
Liderët e BE-së u mblodhën për një samit emergjence në Bruksel për të kërkuar një zgjidhje mbi krizën e borxhit në eurozonë, me dyshime të forta se mund të arrihej një marrëveshje. Thelbi i samitit është arritja e një marrëveshjeje mbi modelin që duhet përdorur për të shpëtuar Greqinë dhe parandalimi i vendeve të tjera të eurozonës që të arrijnë në gjendjen e saj. Nëse nuk arrihet një marrëveshje, Fondi Monetar Ndërkombëtar mund të jetë i detyruar të vepojë. Zyrtarë të eurozonës kanë deklaruar se FMN mund të presë një fond të ri për të zgjeruar borxhet për qeveritë në rrezik. Kancelarja gjermane, Anxhela Merkel, pasi arriti të marrë mbështetjen në Parlamentin e vendit të saj për zgjerimin e fondit të shpëtimit të euros, tha se mbeten edhe shumë probleme për t’u zgjidhur, duke ngritur dyshimet se samiti i së mërkurës do të shërbente për gjetjen e marrëveshjeje përfundimtare. Ekziston frika se kriza e borxhit në Greqi do të përhapet në Spanjë dhe Itali. Merkel dhe presidentja e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kristine Legarde, mbërritën dje në Bruksel për të drejtuar samitin. E ardhmja ekonomike e qindra-miliona njerëzve që banojnë në BE, varet nga arritja apo dështimi i këtij samiti, i cili duhet të vendosë se si ekonomia e goditur greke do të shpëtohet dhe çfarë masash duhen marrë për të evituar që vende të tjera të bien në pozitat e saj dhe të shkatërrojnë euron. Takimi u bë pas një fjalimi paralajmërues të kancelares Merkel, se dështimi i euros do të sillte dështimin e Europës, ndërsa ajo e vuri theksin mbi një plan për të mbështetur Greqinë. Mirëkuptim në parim ekziston në të ashtuquajturën levë e ombrellës për shpëtimin e euros, EFSF. Ky mjet financiar duhet të mobilizojë më shumë se një miliardë euro, si domosdoshmëri për të ndihmuar sërish Greqinë, e zhytur thellë në borxhe dhe për të përfshirë më shumë bankat, në mënyrë që ato të heqin dorë nga kërkesat ndaj Athinës, së paku në masën 50 për qind. Megjithatë, prospekti për vendime konkrete nga samiti u errësua nga shtyrja e një takimi të ministrave të Financës deri në fund të javës. Kthimi i fondit të shpëtimit në një “bankë”, e cila mund të marrë hua nga Banka Qendrore Europiane, është një ide e favorizuar nga Franca, por e hedhur poshtë nga Berlini dhe këto ditë është kërkuar me lupë për një sistem sigurie për borxhin. Skema do të mbulonte 20-përqindëshin e parë për çdo humbje, gjë që përbën një rrezik shumë të madh për mbajtësit e bonove. Heqja e 50-60 për qind e borxhit grek është një kartë e vendosur në tryezë, pasi të gjithë janë dakord se Athina nuk do të jetë kurrë e aftë të ripaguajë plotësisht huadhënësit e saj. Bankat dhe institucionet e tjera, që i kanë dhënë hua Greqisë, janë nën presion për të hequr dorë nga një pjesë e madhe e kthimit të borxhit.
Reforma radikale
Pak orë para samitit të BE-së, koalicioni qeveritar italian i drejtuar nga Kryeministri Silvio Berluskoni ra dakord për propozime të përbashkëta për reformat ekonomike radikale në vend. “Është arritur një marrëveshje kalimtare”, tha kreu i partnerit qeveritar Lega e Veriut, Umberto Bosi. Por nuk ka kaluar ende rreziku i shpërbërjes së qeverisë. Me borxhe që arrijnë 120 për qind të GDP-së, Italia vazhdon të jetë faktor rreziku në zonën e euros. Borxhet e përgjithshme arrijnë në 1,9 miliardë euro. Në samitin e së dielës, liderët e eurozonës i kishin kërkuar Berluskonit që të paraqitej me plane të detajuara reformash.











