Një ditë pas protestës para Parlamentit, Policia e Tiranës ka njoftuar arrestimin e 19 personave dhe procedimin penal të 12 të tjerëve.
Protesta e një dite më parë u shoqërua me tensione mes protestuesve dhe policisë, ku këta të fundit hodhën gaz lotsjellës, spraj dhe ujë.
Sipas njoftimit zyrtar, të arrestuarit akuzohen se kanë kundërshtuar dhe goditur me sende të forta punonjësit e Policisë, kanë dëmtuar një automjet policie, si dhe kanë sulmuar deputetët gjatë zhvillimit të tubimit.
Mes të arrestuarve është edhe shtetasi me iniciale A. Ll., 35 vjeç, i cili, sipas Policisë, ka goditur një gazetar gjatë protestës.
Ndërkohë, 12 persona të tjerë janë proceduar penalisht në gjendje të lirë për veprime të ndryshme të kundërligjshme të kryera gjatë tubimit.
Policia bën me dije se puna vijon për identifikimin edhe të gjashtë personave të tjerë, të cilët janë dokumentuar me pamje filmike duke kryer akte dhune.
Sipas bilancit zyrtar, gjatë përplasjeve u plagosën 15 punonjës policie dhe u dëmtua një automjet i Policisë.
Njoftimi:
Kundërshtuan dhe goditën me sende të forta punonjësit e Policisë, dëmtuan një automjet policie si dhe sulmuan deputetët e Kuvendit të Shqipërisë gjatë tubimit të zhvilluar dje, arrestohen 19 shtetas.
Procedohen penalisht 12 shtetas.
Vijon puna për identifikimin dhe të 6 shtetasve të tjerë që janë dokumentuar me pamje filmike për veprime të dhunshme.
Gjatë tubimit u dëmtuan 15 punonjës policie dhe një automjet policie.
Në vijim të veprimeve procedurale të kryera nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në lidhje me tubimin e zhvilluar dje pranë Parlamentit, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
-B. K., 35 vjeç; A. E., 24 vjeç; G. P., 36 vjeç; D. B., 32 vjeç; K. P., 46 vjeç; R. D., 30 vjeç; A. Y., 40 vjeç; N. Q., 43 vjeç; Y. Sh., 52 vjeç; E. Gj., 39 vjeç; F. B., 56 vjeç; R. P., 35 vjeç; A. T., 34 vjeç; A. N., 35 vjeç; E. B., 45 vjeç; A. H., 35 vjeç; E. G., 23 vjeç, E. B., 20 vjeç.
Si dhe shtetasi A. Ll., 35 vjeç, pasi ka goditur një gazetar.
Gjithashtu, u proceduan penalisht në gjendje të lirë shtetasit: F. D., 63 vjeç; Sh. B., 33 vjeç; V. D., 29 vjeç; E. Gj., 38 vjeç; T. T., 43 vjeç; E. A., 31 vjeç; G. S., 20 vjeç; R. D., 30 vjeç; A. M., 39 vjeç; M. J., 47 vjeç, A. G., 47 vjeç dhe A. K., 22 vjeçe.
Grupi hetimor vijon punën për identifikimin e shtetasve të tjerë që mund të kenë kryer veprime të kundërligjshme gjatë tubimit të zhvilluar dje.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës, për veprat penale “Shkatërrim prone”, “Kundërshtim i punonjësit të policisë”, “Goditje për shkak të detyrës”, “Prishje e rendit dhe e qetësisë publike”, “Organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”, “Mosbindje ndaj urdhrit të ligjshëm të punonjësit të policisë” dhe “Pengim i qarkullimit të mjeteve të transportit”.
© Panorama.al












