
GJIROKASTER- Dy policitë rajonale kufitare ajo e Gjirokastrës dhe e Janinës, kanë nënshkruar një marrëveshje për goditjen pa kompromis të grupeve kriminale që ushtrojnë veprimtari të trafikut njerëzor dhe narkotik në të dy anët e kufirit.
Dy krerët më të lartë të Policive Rajonale, përkatësisht kreu i Drejtorisë së Policisë së Gjirokastrës, Emri Vata dhe homologu i tij i Janinës, Vasilis Theoharis, kanë nënshkruar marrëveshjen, e cila do të forcojë ndjeshëm goditjen e trafiqeve nga të dy anët e kufirit siç u shprehën vetë ata.
Zoti Vata ka vlerësuar bashkëpunimin e deritanishëm ku janë shkëmbyer mjaft informacione me vlerë për grupet kriminale që veprojnë në të dyja anët e kufirit në fushën e trafikut të lëndëve narkotike.
Ndërkaq, Drejtori i Policisë së Janinës Vasilis Theoharis, ka vlerësuar korrektesën dhe saktësinë e informacioneve të dhëna nga Policia e Qarkut të Gjirokastrës përfshirë edhe atë Rajonale Kufitare çka për të, është një fryt i bashkëpunimit i cili duhet shtrirë akoma më tej me qëllim, siç tha ai, goditjen deri në qelizë të grupeve kriminale.
Pjesë e marrëveshjes nënshkruar mes Vatës dhe Theoharisit, është penetrimi në territorin shqiptar të punonjësve të Policisë Kufitare të Janinës dhe i atyre shqiptarë në territorin grek.
Piro Nase
© Panorama.al











