Shqiptarja kapet me 2 kg heroinë

Oct 1, 2011 | 11:23

Policia greke ka arrestuar dje një grua shqiptare, me akuzën e trafikut të drogës. Mediat helene, duke iu referuar policisë, transmetuan dje lajmin për arrestimin e shtetases shqiptare Eglantina Këmba, e cila u kap me 2.31 kilogramë heroinë. Sipas burimeve zyrtare të cituara dje nga media greke, policia ka vënë në pranga paraditen e së premtes shtetasen shqiptare Eglantina Këmba, 32-vjeçe. Ajo, sipas burimeve zyrtare, është kapur pas një operacioni të mirorganizuar në ishullin e Kretës. Në momentin e ndalimit, sipas Policisë, shtetasja shqiptare ka qenë duke transportuar 2 kg e 31 gr heroinë. Lënda narkotike dyshohet se vinte nga Pireu, pasi shqiptares iu gjet një biletë anijeje e linjës Pire-Kretë. Mësohet gjithashtu se gruas iu sekuestrua një telefon celular, një shumë 100 euro dhe dokumente identifikimi shqiptare. Mes tyre gjendet një karte identiteti, e cila shërbeu për saktësimin e të dhënave të shtetases shqiptare. Sipas burimeve policore greke, shqiptarja Eglantina Këmba dyshohet të jetë pjesë e një rrjeti të gjerë të trafikut të heroinës, ndaj edhe policia greke ka nisur hetimet. Hetuesit janë duke verifikuar hyrje-daljet e shtetases shqiptare në Greqi, si dhe kontaktet e saj në këtë vend, për të parë nëse më parë 32-vjeçarja ka shërbyer si korriere lëndësh narkotike.

© Panorama.al

Te lidhura