Shpifja, Albana Vokshi fiton dhe 2 milionë nga kolegu Artan Gaçe

Oct 26, 2011 | 11:45

TIRANE – Deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi, ka fituar një tjetër gjyq kundër deputetëve të opozitës, që i ka paditur për “shpifje”. Një vendim gjyqësor i dy ditëve më parë çoi në tre numrin e gjyqeve të fituara nga ana e deputetes Vokshi. I padituri i radhës i detyruar për të dëmshpërblyer deputeten Vokshi është deputeti socialist Artan Gace. Sipas vendimit të Gjykatës, Gace është i detyruar t’i paguajë paditëses Vokshi një shumë prej 2 milionë lekësh të rinj. Deputeti Gace është “gjobitur” nga Gjykata e Tiranës, e cila ka vlerësuar si të drejta akuzat e deputetes Vokshi për shpifje në emër të saj nga ana e deputetit të PS-së. “Detyrimin e palës së paditur Artan Gace që të dëmshpërblejë paditësen Albana Vokshi për dëmin jopasuror në vlerën 2 000 000 (dy milionë) lekë”, thuhej në diapozitivin e vendimit të gjykatës. Vendimi në fjalë është shprehur nga gjykata në përfundim të 12 seancave gjyqësore të këtij procesi. Deputeti Gace është i treti deputet socialist në radhë që detyrohet nga Gjykata e Tiranës të dëmshpërblejë deputeten Vokshi. Më parë, në korrik të këtij viti, gjykata gjobiti deputetin Eduart Shalsi t’i paguante një shumë prej 1 milion lekësh Vokshit. Ndërsa dy ditë më parë, një vendi tjetër detyronte deputetin Sajmir Tahiri t’i paguante Vokshit një dëmshpërblim prej 3.3 milionë lekësh. Të tria këto padi kanë pasur si objekt “shkaktim dëmi jopasuror”. Këto padi janë pjesë e një “serie” prej nëntë padish të depozituara nga deputetja Vokshi në shtator të vitit të kaluar në Gjykatën e Tiranës kundër nëntë deputetëve të Partisë Socialiste. Pjesa tjetër e padive, veç asaj të Shalsit, Tahirit dhe Gaces, janë duke u shqyrtuar. Sipas pretendimeve të Vokshit, deputetët e paditur i kishin cenuar asaj dinjitetin dhe reputacionin, duke deklaruar publikisht fakte të pavërteta, që kishin të bënin me disa të ardhura të padeklaruara të bashkëjetuesit të saj, Arjan Tartari.  ar.ba

© Panorama.al

Te lidhura