Cilin variant? “Përmbi za që lshon bylbyli”, apo “gjuha jonë sa e mirë”? Nga mënyra se si tingëllon në gojën time toskë-shqiptimi i vargjeve të Mjedës, gjuha e tij shqipe m’shugullon e bash pa da zemnën ma ngushllon tek e përsëris. Por, në përmendje e sipër, hezitoj, duke ditur se gazeta në të cilën botohet shkrimi përdor ligjërisht shqipen e njëjtësuar zyrtare, përfshirë edhe citimet në ligjëratë të drejtë të dialekt-folësve shqiptarë. Dhe nuk mund të pretendohet ndryshe përderisa përdorimi i njësuar i gjuhës është vendosur në një marrëveshje akademikësh, gjuhëtarësh e shqipdashësish më të mëdhenj se këta të sotmit, që në vitin 1972. Që të kthejmë sërish ëmbëlsinë e shqipes së Mjedës në përdorim nuk do të ishte aspak keq. As mprehtësinë e leksikut të Fishtës, që e gjen shqipen gjuhë shpirti, jo foltoreje: “Porsi kanga e zogut t’verës, q’i vallzon n’blerim të prillit, porsi i ambli fllad i erës, q’i lmon gjit e drandofillit; Porsi vala e bregut t’detit, porsi gjama e rrfes zhgjetare, porsi ushtima e nji tërmetit, njashtu a’ gjuha jonë shqyptare”.
Po nuk e di nëse Mjeda e Fishta do të dilnin në publik sot e të flisnin me gegërishten e tyre të mrekullueshme, duke ditur se në përdorimin e gjerë të shqipes është përcaktuar të jetë një variant i njësuar i saj, për të cilin kanë rënë dakord ca burra e gra të mençme rresh 40 vjet më parë. Është mirë apo keq që është vendosur toskërishtja e përpunuar si gjuhë zyrtare, kjo është çështje tjetër për diskutim dhe, për fat të mirë, ky vlerësim i kapërcen kapacitetet e jo-gjuhëtarëve. Por, që të shash apo të mburrësh përdorimin e gjuhës së Fishtës, të Mjedës apo edhe të Haxhi Qamilit, është njëlloj sikur drejtimin e lëvizjes së mullinjve të erës ta shohësh njëherë me sytë e Sanço Panços, e njëherë me ato të Don Kishotit.
Debati i fundit mediatik mes Presidentit e kryetares së Parlamentit, më shumë se i panevojshëm, është edhe krejt pa vend. Që të ligjërohet e të mbështetet përdorimi gjoja fishtian i shqipes në njërin krah, apo varianti modern i saj, pa pikë, presje, nyja, parashtesa, prapashtesa e huazime, nga krahu tjetër, duhet bërë një kongres tjetër, që ta hartojë, ta miratojë e t’u shpjegojë shqiptarëve llojin e ri të shqipes që duhet të dëgjojnë, lexojnë, shkruajnë e të presin për përdorim të gjerë në vazhdim. Pra, zgjedhja e shqipes nuk është çështje shijesh personale, as mitizim apo keqpërdorim i pakontrolluar i saj.
Në një nga shkrimet e tij të fundit, tek lëngonte në ditët pa shpresë, i dhëni i tëri pas shqipes, Robert Shvarci u orvat edhe njëherë të tërhiqte vëmendjen e medias e të politikës për përdorimin e gjuhës shqipe, që për të ngeli e shenjtë. (“Pasurimi” i gjuhës shqipe në media, R. Shvarc).
