
Drejtuesit e Skënderbeut u bindën se duhet të ndryshonin trajnerin që pas humbjes së Superkupës me Tiranën. Zyrtarisht, Presidenca mohonte të kishte një çështje “Duro”, ndërkohë që lajmi për lëkundjen e pankinës u paralajmërua një ditë pas asaj ndeshjeje. Trajnerit i vinin gjithnjë sinjale pozitive, teksa donatorët konfirmonin besimin ndaj tij, por nga krahu tjetër po përgatitej emërimi i teknikut të ri. Pak ditë pas dështimit në Superkupë, një nga donatorët e Skënderbeut ka kontaktuar me trajnerin serb, Ljupko Petroviç. Mësohet se drejtuesit kanë qenë të fiksuar për të afruar teknikun që i dha Ligën e Kampioneve Crvena Zvezdës në vitin 1991. Megjithatë, ata kanë dal huq në bisedimet me serbin. Në momentin që ra pista e serbit, presidenca u vu në lëvizje për të tjerë emra, të cilët sugjeroheshin nga menaxherë të ndryshëm, por edhe njerëz pranë Kombëtares shqiptare. Kështu, çeku Stanislav Lev ishte i papunë dhe nuk kishte kërkesa të larta. Me 53-vjeçarin kishte punuar edhe kapiteni i Kombëtares, Altin Lala. Fjalët e këtij të fundit u hapën rrugën bisedimeve dhe më pas konkretizimit të kontratës me çekun, që firmosi zyrtarisht.











