Kjo është letra nr.3 dhe e fundit meqë ja u premtova. Ju këto ditë po shpërndani njerëz në popull që të kuptojnë hallet, problemet, ankesat pastaj t’ua përcjellin juve. Kjo metodë është shumë e vakët sepse problemi qëndron te përfaqësimi, jo te shqetësimi. Shqetësime, halle ka përditë, por s’ke kujt ia qan dhe për këtë e ka fajin sistemi i organizimit partiak të shoqërisë. Kemi një parlament partiak që në fillim qan hallet e partisë pastaj ato të oligarkëve që janë të lidhur me partinë, pastaj të anëtarëve të partisë dhe në fund po ngeli kohë dhe energji edhe për popullin e thjeshtë. Nejse po filloj nga ankesat e popullit.
1/ Aeroporti i Rinasit është një makth i vërtetë për të arritur në Rinas, për të dalë nga Rinasi pastaj për t’u kthyer në Tiranë. Njerëzit zbresin nga taksitë apo makinat dhe bëjnë 2km në këmbë që të kapin avionin. Ai rreth-rrotullimi vogël është gangrenë dhe bllokon të gjithë trafikun. Ai treni nuk e di ça fati pati dhe jemi i vetmi kryeqytet në Evropë që s’ka tren nga aeroporti deri në Tiranë. Vetëm këtu kam parë që nuk ka rrugë këmbësorësh për t’u futur ose për të dalë nga aeroporti. Nuk ka trotuare i kanë zënë me parkime duan vetëm të bëjnë lek dhe populli kalon te rruga e makinës duke tërhequr valixhet dhe rrezikuar jetën. Kur çon dikë me makinë merr një biletë dhe duhet të hysh dhe të dalësh për 4 minuta kur nëpër botë është minimumi 10 min. Vetëm pit stopi i ‘Formula 1’ është më i shpejtë. Edhe kjo bëhet vetëm për të zhvatur popullin apo taksitë. Në çdo aeroport evropian ka makineri ose (distributor) që shtyp butonin dhe merr ujin e filtruar falas me gas pa gas dhe të ftohtë pa pagesë. Është detyrim ligjor. Pirja e ujit është mbijetesë nuk është luks. Tek ne jo vetëm që nuk ka një të tillë apo disa të tillë, por edhe uji me shishe është monopol ka vetëm një lloj uji atë të investitorit strategjik që ka aeroportin. Ka bërë gjë tender ai për këtë apo është vetë Ali dhe vetë Kadi. Ndërsa në të gjitha aeroportet evropiane gjen çdo lloj uji që do ti. Pra edhe këtu investitori strategjik zhvat popullin. Kur futesh në aeroport nuk ka asnjë hapësirë publike ku të ulesh por vetëm lokale. Edhe kjo është një metodë për të zhvatur popullin me detyrim se diku do ulet ai dhe të fitojë investitori strategjik. Futesh në banjë dhe nuk ka një gozhdë në mur ose mbrapa derës për të varur xhaketën apo çantën e dorës. Këta investitorët strategjikë duan të nxjerrin dhjam nga pleshti përveç mjaltit nga bleta. Meqë ky aeroport është edhe pikë tranziti do ishte mirë të kishte kapsula gjumi disaorëshe për atë që s’do të largohet nga aeroporti siç ka në aeroportet e mëdha në Evropë. Paguan 3 ose 5 euro dhe fle një orë gjumë. Apo edhe kjo nuk bëhet sepse duhet të mbushen hotelet që janë pëballë aeroportit. Pastaj kalon doganën dhe policinë del nga ana tjetër ku të gjithë patjetër duhet të kalojnë forcërisht në të gjitha dyqanet para se të arrijnë tek porta nisjes, pra do ecin rreth 150 metra rrugë, duke menduar që ka familje dhe pleq apo njerëz të sëmurë. Në të gjitha aeroportet e Evropës direkt pas policisë ka ashensor dhe shkallë për ata që nuk duan të bëjnë rrugën e gjatë. Edhe tek ne ka por i kemi mbyllur që të bëjnë xhiro dyqanet e oligarkëve dhe të dobësohen pak njerëzit. Pastaj ndërkohë që pret thua po shkoj ta ndez një cigare. Shkon te dhoma e duhanit ulesh e ndez dhe të vjen kamarieri… ça do marrësh asgjë i thash do pi duhan, nuk pihet këtu më tha po ku pihet i thashë atje në fund në këmbë. Pra, ai investitori strategjik e kishte bërë të tijën, të gjithë hapësirën e duhanpirësve dhe kishte lënë 1m të gjerë dhe 3 metra të gjatë një hapësirë për të gjithë ata që do pinin duhan. Çdo aeroport në Evropë ka një hapësirë të tillë me tavolina me ajrim me tavlla ku pihet vetëm duhan dhe nuk ka edhe bar kafe. Ne edhe ato 10m katrorë na i merr oligarku. Çohu më tha ik e pije atje në këmbë. Pastaj bëra llafe ngrita zërin i kërkova lejen e shfrytëzimit të ambientit. Në fund mora kafen se do thërras policin tha. Aty u kujtova që oligarkët kanë edhe policinë me vete. Dhe e fundit, e kam me emrin e aeroportit ku e ka T ajo që duhet të ishte TIA është një L mbrapsht, kush e ka shpikur këtë germë pse shtrembëroni alfabetin Shqip.
