NGA JAKUP AZEMI
Protestat në Shqipëri, të cilat nisën si reagim ndaj projekteve të ndërtimit të konsideruara nga protestuesit si jotransparente në Zvërnec, në Ishullin e Sazanit dhe në zona të tjera të vendit, kanë tejkaluar prej kohësh kufijtë e një kundërshtimi lokal. Ato janë shndërruar në një lëvizje qytetare që ka hapur një debat shumë më të gjerë mbi mënyrën e qeverisjes, funksionimin e institucioneve dhe vetë kulturën politike të shtetit shqiptar. Me zgjerimin e tyre, protestat kanë fituar mbështetjen e shtresave të ndryshme të shoqërisë. Nga një reagim spontan, ato janë shndërruar në një lëvizje me objektiva të qarta politike, duke sfiduar jo vetëm vendime të caktuara të qeverisë, por edhe modelin e ndërtuar të ushtrimit të pushtetit gjatë dekadave të fundit. Përditë e më shumë, ato po profilizohen si një lëvizje politike që synon të sjellë ndryshime rrënjësore në Shqipëri. Në qendër të kritikave është vendosur qeveria e kryeministrit Edi Rama. Protestuesit e akuzojnë atë për politika që, sipas tyre, bien ndesh me interesin kombëtar, veçanërisht në administrimin e pronave publike dhe dhënien e koncesioneve për projekte strategjike. Përditë e më shumë po dalin në dritë projekte të tilla anembanë vendit, të cilat perceptohen nga shtresa të gjera të shoqërisë si “shitje e atdheut”.
Përballë zgjerimit të protestave po zhvillohet edhe një përpjekje nga agjentë të ndryshëm shtetërorë dhe mediatikë për delegjitimimin e tyre. Fillimisht u përhapën pretendime se protestat ishin të nxitura nga interesa dhe shërbime të huaja, me synimin për të penguar integrimin evropian të Shqipërisë apo për arsye të tjera. Por këto pretendime janë hedhur poshtë me vendosmëri nga protestuesit. Sa i përket pretendimit se ato pengojnë integrimin evropian, në fakt duhet të ndodhë e kundërta: protestat përfaqësojnë një shprehje normale të një shoqërie demokratike që kërkon shtet të së drejtës, institucione funksionale dhe luftë kundër korrupsionit – vlera që përbëjnë edhe themelet e Bashkimit Evropian. Prandaj, kjo kulturë protestash civile, normalisht, duhet ta ndihmojë procesin e integrimit. Megjithatë, kritikat nuk kufizohen vetëm te qeveria aktuale. Edhe opozita dhe lideri i saj, Sali Berisha, shihen nga protestuesit si pjesë e të njëjtit sistem politik që ka dominuar Shqipërinë për dekada. Në perceptimin e tyre, qeveria dhe opozita kanë bashkëjetuar brenda një rendi politik, juridik dhe ekonomik që nuk ka lejuar qarkullimin real të pushtetit dhe zhvillimin e një demokracie më përfaqësuese. Në fakt, ato e kanë ndërtuar së bashku këtë sistem.
Kjo është arsyeja pse protestat nuk përfaqësojnë vetëm pakënaqësi politike. Ato dëshmojnë lindjen e një vetëdijeje të re qytetare. Një brez i ri, i çliruar nga ngarkesat ideologjike të së kaluarës, duket se po kërkon një Shqipëri më transparente, më demokratike dhe më të përgjegjshme ndaj interesit kombëtar. “Nuk vuajmë më për një kafshatë bukë, prandaj nuk mund të na blini”, iu drejtua kryeministrit Rama një protestuese e re nga tribuna e protestës. Nëse kjo prirje konsolidohet, atëherë mund të flitet për një ndryshim cilësor në kulturën politike shqiptare. Këtu lind edhe pyetja thelbësore: nëse protestuesit arrijnë ta ndryshojnë sistemin aktual politik, a do të jenë ata në gjendje të ndërtojnë një kulturë të re shtetformuese? Një kulturë ku pushteti të mos jetë qëllim në vetvete, por instrument në shërbim të interesit publik dhe të interesit kombëtar. Në këtë debat hyn natyrshëm edhe raporti i Shqipërisë me Kosovën dhe me pjesët e tjera të banuara me shqiptarë në shtetet fqinje.
