë dhe e komanduar”. Ky ishte mesazhi ngushëllues nga Ministria e Kulturës, për humbjen e aktorit të humorit, Skënder Sallaku.
Dritëro Agolli: Sallaku nuk u bë kloun i oborrit
Ai që ka prodhuar të qeshurën e thjeshtë, shpesh ka përfunduar në oborret e sundimtarëve si një kloun për të zbavitur oborrtarët. Skënder Sallaku, me personalitetin e tij artistik, nuk mund të arrinte këtu. I shquari Skënder vërtet i bënte për të qeshur njerëzit e pushtetit në ndonjë mbrëmje feste, por po këta që qeshnin aty për aty, kur ktheheshin në shtëpi, ngrysnin vetullat: “More, ai Skënderi me ç’kuptim i tha ato fjalë?”. Me këtë dua të them se Skënder Sallaku, duke mos e thjeshtëzuar humorin dhe duke i ruajtur anën sociale dhe politike të tij, e mbrojti veten nga klounizmi oborrtar dhe u bë figurë tepër e përhapur popullore. Njerëzit në atë kohë, kur ai ishte në kulmin e lulëzimit, kur dëgjonin ndonjë thënie, flisnin “ja çfarë i tha filan ministri Skënder Sallaku”. Kjo thënie mund të mos ishte e Skënder Sallakut, por njerëzit ia atribuonin atij, pasi ai kishte marrë famën e këtyre thënieve. Një dukuri e tillë ndodh edhe me qytetet. Sa barsoleta kemi dëgjuar që bartin autorësinë e Shkodrës! “Këtë e kanë thënë shkodranët”, pëshpërisin njerëzit. Ndërsa kjo mund të jetë thënë në Tiranë, në Pragë ose në Moskë…











