
Komisioni Europian do të publikojë sot progres-raportin për vendet që aspirojnë të bëhen anëtare të BE-së, mes të cilave edhe Shqipëria. Ashtu siç pritet, edhe për këtë vit përgjigjja që Brukseli do të japë për vendin tonë do të jetë negative sa i përket aplikimit që ka bërë Tirana zyrtare për marrjen e statusit të vendit kandidat. Sipas axhendës së përcaktuar nga Komisioni, në orën 12:30, komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fyle, do të jetë në Komisionin e Jashtëm të Parlamentit Europian, ku do të prezantojë paketën e zgjerimit. Pas 90 minutash ai do të dalë në një konferencë për shtyp ku do të bëjë publik qëndrimin e KE-së për këto vende. Ambasadori i KE-së në Tiranë, Etore Sekui, shmangu dje çdo koment për progres-raportin, duke thënë se sot do të ketë shumë mesazhe për të. “Nesër, në orën 14:00, komisioneri për Zgjerimin është në konferencë për shtyp dhe ju mund ta ndiqni së bashku me ne te qendra për informim e BE. Më pas unë do t’i dorëzoj progres-raportin Presidentit, Kryeministrit, zv.kryeministrit, liderit të opozitës, ndërkohë që Topallit do t’ia dorëzoj të enjten, pasi ajo ndodhet jashtë vendit. Progres-raporti do t’i dorëzohet edhe shoqërisë civile. Nëse sot me pyesni për progres-raportin, unë do t’ju them: prisni deri nesër. Përsa u përket mesazheve për politikanët, unë sot nuk do të jap asnjë, pasi nesër ju do të merrni mesazhe me shumicë”, është shprehur Sekui gjatë promovimit të revistës “Eurospeak”, e cila do t’i informojë qytetarët shqiptarë për integrimin në BE. Ambasadori u shpreh më tej se pas publikimit të progres-raportit, ai do të dalë në çdo qytet për ta prezantuar atë. “Do të shkoj në Shkodër dhe Vlorë për të paraqitur raportin, në mënyrë që të ketë impaktin e duhur edhe jashtë Tiranës, në mënyrë që të mund të flas me segmente të ndryshme të shoqërisë shqiptare”, u shpreh ambasadori.
Dy ditë më parë ishte agjencia zyrtare e Bashkimit Europian, “Euobserver”, e cila publikoi pjesë të progres-raportit përpara se ai të dalë zyrtarisht nga Brukseli. Sa i përket Shqipërisë, raporti pritet të flasë për një progres të limituar për shkak edhe të zgjedhjeve lokale. “Mali i Zi dhe Maqedonia janë në krye të klasës në drejtim të progresit të reformave. Por, Komisioni nuk do të thotë se kur të dy kandidatët e Bashkimit Europian mund të fillojnë bisedimet për t’u pranuar. Për Shqipërinë thuhet se ka bërë ‘progres të limituar’ në mes të një bllokimi politik mbi zgjedhjet e majit. Bosnja është përshkruar si në një gjendje ‘paralize dhe konfrontimi’ midis serbëve dhe myslimanëve me ‘mungesën e një kuptimi të përbashkët për drejtimin e përgjithshëm dhe të ardhmen e vendit’”, thuhet në një raport të “Euobserver” gjatë ditës së djeshme.
Progres-raporti e vë theksin te kriza politike, ku thuhet se skena e brendshme politike e Shqipërisë u dominua gjerësisht nga vazhdimi i ngërçit politik dhe zhvillimet e konfrontueshme më tej. Raporti flet gjithashtu edhe për protestën e dhunshme të 21 janarit, ku mbetën të vrarë katër qytetarë, si dhe për zgjedhjet lokale të 8 majit. “Zgjedhjet lokale në maj, megjithëse të vlerësuara si konkurruese e transparente, u shënjuan vendosmërisht nga parregullsitë që nevojitet të adresohen. Në veçanti, polemika rreth numërimit të votave për kryebashkiakun e Tiranës rriti polarizimin mes shumicës qeverisëse dhe opozitës”, thuhet në raport.
