TIRANË- Kreu i qeverisë, Sali Berisha duke shprehur admirim për vendet anëtare në misionin e jashtëzakonshëm në kuadër të paqes ka garantuar se Shqipëria do të bëjë të pamundurën për të përmbushur të gjitha detyrimet si një vend anëtar me të drejta të plota.
“Shqipëria është anëtari më i ri i NATO-s dhe shumë e vendosur të realizojë të gjithë detyrimet e saj. Së bashku me të gjitha vendet e rajonit, ne jemi në Afganistan dhe do të qëndrojmë atje deri sa NATO të qëndrojë atje”- ka thënë Berisha, gjatë fjalës së tij gjatë punimeve të Asamblesë së Aleancës së Atlantikut që mbahet sot në Tiranë.
Ai ka falënderuar jo vetëm për besimin treguar ndaj Shqipërisë, por edhe për ndihmën e dhënë në rast nevoje, duke iu referuar përmbytjeve të njëpasnjëshme në zonën e Shkodrës.