2/Kur hyn dhe del nga autostrada apo superstrada tabelat janë shumë të vogla dhe janë vetëm tek vendi ku do kthehesh pra shumë vonë për të kryer manovra. Kur vjen nga Unaza e Veriut për në Rinas, ura ka një ulje gati 10 cm me rrugën. Do vdesë ndonjë aty. Duhet vetëm 1 orë punë dhe pak zift.
3/ Më në fund arrij në shpi aty ke Brryli anës Lanës më fillon kolla teshtimat dhe fërkohen sytë. E di pse. Nga rrapi, rrapi mo rrapi që keni mbjellë ju dhe Erioni. Mbjellja rrapeve ka qënë një nga investimet më të gabuara për Tiranën bashke me mbjelljen e palmave në Autostradë. Rrapi o kryeministër lind dhe rritet në përrua për të mëzuar bagëtitë. Rrapi është alergjik për njerëz it, prish trotuaret me rrënjët e tij, krijon çdo vit miliona gjethe që duhen pastruar, duhet mirëmbajtur etj., etj..
4/Ndërtime anës Unazës së Re
Keni dhënë leje për ndërtime direkt pas murit të unazës së re dmth., pallate, pastaj keni çarë murin e rrugës së unazës së re që këto pallate të kenë hyrje dalje direkt në unazë. Kjo është në kundërshtim me të gjitha rregullat e kodit rrugor, bllokon trafikun dhe krijon mundësi të larta për aksidente.
5/Autostrada e kombit
Në kundërshtim me të gjitha rregullat dhe ligjet e shtetit shqiptar në autostradën e kombit pagesa kërkohet zyrtarisht në euro dhe nëse s’ke euro, paguan me kursin që do oligarku jo me kursin e momentit. Pra ose paguan 5 euro ose 6500 lekë të vjetra ndërsa me kursin sot do ishin 4500 lekë të vjetra.
6/ Orari i parkimeve.
Në gjithë Evropën orari i parkimeve publike fillon në orën 09 deri 18 ose 19 ndërsa tek ne fillon në orën 07 deri 20 . Kjo bëhet vetëm për të zhvatur popullin sepse dalin policët bashkiakë në 07.30 dhe i mbushin të gjithë me gjoba. Nuk ka tabela se ku fillon dhe ku mbaron parkimi me pagesë. Nuk ka aparaturë që të presësh biletën e parkimit si në Evropë, por je i detyruar të mbushësh telefonin me lekë që të dërgosh një SMS.
7/ Kompanitë telefonike
Nëse nuk e mbush telefonin me lekë ose nëse nuk ble një ofertë të shkëpusin sinjalin. Kur do të paguash të thonë që minimumi i pagesës është 300 ose 400 lekë të reja më poshtë nuk ka. Dhe kjo pagesë vlen vetëm 1 muaj dmth., fole s’fole në fund të muajit s’ka lekë telefoni i kanë marrë ata. Dhe muaji për ata s’ka 30 apo 31 ditë, por ka 28 ditë. Kjo është vjedhja më ashiqare që u bëjnë njerëzve nëpërmjet ligjeve që keni bërë ju me kompanitë në dëm të popullit. Unë kam një nr. Italian, prej 13 vjetësh nuk i kam hedhur asnjë centezëm euro dhe nuk ma mbyllin dot sepse parlamenti italian i tha që në momentin kur qytetari ta blen nr. është pronë e tij dhe nuk ka asnjë detyrim se kur duhet ta mbushë dhe sa duhet ta mbushë.
8/ Ndërtimet nuk kanë klasë cilësie
Në Evropë ndërtimet kanë klasë cilësie nga klasi A deri tek D. Ku klasa A është më e larta dhe më e shtrenjta sepse plotëson disa kritere më shumë se të tjerat. Në Shqipëri janë të gjitha të klasit D dhe shiten si të klasit AAA. Prandaj kur të bëhet klasifikimi do t’u bjerë çmimi. Këto ligje ju nuk i bëni se nuk ju interesojnë investitorëve strategjik.
9/ Uji i pijshëm
Uji konsiderohet jetik për jetën e njeriut dhe çdo bashki duhet të garantojë ujin e pijshëm falas dhe të kontrolluar. Në pamundësi të kësaj në çdo qendër banimi në Evropë ka një shpërndarës uji të filtruar me gaz pa gaz dhe të freskët me çmim 0,2 centesimi për litër. Edhe kjo nuk bëhet sepse falimentojnë hajdutët e ujit pra oligarkët.
10/ Studiot e arkitekturës
Gojët e liga thonë se për të marrë lejen e ndërtimit ju i drejtoni tek një studio e huaj arkitekture që merret me projektin lejet etj. Dhe pagesa është nga 40 deri 70 euro për metër katror. Ku është zhvillimi ekonomik këtu kur miliona euro shkojnë me urdhrin tuaj në studiot e huaja dhe jo tek studiot Shqiptare.
