Shqipëria e Josip Kuzhesë kryeson Grupin D, ku bëjnë pjesë edhe Franca, Rumania, Bosnja, Bjellorusia dhe Luksemburgu, të paktën për një gjë: kartonët. Duke vërejtur me kujdes të gjitha statistikat e ndeshjeve të zhvilluara deri tani (gola të shënuar, të pësuar, kartonë të verdhë, të kuq, gjuajtje në portë, pozicione jashtë loje, goditje këndi, faulle të shkaktuara e të pësuara), konstatojmë se kuqezinjtë janë skuadra më e ndëshkuar nga arbitrat në ndeshjet e luajtura deri tani për kualifikimet e Europian të 2012-s. Ndërsa vlen të theksohet se edhe pse kemi marrë shumë kartonë, çuditërisht jemi skuadra që ka bërë më pak faulle, çka tregon se “bilbilat” e caktuar nga UEFA për përballjet e Shqipërisë kanë qenë disa herë më dorëlëshuar për kartonë ndaj skuadrave të tjera, të cilat për hir të së vërtetës, kanë luajtur shumë më ashpër se kuqezinjtë. Madje, duhet thënë se Shqipëria është kampione në Europë për kartonët e kuq. Asnjë skuadër tjetër nuk ka marrë 4 kartonë të kuq sikundër Shqipëria (Dallku, Lila, Skela dhe Agolli). Në disa raste jemi ndëshkuar për lojë të rëndë, por ka pasur edhe momente kur “bilbilat” europianë na kanë dënuar për moskorrektësi dhe protesta. Kurse sa i përket kartonëve të verdhë, në rang europian renditemi në vend të pestë, pas San Marinos (29), Bjellorusisë (25), Greqisë (25) dhe Litenshtejntit (25). Gjithsesi, nuk jemi skuadra që luan më rëndë, duke treguar edhe njëherë faktin e mësipërm që kartonët kuqezinjtë i kanë marrë edhe për protesta.