Thirrja e tij ngeli fatkeqësisht kambanë në shkretëtirë, siç kishte frikë edhe vetë, sepse sot, në emër të shqipes, herë të përdorur gabim në emër të fishtëzimit, e herë të barbarizuar në emër të modernizimit, roli i gjuhës është tjetërsuar; nëse Shvarci, ashtu si Fishta, Mjeda, Luarasi, Frashëri, Kristoforidhi, Xhuvani, Çabej, Kostallari, Shuteriqi, Cipo, Dodbiba, Domi apo Riza, mendonte se gjuha duhet përdorur për bashkimin e shqiptarëve, në kohët moderne ajo po përdoret për t’i ndarë ata. Po, kështu duket, se në skenë nuk kemi më turq që na sulmojnë kalatë, por kemi politikanë ngjyra-ngjyra që pretendojnë se me gjuhën krijojnë identitet. Në fakt, është e kundërta. Se është përgjegjësi e madhe të pretendosh se ecën në gjurmë të atyre që kanë vënë gurë themeli në gjuhën shqipe. E po ta ndiqte Fishta debatin e sotëm mbi dialektizmat, s’do të ishte çudi të huazonte Azem Shkrelin me retorikën e tij përcëlluese: “Sikur të takoheshim me vetveten në sy, do të putheshim apo kishim për t’u pështy?”.
Ç’do të bënin Fishta, Mjeda, Migjeni, apo edhe Naimi e Luarasi, nga kahu tjetër, nëse pasardhësit e tyre deklarojnë se janë vetvetja e të mësipërmve? Dilemë e madhe, po këtyre pikave të referimit që përdoren sot nuk u kishte hyrë në gjak lufta brenda llojit. Ndaj duket sikur Fishta i ka shkruar për sot vargjet për shqipen: “Qoftë mallkue kush qet ngatërrime, ndër kto vllazën shoq me shoq, kush e dan me flak’ e shkrime, çka natyra vet’ përpoq”.
E s’kishte si ta dinte Fishta se lufta shoq më shoq s’do të bëhej tamam për gjuhen, por ajo do të përdorej për qëllime shumë më të mbrapshta se aq. Në një kohë tjetër, Petro Nini i drejtohej pikërisht kësaj frike të brendshme: “Epo ju gjuhën tonë, doni ta humbisni fare, dhe me mallkim e me nëmë, shprehni ta shpini në varre”. Po frika e tij vinte nga priftërinjtë që bënin mesha në gjuhën greke, e nuk kish si ta mendonte as ai, as të tjerë shqipdashës në kohën e tij, se shkatërruesit e vërtetë të shqipes, keqpërdoruesit e ndarësit me vise në emër të saj do të ishin vetë shqiptarët. E kur Kadareja thoshte se ishin turqit që “me parashtesa e pjesëza, e lidhëza së prapthi, të bukurën gjuhë tonë, e bënin lesh arapi”, as ai nuk e mendonte, njëlloj si edhe Shvarci, se gjuhën dhe rolin e saj e sollën në këtë gjendje shqiptarët vetë, politikanët dhe njerëzit e saj me status gjoja publik, që e përdorin gjuhën si t’u interesojë atyre, e jo si t’i vijë për shtat shqipes.
Këtu nuk ka vend për rishikim apo vlerësim të aftësive apo të vendit që zënë rilindësit në historinë tonë, por porosia e Naimit duket më me vend sesa debati qesharak që ka plasur për llojet e shqipes: “Pa shihni sa ësht’e mirë, s’u vjen mall’ e dëshirë? Gra, burra, djem e vasha! E ju plaka zë-trasha! Mos rrini pa e mësuar, Kjo do të na nderojë”. Jo se nderi është ndonjë virtyt me vlerë ndër ata që fshihen pas shqipes, po të paktën si këshillë edhe mund të hahet.
E, në fund, një mendim i fundit i Shvarcit, që për ironi të fatit u drejtohet institucioneve që sot janë në qendër të gjoja debateve për gjuhën: “Në qoftë nevoja, mund t’i drejtohet një peticion edhe Presidentit të Republikës, Kuvendit apo Kryeministrit për ndërmarrjen e sanksioneve – sepse, fatkeqësisht, në këtë vend të bekuar, ku demokracinë ende e ngatërrojnë me anarshinë totale, vetëm gjobat i sjellin në vete disa kokëbetonë, që më kujtojnë tri vargjet e paharruara të Bertolt Brehtit: ‘Nga tigrat munda të shpëtoj,/ Me gjakun tim ushqeva çimkat,/ Por kokën ma hëngrën mediokrët!’”.
E, Fishta, më shumë ngjan me Brehtin, sesa me këdo që pretendon se e pason. Ndaj debati për gjuhën është mirë t’u lihet gjuhëtarëve.
© Panorama.al












