“Shqipëria në tranzicion”, fotot e absurdit 20-vjeçar

Oct 19, 2011 | 12:47

"Dyqan buke", Tiranë 1992

Një histori shqiptare, nga uria e bukës në fillimvitet ’90, tek uria e pasurimit në vitet 2000

Aty rrinë pranë e pranë shenjtorë, diktatorë, politikanë… Skënderbeu i bronztë, një elefant alabastri… Që t’u bëjë qejfin të gjithëve, mjeshtri ka realizuar filxhanë të mëdhenj kafeje me foton e Enver Hoxhës, Sali Berishës, Nënë Terezës… Një bashkëjetesë me bazë ekonominë e tregut… Të ekspozuara përpara një kioske buzë rrugës, ato nuk i ngjallin gati-gati asnjë kuriozitet kalimtarëve të zakonshëm, por nuk mund t’i shpëtojë syrit të një fotografi të huaj. Ka disa javë që ka dalë në libraritë europiane albumi “Shqipëria në tranzicion”, një botim i shtëpisë botuese “Benteli”, një libër me fotografi i fotografit zviceran Hans Peter Jost, shoqëruar me tekste të Christina Kleineidam. Promovimi i këtij albumi do të zhvillohet në Tiranë më datë 22 tetor, ora 20:00, në galerinë “Tirana Express”, që është e njohur si galeri hapësirash alternative të artit.
Krahas fotografive e teksteve të dy autorëve të huaj, albumi shoqërohet edhe me një parathënie të Fatos Lubonjës, i cili i shton këtij botimi, krahas këndvështrimit të huaj, edhe atë shqiptar. Sipas tij, ky album sjell një këndvështrim tjetër nga ai i shumë librave me foto të realizuar nga të huajt për Shqipërinë dhe e ka cilësuar përmbajtjen e tij si “ironia e

Fotografi zviceran Hans Peter Jost

tranzicionit”. Përmes fotografive, fotografi zviceran jep një panoramë të 20 viteve të gjata të tranzicionit shqiptar. Janë fotot e trishtueshme të fillimviteve ’90, kur Shqipëria e sapodalë nga një diktaturë 5 dekadash dukej si e humbur, si ai njeriu që sheh dritën e diellit për herë të parë. Gati-gati të kalon një e rrëqethur kur shikon fotografitë e radhëve të bukës, fytyrat e shtrembëruara, të puqura pas hekurave të dritareve, duke shtrirë kartëmonedhat në këmbim të një buke… E në këtë varfëri ekstreme nisi lufta për mbijetesë, e më pas e kthyer nga disa në makutëri për të fituar. Nga ajo gruaja e ulur në shkallë që shet pije freskuese, tek ndërtuesit, që pak u intereson shkatërrimi i traditës në qytetet-muze, por ngrenë pallate shumëkatëshe, si të jenë në garë për të rrokur qiellin. Realiteti shqiptar është gjithë kontraste dhe fotografit nuk i duhet të mundohet shumë. Gjithandej syri të rrok situata nga më të çuditshmet, që nga plazhet me rërë

Dy nga fotot e koleksionit “Brot und Not”, realizuar në fillim të viteve ‘90

e palma plastike, tek ndërtesat në formë vapori, rrëketë e ujit të mbushura me plehra, limuzinat e parkuara në qendër të Tiranës, mure të mbushura me grafite, misionarë të huaj që u predikojnë banorëve të zonave të thella në varfëri ekstreme… Kjo është mënyra se si fotografon Hans Peter Jost, fotograf në profesion të lirë, i tërhequr më së shumti kah fotografia dokumentare dhe portreti. Hans Peter Jost fokusohet tek aspektet sociale, të cilat shpesh i ndjek me vite. Edhe më interesant e bëjnë botimin ndërhyrjet e Christina Kleineidam, arkitekte dhe gazetare. Me mprehtësinë e një gazetareje dhe linjat e një arkitekteje, ajo vizaton portrete njerëzish që ka ndeshur gjatë rrugëtimit të saj nëpër Shqipëri. Për Hans Peter Jost dhe Kleineidam, nuk është bashkëpunimi i parë. Një vit më parë kanë nxjerrë librin “Pambuku në botë”.