11/ Gjuha shqipe
Kur një shtet pushtohet nga një shtet tjetër një nga gjërat e para që bëhet janë ndryshimet e emrave të fshatrave, rrugëve qyteteve lagjeve etj. Ndërsa ne i ndërrojmë me dëshirë psh., lungo mare, mund të thuhet më bukur shëtitorja bregu detit ose përgjatë detit, shko në Bari dhe vërja shqip e bën dot apo jo. Pastaj këto green cost që s’ka më asgjë jeshile aty. Ka vetëm beton. Pastaj emra lagjesh dhe rezortesh të gjitha të huaja asgjë shqip. Po autobusi Unazës lexon sipër UNAZA GREN LINE dhe vuuu shtëllunga tymit kur niset. Po gazetarët e televizioneve kombëtare që flasin 2 fjalë shqip dhe një anglisht, pastaj 1 italisht. Ku e ke AMA-n t’i gjobisë për çdo fjalë të huaj siç e bën francezi. Harrova më kryesoren i Ëllbenia.
12/ Shëndetësia
Këtu jam në fushën time dhe do ishte mirë mos flisja fare se nuk mbarojnë problemet. Por po të them përvojën time. Para disa vitesh bëra një aksident më dërguan në spital me një ambulancë e cila ishte si fugon dhe bëri vetëm transportin asgjë tjetër. Qëndrova vetëm disa orë dhe ika u kurova në Itali, por kur u ktheva, shkova në spital dhe kërkova protokollin e atij aksidenti. Çfarë gjeta atje asgjë u paraqit vetë ishte shkruar edhe dy bla, bla koti. Madje më kishin dhënë vetëm 8 ditë pushim dhe a e di pse sepse mbi 9 ditë kalon penale dhe ai që bën aksident paguan lekë në spital që mos e kaloj 9 ditë kurim. Me këtë lloj raporti nuk të paguan as sigurazioni. Ndërsa unë e mora veten plotësisht pas 6 muajsh. Pra në urgjencën e Tiranës dhe të çdo urgjence tjetër punohet pa protokoll edhe privatët nuk e kanë protokollin e urgjencës. Sepse ai protokoll ngarkon me përgjegjësi ligjore çdo individ që merret me atë rast urgjence. Duhet të shënohet çdo gjë që nga ora e telefonatës targa e ambulancës, emri shoferit i stafit të dhënat e pacientit gjendja e tij e shumë të tjera derisa ja dorëzon spitalit me një protokoll tjetër të brendshëm që nga marrja në dorëzim deri në shërim. Ka edhe probleme të tjera plot, por do zgjatej shumë shkrimi.
Tani dua të tregoj pse humbi Saliu më 2013 (meqë ata nuk bëjnë analiza)
1/Vrau qytetarët shqiptarë që ishin në protestë.
2/Detyronte administratën me urdhra të brendshëm që të dilte në tubimet e tij përndryshe humbnin vendin e punës.
3/Që të ruaje vendin e punës në administratë, duhej të paguante nga 3000 deri 5000 euro sipas rëndësisë së profilit punës.
4/Kontrollonin cilat biznese ishin të suksesshëm dhe i trokisnin tek dera që biznes in tënd do ta blejmë ne. Ai që nuk pranonte të nesërmen kishte tatimorët, gjobat etj., derisa të dorëzohej biznesi.
5/ Shiti detin, ujëra lumenjsh dhe përrenjsh, shiti burimet e ujit të pijshëm tjetërsoj toka shtetërore për përfitime personale dhe të oligarkëve të tij.
6/Përdori pushtetin dhe shtetin për të frikësuar dhe goditur kundërshtarët e tij në politike dhe në ekonomi.
Më vjen keq që konstatoj se edhe ju i keni përmbushur me sukses të gjashta këto pika me ndryshime të vogla si ato që tha Ulsi, por që nuk ndryshojnë thelbin. Prandaj që votat të mos kthehen në 2 milionë shuplaka ke vetëm 3 rrugë sipas meje.
1/ Të realizosh pjesën më të rëndësishme të pikave që duan protestuesit.
2/Të dorëhiqesh
3/Të rraskapitesh vetë dhe popullin deri në zgjedhjet vendore ku do humbasësh Tiranën, Durrësin, Elbasanin, Vlorën, dhe Shkodrën. Mbase edhe më shumë se kaq. Gjithsesi, 2027 do jetë viti i fundit i tranzicionit në Shqipëri. Erën dhe energjinë e ndryshimeve rrënjësore në politik bërje nuk e ndryshon dot më askush. Cikli i komunistëve, ish komunistëve, fëmijëve të komunistëve mbaroj.
Duke ju uruar shëndet shpresoj në mirëkuptimin tuaj dhe ju ftoj të dëgjoni këngën e fundit të Luiz Ejllit DOLE MA BURR SE TAN
/Gazeta Panorama
© Panorama.al












