Shqiptarët do të mblidhen sot në Tiranë në një protestë të madhe kombëtare që përkon me ditën e Pavarësisë së Amerikës.
Organizatorët e protestës qytetare, bën thirrje për një mobilizim të gjerë në protestën e sotme, të cilin e cilësojnë si protestën më të madhe mbarëkombëtare që nga nisja e lëvizjes.
Apeli iu drejtua qytetarëve nga të gjitha zonat e Shqipërisë, si edhe shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit, për t’u bashkuar në kryeqytet. Organizatorët u kërkuan pjesëmarrësve të ftojnë familjarët, miqtë dhe të afërmit për të marrë pjesë në tubimin e radhës, me synimin për të rritur pjesëmarrjen dhe për të forcuar mesazhin e protestës.
“Nesër e gjithë Shqipëria në shesh. Të gjithë emigrantët do të jenë në shesh dhe, me ndihmën e Zotit dhe të juristëve, në shesh do të jenë edhe djemtë e arrestuar. Merrni me vete shokët dhe familjarët. Nga Konispoli në Vermosh, e gjithë Shqipëria të jetë nesër këtu. Nesër më shumë se kurrë”, ishte mesazhi i përcjellë nga njëri prej protestuesve.
Sipas tyre, protesta e e sotme synon të shënojë kulmin e mobilizimit qytetar, pas më shumë se një muaji demonstratash të përditshme. Organizatorët deklaruan se presin pjesëmarrje të shqiptarëve që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit, duke e cilësuar praninë e tyre si një mbështetje të rëndësishme për kërkesat e protestës.
Gjatë protestës u përsëritën edhe kërkesat për lirimin e personave të arrestuar në protestën e zhvilluar dy ditë më parë para Parlamentit. Ata marshuan para Ministrisë së Brendshme dhe Kryeministrisë ku përsëritën kërkesat për dorëheqjen e Edi Rama, lirimin e protestuesve të arrestuar dy ditë më parë dhe ndryshime të thella politike në vend.
Përveç dorëheqjes së kryeministrit, protestuesit kërkuan edhe hetimin e tij, si edhe të Belinda Ballukut. Në fjalën e saj para protestuesve, aktivistja Luçiana Kokaj deklaroi se protesta ka marrë mbështetje edhe nga forca politike evropiane. Ajo iu referua deklaratave të zv/ Presidentit të PE, Nicolae S‘tefãnuã, lidhur me dhunën mbi protestuesit, si edhe një rezolute të PPE, për të cilën tha se shpreh solidaritet me protestuesit dhe kërkon respektimin e së drejtës për tubim paqësor.
Sipas Kokajt, dokumenti i PPE-së shpreh shqetësim për situatën e shtetit të së drejtës në Shqipëri, mbështet të drejtën e qytetarëve për të protestuar paqësisht dhe bën thirrje për hetimin e rasteve të korrupsionit të nivelit të lartë, mbrojtjen e pronës, mjedisit dhe trashëgimisë kulturore, si edhe për vijimin e monitorimit të Shqipërisë nga institucionet e BE.
Mes protestuesve foli edhe një emigrante shqiptare që jeton në Gjermani, e cila kërkoi krijimin e një qeverie provizore dhe zhvillimin e një referendumi popullor për të vendosur mbi të ardhmen politike të vendit. Ajo u shpreh se, sipas bindjes së saj, partitë tradicionale nuk duhet të jenë pjesë e qeverisjes së ardhshme dhe u bëri thirrje diasporës, intelektualëve dhe qytetarëve të bashkohen në protestat e radhës.
© Panorama.al












