Shqipëria e nis me fitore ndaj Sllovakisë

Oct 14, 2011 | 11:57

Shqipëria U-17 e drejtuar nga boshnjaku Xhemal Mustedanagiç i ka nisur shumë mirë eliminatoret në Grupin 12, pasi ka fituar me rezultatin 2-1 kundër Sllovakisë. Kjo ishte ndeshja e parë e këtij grupi, e luajtur në Talin të Estonisë. Shqipëria ka marrë një fitore të rëndësishme që i jep shpresa kualifikimi. Pjesa e parë 40-minutëshe është mbyllur pa gola. Më pas, në fraksionin e dytë të lojës, sulmuesi i FC Rodhos, Franc Ymeralilaj, kalon në avantazh shqiptarët. Megjithatë, sllovakët përgjigjen menjëherë dhe barazojnë dy minuta më pas me Duris. Por në minutën e 58-të, është përsëri sulmuesi Ymeralilaj që gjen rrjetën dhe kësaj radhe kundërshtarët nuk arrijnë të barazojnë. Nga grupi kualifikohen direkt dy vendet e para dhe gjithashtu edhe dy vendet e treta me të mira nga 13 grupet. Po për këtë grup, Gjermania ka fituar me rezultatin e thellë 5-0 kundër Estonisë. Gjermanët e mbyllen pjesën e parë në avantazh 1-0, dhe shënuar katër gola të tjerë në pjesën e dytë. Estonia mbeti me 10 lojtarë në fund të pjesës së parë dhe mori një tjetër karton të kuq në minutën e 63-të, duke e mbyllur ndeshjen me 9 lojtarë. Gjermania është kundërshtari i radhës për shqiptarët. Ndeshja do luhet nesër në 15:00 me orën lokale.

Sllovaki-Shqipëri 1-2
Shënues: Duris 45’/ Ymeraliaj 43′, 58′
Kartonë të verdhë: Kralik, Trabalik/ Syku, Marku, Sokoli, Bardhi
Gjyqtarë: Domagoj Vukov/ I.Modriç dhe M.Mikson (EST)
Sllovakia: Koniçek, Bero, Satka, Lacko (Jakubek 68′), Ivan, Zuziak (Trabalik 54′), Lesko, Kralik, Duris, Skriniar, Fajçik (Lupko 41′). Trajner: Pecko.
Shqipëria: Teqja, Jonuzi, Syku, Marku, Sokoli, Çekiçi (Hakrama 60′), Kalaja, Ymeralilaj (Vatnikaj 80′), Ymeraj (Hoxhallari 70′), Bardhi, Hoxha.
Trajner:  Mustedanagiç.

© Panorama.al

Te lidhura