Viktori
Viktori ia ka dalë mbanë, sepse familja e tij është njëra nga ato që kanë mundur të ndërtojnë në ish-Kënetë, zonë dikur

"Në rrugën Tiranë - Romanat 1994"

moçalore pranë Durrësit, jo një, por disa shtëpi. “Në vitin 1992 mbërriti xhaxhai im i madh”, tregon teksa furnizohet me racionin e përditshëm e të stërmadh të cigareve në barin që ndodhet në rrugën gjithë pluhur, përballë pronës së familjes së tij. Syzet i ka vendosur shkujdesshëm mbi flokë dhe mban xhinse fringo të reja, nga ato si të grisura. Më vonë, kështu vazhdon historia, midis 1995-s dhe 1999-s anëtarë të tjerë të familjes e ndoqën prej Larit të Mirditës, një zonë malore e izoluar në veri të Shqipërisë. “Tani s’ka kush të vijë më”, qesh ai. Në fshatin ku deri në fund të diktaturës jetonin rreth pesëdhjetë familje, nuk ka mbetur më askush.
[…]
E varfër apo e pasur, çdo familje në ish-Kënetë lidhet tek një tub i gjatë e i zi, që e merr ujin nga lidhja qendrore e qytetit. Tubat, të pleksur pazgjidhshëm me njëri-tjetrin, shtrihen përgjatë kanaleve të mbushura me plehra për te shtëpitë që janë megjithatë shpesh pa ujë, sepse uji, në varësi të stinës, vjen ose vetëm dy herë në ditë ose vetëm dy herë në javë për disa orë. Prandaj, ujin e pijshëm e mbledhin nëpër bidonë, kova e shishe, kurse për të vaditur kopshtin familja e Viktorit ka shpuar një pus 12 m të thellë. Për kopshtin kanë blerë humus, që e kanë shpërndarë mbi tokën e kripur të moçalit, por “megjithatë, zarzavatet nuk shijojnë si në shtëpi, atje në mal”. Sa mjeshtëror është arti i familjeve për të përballuar jetën, aq e paaftë është administrata shtetërore. Si rezultat, nevoja për urbanizimin e lagjes vazhdon të

Dyqan suveniresh në Tiranë, 2010

mbetet çështje dite. Urgjent është sidomos ndërtimi i një kanalizimi, që të mbledhë si fekalet që tani përfundojnë nëpër

Me demokracinë erdhën edhe mallra të reja. “Dyqan në Laç”, 2010

kanale, ashtu edhe ujin e shiut që gjatë reshjeve të shumta përmbyt lagjen. Atëherë do të vendoset taksë për shtëpinë dhe tokën. Për toka të mëdha, kjo taksë luksi do të jetë veçanërisht e kripur, “por kjo është e drejtë”, – thotë Viktori, sepse kush ka më shumë nga sa ka nevojë, duhet edhe të paguajë për të. Nëse dikur pronësinë e tokës e përcaktonte ligji i më të fortit, sot shumë tabela lajmërojnë për shitjen e tokave mbi të cilat qëndrojnë skelete betoni të papërfunduara. Përfundimi i tyre varet prej dërgesave të parave nga jashtë, sepse çimentoja dhe materialet e ndërtimit bëhen përditë e më të shtrenjta. “Tokën e shesin ende pa dokumente”, diçka e paimagjinueshme për Viktorin, i cili është mësuar me rregullat italiane dhe i përdor ato si etalon për gjithçka. Shtëpia e tij është e regjistruar në kadastër, ka hipotekë, siç quhet këtu. Kjo kushton diçka tek 2.500 eurot, sepse një arkitekt duhet të skicojë planin dhe ta çojë atë pastaj tek kolegët e tij në zyrën e ndërtimit, e cila, përkundër çdo metodologjie të urbanistikës, duhet t’ia përshtatë planin e qytetit ndërtesave ekzistuese.
(Portret nga Christina Kleineidam)

