Shqiptari sharron hekurat, arratiset nga burgu italian

Jan 15, 2012 | 11:29

Altin Hoxha

I dënuari për vjedhje me dhunë hidhet nga lartësia dhe zhduket.

Altin Hoxha grabiti banesën e trajnerit Serse Cosmi.

Një 28-vjeçar shqiptar, i akuzuar për grabitje, është arratisur dje në mëngjes nga një burg në Itali. I njohur nga autoritet italiane me nofkën “grabitësi syakull” për shkak të ngjyrës së tij të syve, Altin Hoxha ka mundur të arratiset pa i hyrë gjemb në këmbë nga një prej qelive të “Regina Coeli” në Romë, ku ishte i paraburgosur. Lajmi u bë i ditur dje nga mediat e vendit fqinj. Shqiptari Hoxha është arratisur së bashku një prej shokëve të tij të qelisë, rumunin Stefan Cusnir, 25 vjeç. Referuar këtyre burimeve, ata kanë zgjedhur mënyrën më “klasike” të arratisjes. Pasi kanë mundur të krijojnë një hapësirë në skarën e dritares, duke prerë disa prej hekurave, kanë dalë prej saj. Në vijim, nëpërmjet një litari të ndërtuar me çarçafë, kanë zbritur nga kati i tretë ku ndodhej qelia e tyre. Në vijim ata janë kacavjerrë në murin rrethues dhe pasi e kanë kapërcyer atë, janë zhdukur pa gjurmë. Në qeli ata kanë lënë shokun e tretë, i cili për shkak se ishte i shëndoshë, nuk mund të depërtonte në hapësirën e krijuar te hekurat e dritares. Sipas mediave italian, arratia e shqiptarit dhe rumunit ka ndodhur mes orës 03:00-06:00 të mëngjesit, por alarmi për zhdukjen e tyre është dhënë në orën 08:30. Menjëherë pas këtij momenti, forcat e policisë nisën një operacion të gjerë për arrestimin e dy të arratisurve. Deri në orët e mbrëmjes së djeshme gjetja e tyre nuk u bë e mundur. Sipas mediave të vendit fqinj, Altin Hoxha ishte arrestuar në qershor të vitit 2011 për akuzën e grabitjes dhe të vjedhjes. Ai dyshohet të jetë autor i një sërë vjedhjesh të vilave në provincën e Peruxhias, përfshi edhe atë të Serse Cosmi-t, trajnerit të futbollit. Bëhet e ditur se identifikimi i Hoxhës ishte prej viktimave të grabitjeve të tij, prej ngjyrës së kaltër të akullt të syve. Ai cilësohej nga autoritetet policore si një nga elementët më i rrezikshëm i bandës së grabitësve në të cilën dyshohet se bënte pjesë. “Viktimat, të cilave u merreshin mijëra euro, dhunoheshin në disa raste me çelësa anglezë, lidheshin me kabllo elektrikë ose kërcënoheshin me armë”, e përshkruante dje “La Repubblica.it” mënyrën e grabitjes nga grupi ku bënte pjesë Hoxha para arrestimit.

Alarmi
Mediat italiane kanë pohuar dje se shtetasi shqiptar Altin Hoxha, së bashku me të arratisurin tjetër kanë dalë nga burgu në intervalin kohor nga ora 3:00 deri në 6:00 të mëngjesit. Megjithatë, sipas mediave italiane, administrata e burgut “është zgjuar me vonesë”, pasi e ka dhënë alarmin vetëm në orën 8:30 të mëngjesit të ditës së djeshme.

© Panorama.al

Te lidhura