Fushatë për informimin e qytetarëve
“Shpesh, në raportet dhe fjalimet tona, ne përdorim terma të tillë si administrata publike, gjyqësori, lufta kundër korrupsionit. Integrimi në BE është, në fakt, një çështje për të gjithë shoqërinë në tërësinë e saj. Shpresa jonë është që ju së bashku me ne të ndajmë të njëjtin vizion, të njëjtat parime në të ardhmen. Dhe kam kënaqësinë të them që së shpejti do të fillojmë një fushatë me anë të së cilës dëshirojmë t’i përgjigjeni të gjithë kësaj pyetjeje”, tha Ettore Sekui, ambasadori i BE-së në Tiranë.
Revista e BE
Në zyrat e KE-së në Tiranë u promovua dje revista “EuroSpeak”, e cila do të jetë e përdymuajshme, e pasur me informacion të përditësuar dhe analiza mbi çështje të integrimit europian, me fokus të veçantë mbi zhvillimet e marrëdhënieve të BE-së me Shqipërinë dhe vendet e tjera të rajonit. “Unë kam besim se revista ‘Eurospeak’ do të përfaqësojë një investim në fuqizimin demokratik të qytetarëve shqiptarë, pra në fuqizimin tuaj. Unë e mirëpres këtë revistë dhe kam shpresën se do të jetë një sukses i gjatë”, u shpreh ambasadori.
Rekomandimet e KE
Në të njëjtën kohë, një vit më parë, Komisioni Europian publikoi një listë me 12 rekomandime që klasa politike në Tiranë duhet të plotësonte për të marrë statusin e vendit kandidat. Ndër më kryesoret e tyre ishin miratimi i ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar të votave dhe zgjedhja e Avokatit të Popullit. Por, gjatë këtyre 12 muajve, forcat politike nuk arritën konsensusin për miratimin e këtyre rekomandimeve, çka bëri që Brukseli të japë sërish përgjigje negative për statusin.
PD-PS, dështon hartimi i një plani të përbashkët për integrimin
Një ditë para publikimit të progres-raportit të Komisionit Europian për Shqipërinë, maxhoranca dhe opozita përfshihen sërish nga debatet për përgjegjësitë. Maxhoranca dhe opozita fajësojnë njëra-tjetrën për humbjen e statusit të vendit kandidat edhe për këtë vit. Sipas maxhorancës, politika bllokuese e socialistëve ka sjellë mosplotësimin e 12 rekomandimeve të BE-së. Ndërsa opozita fajëson maxhorancën për punë të dobët në plotësimin e kritereve që i janë lënë vendit tonë. “Vetëm një nga 12 rekomandimet lidhet me problemin e 3/5, ndërsa janë 11 çështje të tjera që jo vetëm opozita, por edhe shoqëria civile ka bërë një skanim të mosarritjeve që janë realisht shqetësuese. Propozimet e kryetarit të PS-së synojnë një platformë për bashkëpunim, një platformë dhe jo kushte”, theksoi kryetarja e Komisionit të Integrimit, Ermelinda Meksi. Socialistët e cilësojnë si “lojë kungulleshkash” propozimin e Kryeministrit Berisha që opozita t’i kërkojë Komisionit të Venecias dhe ekspertëve të OSBE/ODIHR-it shqyrtimin e kërkesave të saj për reformën zgjedhore. “Nëse është e nevojshme për të shkuar për certifikim në këto dy mekanizma, të mos shkojë opozita, por të shkojë komisioni që do të ngrihet për këto çështje. Kjo është diferenca. Këtu ka një lojë dinake të vazhdueshme të maxhorancës dhe duhet të dini se nuk shkon opozita te ODIHR-i dhe Venecia, prandaj e kërkojmë se kjo është loja e kungulleshkave”, deklaroi Meksi. Ndërsa anëtari tjetër i Komisionit të Integrimit, Gert Bogdani, deklaroi se një pjesë e mirë e 12 kritereve të vendosura nga BE janë të lidhura me miratimin e ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar dhe për këtë kërkoi prej opozitës nisjen e një faze të re bashkëpunimi. “Të bllokosh Parlamentin është kushti themelor mbi të cilin BE ka kërkuar të tejkalohet. Meksi thotë që votimi me 3/5 është vetëm një nga 12 pikat, por kjo nuk është e saktë. Janë disa pika nga rekomandimet e BE-së që kërkojnë 3/5 dhe gjysma kërkon vullnetin e bashkëpunimit pozitë–opozitë. Fajtorët janë shumë të qartë në momentin kur opozita nuk bëhet bashkëpunuese, por bllokuese”, tha Bogdani.
ADI SHKEMBI
© Panorama.al











