
Kombëtarja/ Trajneri kuqezi grumbullon Mavrajn, Brahimin dhe Sadikun.
Tekniku: Hamdiun s’e lënë, por edhe Çani ka probleme.
Trajneri i Kombëtares shqiptare, Xhani de Biazi, do të ketë në dispozicion tre futbollistë debutues në miqësoret kundër Katarit dhe Iranit. Përveç portierit Etrit Berisha, janë ftuar edhe mbrojtësi Mërgim Mavraj dhe mesfushori i Shpresave, Mërgim Brahimi. De Biazi ka lënë jashtë Xhevahir Sukajn që po shkëlqen në Iran me Sepahanin, por ka grumbulluar sërish bomberin e shpresave, Armando Sadikun. Tekniku i ka cilësuar si shumë të rëndësishme dy ndeshjet miqësore më 22 dhe 27 maj, duke thënë se do të jetë një provë e mirë për gjithë skuadrën. “Kemi zhvilluar vetëm një ndeshje deri tani, madje edhe atëherë punuam në kushte jo të favorshme, sepse disa futbollistë erdhën shumë vonë, një pjesë tjetër mungonin prej impenjimeve ose ishin të dëmtuar. Dua të them se ky do të jetë grumbullimi i parë i plotë dhe do të më shërbejë të shoh nga afër potencialin real të skuadrës, por pse jo të njihem më mirë edhe me aftësitë e gjithsecilit dhe të përmirësojmë bashkëpunimin mes tyre. Objektivi ynë është të shohim se në ç’gjendje jemi dhe të marrim masa për përmirësime apo për ndryshimet e nevojshme”, tha De Biazi për “Panorama Sport”. Sakaq, Hamdi Salihi nuk do të vijë pasi klubi amerikan DC Junajtid nuk e ka lejuar sulmuesin shkodran që të udhëtojë për këto dy ndeshje drejt Europës. Kujtojmë se kampionati në këtë vend është në kulmin e tij, ndaj edhe skuadra amerikane, duke u nisur edhe nga largësia, ka vënë veton për mosgrumbullimin e Salihit me ekipin përfaqësues. Kujtojmë se Salihi nuk ka qenë as në miqësoren e 29 shkurtit me Gjeorgjinë, edhe në atë rast për shkak të amerikanëve (sapo kishte firmosur me DC Junajtid). Probleme dhe për Edgar Çanin, i cili është i ftuar, por situata e tij te skuadra polake e Polonia Varshavës është ndërlikuar së tepërmi. “Salihi nuk do të grumbullohet dhe më vjen keq, pasi nuk e pata as në ndeshjen kundër Gjeorgjisë. Klubi i Dc Junajtid nuk ka pranuar ta lërë të lirë, duke qenë se kjo nuk është datë zyrtare e FIFA-s, ka sqaruar De Biazi – Edgar Çani do të jetë i grumbulluar pa diskutim, sepse ai është pjesë e rëndësishme e Kombëtares tashmë. A jam i shqetësuar për të? Po, pak po. Ka probleme te klubi, për shkak të disa rregullave disi absurde që kanë vënë drejtuesit për ekipin. Gjithsesi, nuk dua të hyj në këtë temë. Di vetëm që nuk po kalon një moment të mirë dhe kjo pa diskutim që nuk e ndihmon lojtarin. S’mund të them gjë tjetër veçse të zgjidhet sa më shpejt”, ka deklaruar tekniku italian. De Biazi pritet të publikojë sot listën e futbollistëve që do të grumbullojë për këto dy miqësore.
Berisha gol në Ligën e Kampioneve në Azi
Besart Berisha s’di të ndalet te Brisbane Roar. Pasi u dha plot gola australianëve në kampionatin e këtij shteti, duke qenë golashënuesi më i mirë, sulmuesi po vazhdon të shënojë edhe në Ligën e Kampioneve të Azisë. Goli i radhës për Berishën u shënua dje në ndeshjen që Brisbane barazoi me skuadrën kineze, Beijing Guoan. Shënohej minuta e 15-të kur Berisha kalon në epërsi Brisbane. Berisha mori një pasim brenda zonës dhe u tregua i saktë duke dërguar topin në rrjetë përballë portierit kundërshtar, por skuadra kineze barazoi në minutën e 34-rt. Javë më parë sulmuesi realizoi edhe ndaj skuadrës japoneze FC Tokio. Gjithsesi, kampionët e Australisë nuk kanë bërë një paraqitje të mirë në Kupën e Kampioneve të Azisë dhe pas kësaj ndeshjeje renditen të fundit në grup me tri pikë. Në gjashtë ndeshje ata arritën tri barazime dhe tri humbje.
Skënderbeu e Tirana, “luftë” për Kupën
Tirana dhe Skënderbeu do të luajnë sonte në orën 20:00 në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa” finalen e Kupës së Shqipërisë, trofeu i dytë më i rëndësishëm në kampionatin shqiptar (gjykon Lorenc Jemini). Tirana nuk do ketë në dispozicion Gilman Likën, i cili nuk arriti të rikuperohet pas dëmtimit të marrë para 10 ditësh ndaj me gjasa do të luaj me këtë formacion: në portë I. Lika, në mbrojtje Sina, Pisha, Dushku dhe Ahmataj, në mesfushë Taku, Karabeci, K. Duro dhe Ferraj dhe në sulm Cikalleshi me Balën. Ndërsa Skënderbeu ka një formacion të plotë pa mungesa dhe trajneri Levi pritet të hedhë në fushë Shehin në portës, Fagu, Radas, Gvozdenoviç dhe Arapi në mbrojtje, Muzaka, Shkëmbi, Orelesi dhe Allmuça në mesfushë dhe dyshja Plaku-Xhafaj në linjën e sulmit. Kjo është hera e katërt që skuadra korçare shkon deri në finale të Kupës, por nuk e ka fituar asnjëherë. Ndërsa Tirana ka shkuar plot 22 herë deri në finale, nga ku 14 herë ka arritur që të bëjë të vetin këtë trofe. Për herë të fundit bardheblutë fituan sezonin e fundit në finale ndaj Dinamos (me penallti).
JETMIR HALILAJ
© Panorama.al