Motra
“Kur të largohemi, asgjë nuk do të mbetet më këtu!”. Motra Bernadette, një françeskane gjermane, nuk ka asnjë iluzion rreth mentalitetit të njerëzve për të cilët kujdeset. Që prej vitit 1993, ajo, së bashku me Gratias, një motër më e vjetër, kanë përjetuar kërcënime dhe grabitje, e madje një herë e kanë plagosur aq rëndë, sa është dashur ta dërgojnë në Gjermani. Të dyja motrat e filluan punën e tyre, – punë e cila, veç mësimit të katekizmit, përqendrohet para së gjithash në ndihmën për të varfrit -, duke u përballur me mosbesimin e pjesërisht edhe me kundërvënien e njerëzve të Fushë-Arrëzit. “Pas falimentimit të ndërmarrjeve shtetërore, këtu nuk pati më punë; edhe autostrada për Kosovë mbaroi së ndërtuari”, thotë e dorëzuar motra Gratias, sepse trafiku tranzit, sidomos gjatë luftës së Kosovës, solli punë në qytet. Fushë-Arrëzi të lë përshtypjen e një prototipi të planifikimit komunist: në shpatin e malit, pallatet e vëna në radhë shoqërojnë me monotoninë e tyre rrugën; ansamblin e kompletojnë Bashkia e qytetit, shkolla, hoteli dhe spitali, i cili dikur funksiononte mirë. “Tani, punonjësit e tij vijnë tek unë kur kanë nevojë për ilaçe”, rrëfen për situatën e dëshpëruar të shëndetësisë në Shqipëri motra Bernadette, e cila është specializuar si infermiere. Disa herë në javë, ajo bën konsultime në spital dhe u shpërndan pacientëve ilaçe, pambuk dhe fasha, të cilat përndryshe duhen sjellë nga vetë pacientët. Përveç kësaj, ajo u jep mësim nënave të reja për higjienën e përgjithshme dhe kujdesin e fëmijës, sepse shpesh fëmijët ende i mbështjellin si cungje dhe i lidhin në djep.
(Tekst nga Christina Kleineidam)

