Shqipëri-Pakistan, Topalli pret homologen Mirza

Oct 15, 2011 | 13:27

TIRANË- Komisioni parlamentar për thellimin e marrëdhënieve, jo vetëm të shkëmbyer përvoja legjislative, por për të nxitur bashkëpunimin në të gjitha fushat mes vendit tonë dhe Pakistanit. Këtë ka propozuar sot kryetarja e parlamentit të Pakistanit,  Fahmida Mirza, gjatë takimit të zhvilluar me kryetaren e parlamentit shqiptar, Jozefina Topalli.

“Bashkëpunimi mes parlamenteve ka një rol thelbësor, sepse janë pikërisht parlamentarët ata që përfaqësojnë qytetarët. Lidhjet personale, tha ajo, janë shumë të rëndësishme, ndaj dhe ndjehem mjaft mirë që jam sot këtu në Tiranë për të çuar marrëdhënien mes dy vendeve përtej bashkëpunimit ekzekutiv.”- tha Mirza gjatë takimit.

Nga ana e saj, Topalli shprehu bindjen se kjo vizitë është shumë e rëndësishme, si një nxitje konkrete edhe për bashkëpunimin në fusha të tjera, veçanërisht në marrëdhëniet ekonomike me Pakistanin, një vend me potenciale të mëdha, me një popullsi rreth 180 milion banorë.

Duke u ndalur në çështjen e Kosovës, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli tha se “Ne vlerësojmë qëndrimet pozitive të Pakistanit ndaj Kosovës, si gjatë luftës ashtu edhe pas shpalljes së Pavarësisë. Do të vlerësonim shumë  që Pakistani të çonte më tej këto qëndrime duke njohur pavarësinë e Kosovës,  në shërbim të paqes dhe stabilitetit.”

Mirza theksoi se Pakistani e ka seriozisht në konsideratë çështjen e Kosovës dhe se çdo vendim do të merret në përputhje me principet dhe ligjet ndërkombëtare.

 

© Panorama.al

Te lidhura