Gazetari Renaldo Salianji deklaroi se qeveria e Edi Ramës bëri sot një tjetër turp, duke thënë se ka mbyllur kufirin me Kosovën në tentativë për të mos lejuar shqiptarët nga atje për t’iu bashkuar revoltës masive qytetare.
Gjatë fjalës para mijëra protestuesve, ai deklaroi se shqiptarët e Kosovës nuk pyesin për trarët e Edi Ramës për të qenë pranë vëllezërve e motrave në Shqipëri. Gazetari ironizoi gjithashtu qeverinë teksa tha se nuk ka zjarrfikëse për të shuar zjarret, por makina uji për të shpërndarë protestuesit paqësorë.
“Pashë një gjysh, baba dhe nip që po vinin në protestë. E kuptoni se sa e trishtë që tre breza të kenë të njëjtën dëshirë, sa e trishtë duhet të jetë për një politikan që ta urrejnë që nga fëmijët e deri te pensionistët. Sot shteti shqiptar ka bërë një tjetër turp.
Në panik e sipër, ka mbyllur kufirin me Kosovën me shpresë që shqiptarët e Kosovës të mos vinin këtu. Shqiptarët nuk kanë pyetur për kufirin e Jugosllavisë dhe jo për trarët e Edi Ramës për të qenë pranë njëri tjetrit. Ata e gjetën rrugën dhe janë këtu sot në shesh me ne.
Ky shtet nuk ka zjarrfikëse për të fikur zjarrin gjatë verës, por ka makina uji për të shpërndarë protestuesit paqësorë. Sikur ata që janë blerë ata makina që hedhin ujë mbi protestuesit të ishin përdorur për të blerë zjarrfikëse sot do të kishim më shumë pyje dhe më pak politikanë të korruptuar.”, tha ai.
© Panorama.al