Ironia e tranzicionit

"Krujë" 2010

…Fotot e fillimviteve “të paharruara” ’90 të Hans Peter Jost, i cili e ka vizituar dhe fotografuar Shqipërinë fill pas rënies së komunizmit […], ma ripopulluan kujtesën e Shqipërisë komuniste në momentin e shpërbërjes, me shpresat, dhimbjet apo gëzimet e asaj kohe kur, së bashku me bashkatdhetarët, sapo kisha dalë nga një izolim gati gjysmëshekullor, për t’i hyrë një rrugëtimi shpresëmadh. Por kujdes, kjo është vetëm një përshtypje e parë, sepse artisti nuk na lë të hallakatemi gjatë në nostalgjitë e asaj kohe – ne që e kemi jetuar – apo në kuriozitetin – ata që nuk e kanë jetuar. Sepse ai ka ardhur ta rivizitojë Shqipërinë pas njëzet vjetësh, e ka fotografuar atë dhe, përballë fotove të kohës së shkuar, që jetohet nëpërmjet kujtimeve, ka kundërvënë, në këtë libër që e ka quajtur “Tranzicion”, foto të kohës të sotme, që jetohet nëpërmjet përditshmërisë e që shoqërohen edhe me tekste të bashkautores së këtij libri, Christina Kleineidam.
…Gjatë thuajse krejt librit, fotografi na kthen prapa dhe na risjell në të tashmen në një lojë të tillë plot me befasira, në një kundërvënie dy kohësh, dy simbolesh, ku gjejmë dialogun që këta bëjnë heshtazi me njëri-tjetrin për procesin historik që i ka ndarë dhe i ka bashkuar në këtë libër. Herë-herë na duket se janë fotot e së tashmes ato që, në një farë mënyre, dominojnë dialogun, duke na diktuar frymën e këtij libri, duke na orientuar apo fokusuar edhe emocionet që duhet të ndiejmë duke parë fotot e së shkuarës; herë-herë e kundërta. Tregjet e improvizuara në mes të plehrave në fillimvitet ’90, radhët e bukës, racioni i mjerë që punëtori merrte me vete në punë, fëmijë të veshur me zhele japin mjerimin e asaj kohe. Por njerëzit e fotografuar apo që kanë pozuar këtë mjerim duken të vërtetë, të sinqertë, deri edhe në mënyrën se si e vështrojnë të huajin që i fotografon, përtej varfërisë dhe mjerimit. Ndoshta pasi në ato vështrime shohim pjesën e tyre më të mirë, dashurinë dhe shpresën, por ndoshta edhe pse ato kontrastojnë aq fort me pamje të së sotmes.
…Duke parë fotot e Shqipërisë njëzet vjet pas rënies së komunizmit me një vështrim të parë, mund të themi se ky libër na i paraqet shqiptarët në shkretëtirë, pas njëzet vjetësh rrugëtim, në periudhën e adhurimit të Lopës së Artë. Por, duke i riparë fotot e duke lexuar tekstet e Christine Kleineidam, diçka nuk të bind, nuk i nënshtrohet këtij thjeshtëzimi mitik, në kuptimin se nuk kemi sigurinë se ky udhëtim është gjithsesi në rrugën e drejtë për në Tokën e Premtuar. Një dyfaqësh i tërë mozaik fotosh me ndërtime që paraqesin peizazhin e sotëm të një vendi, ku ka më shumë ndërtesa të pambaruara sesa ndërtesa të mbaruara; pallatet përbindësha që ngrihen mbi shtëpitë e vjetra të Krujës; shtëpi në fasadat e të cilave shfaqen ballkone pa dyer, një portë futbolli e vizatuar në murin antik të kalasë së Beratit, një shtëpi prej druri e stilit alpin e ngritur mbi tarracën e një pallati shumëkatësh të stilit modern në Tiranë, një forum roman në Durrës, i mbytur nga ndërtime të shëmtuara përreth, shtëpi abuzive me këmbët e betonit të këputura nga policia ndërtimore në Ksamil, që duken sikur i ka goditur një bombardim, një veturë e mbushur përplot me gurë në breg të një lumi në Vermosh, që ka prapa një pyll të mrekullueshëm e që duket sikur ka zbritur atje me parashutë nga ajri, një mur betoni shumë i fortë, shumë i lartë që mban sipër xhama të mprehtë nga ato që viheshin mbi mure në Shqipërinë e vjetër e që na flet për ngujimin e gjakmarrjen që sot e gjen në qytetin e Shkodrës – këto e shumë foto të tjera na paraqesin një Shqipëri gati surreale apo anormale. Por është Shqipëria që shohim përditë. Nëse do të përpiqemi të gjejmë kuptimin e kësaj Shqipërie të sotme, do të thosha se gjërat janë të vendosura në të jo në vendin e tyre, por sipas rendit të një përralle të çuditshme. Thënia e Shekspirit se jeta është përrallë e treguar nga një idiot, këtu sikur gjen një konfirmim vizual. Kur ke parasysh popullimin e tokës shqiptare me bunkerë gjatë viteve të komunizmit, nuk mund të mos mendosh se këtu kemi të bëjmë thjesht me vazhdimin e kësaj përralle të mbrapshtë. Në fakt, më shumë sesa tranzicion, ajo që shohim meriton të quhet dalja nga çmendina komuniste në rrugë të madhe.
(Pjesë nga parathënia e albumit)

ALMA MILE

© Panorama.al

Te lidhura