Një pjesë e opinionit publik në Kosovë e ka parë me shqetësim politikën e ndjekur nga qeveritë e së majtës shqiptare (kryesisht), qysh nga periudha e Enver Hoxhës, te Fatos Nano e deri te Edi Rama. Sipas këtij këndvështrimi, këto politika nuk kanë qenë gjithmonë në përputhje me interesat e Kosovës, gjë që ka ushqyer perceptimin se orientimi i politikës së jashtme shqiptare është ndikuar edhe nga faktorë të tjerë, përtej interesit kombëtar. Pikërisht për këtë arsye, zhvillimet politike në Shqipëri ndiqen me vëmendje të madhe edhe në Kosovë. Ato nuk lidhen vetëm me fatin e qeverive shqiptare, por edhe me mënyrën se si do të zhvillohen marrëdhëniet ndërshqiptare dhe me rolin që Tirana do të luajë në të ardhmen. Por ndoshta rëndësia më e madhe e këtyre protestave nuk qëndron vetëm te kërkesat e tyre politike. Ajo që mund t’u japë atyre një peshë historike është mundësia për të shënuar një kthesë në kulturën politike shqiptare. Gjatë viteve të udhëheqjes së Ibrahim Rugovës, Kosova ndërtoi një traditë të rezistencës politike paqësore, duke e bërë dialogun, qytetarinë dhe mosdhunën pjesë të identitetit të saj politik. Kjo nuk ishte thjesht një strategji politike, por një transformim i madh kulturor. Mbase sot edhe Shqipëria ndodhet përballë një mundësie të ngjashme: mundësisë për të realizuar atë që në teorinë politike do ta quanim një “kthesë politike” – kalimin nga kultura e konfliktit dhe e dominimit të pushtetit me dhunë, apo nga përpjekjet për ta marrë atë me dhunë, drejt kulturës së protestës qytetare, dialogut demokratik dhe ndryshimit përmes mjeteve paqësore.
Një transformim i tillë do të kishte rëndësi jo vetëm për demokracinë shqiptare, por edhe për vetë konceptin e shtetit kombëtar shqiptar në shekullin XXI. Kjo nuk do të realizohet lehtë e as shpejt, por, siç do të thoshte Ibrahim Rugova: “Beteja paqësore mund të zgjasë, por është metoda më e sigurt për arritjen e qëllimit politik.” Mbi këtë premisë duhet shtuar se studimet shkencore tregojnë se proceset demokratike dhe pajtimi politik realizohen shumë më lehtë në shoqëritë ku ekziston një lëvizje e fuqishme civile, si kjo që po zhvillohet sot në Shqipëri. Prandaj, uroj që ky diskurs të vazhdoj me vendosmëri. Në këtë kuptim, pyetja “A po shqiptarizohet Shqipëria?” merr një domethënie tjetër. Shqiptarizimi nuk nënkupton vetëm afirmimin e identitetit kombëtar. Ai nënkupton ndërtimin e një kulture politike që e vendos interesin kombëtar mbi interesat e ngushta partiake, që e zëvendëson servilizmin me dinjitetin qytetar dhe konfliktin me demokracinë. Nëse protestat e sotme arrijnë ta nxisin këtë transformim, atëherë rëndësia e tyre do të shkojë shumë përtej ciklit të zakonshëm politik. Ato mund të shënojnë fillimin e një epoke të re në kulturën politike shqiptare, nga e cila do të përfitojnë të gjithë shqiptarët. Dr Jakup Azemi është akadedmik dhe autor i librit Krijimi i Kosovës Moderne: Politika e Jo-dhunës e Ibrahim Rugovës, Bloomsbury 2025, Londër; Neë York.
/Gazeta Panorama
© Panorama.al












