Shpërthimi, sindikata padit ACR

Oct 21, 2011 | 11:59
Minatorët duke transportuar kolegët pas shpërthimit

Minatorët e Bulqizës rikthehen në minierë. Një ditë pas ceremonisë mortore të minatorit Naim Shyti, këshilli sindikal i minatorëve vendosi rikthimin e tyre në galeri. Burime të sigurta informacioni thanë se në nivelet 12, 13 dhe 14 ka rifilluar puna, pasi inspektorët e RISHM-it janë shprehur se frontet e punës janë të sigurta dhe nuk ka probleme për jetën dhe shëndetin e punëtorëve. Specialistët e ardhur nga Tirana vijojnë inspektimin në nivelin 15 e 16, pasi janë konstatuar sasi të mëdha të gazit. Në këto nivele nuk është lejuar rikthimi i minatorëve dhe ACR po merr masa për pastrimin e fronteve të punës nga gazi në këto nivele. Në lidhje me ngjarjen e rëndë, Prokuroria e Dibrës dhe prokurorë të ardhur nga Tirana kanë nisur dje hetimet në thellësitë e minierës. Në krye të grupit hetimor ishte Hysni Vata, prokuror i rrethit Dibër. Ai dhe kolegë të tij, së bashku me specialist të RISHM-it, kanë nisur marrjen e provave në nivelin e 16 e 17, mirëpo nga të dhënat e siguruara nga burime të rezervuara, vijimi i hetimeve nuk do të jetë i lehtë, pasi ende përqindja e gazit në këto galeri është e lartë. Ngjarja e rëndë ka pasur një tjetër reagim nga ana e Konfederatës së Sindikatave të Shqipërisë. Ajo ka vendosur të padisë ACR-në si shkaktare të ngjarjes të së martës, ku humbi jetën një minator dhe u plagosën rëndë tetë të tjerë. Taf Koleci, president i Sindikatës së Punonjësve të Industrisë, deklaroi dje se këshilli sindikal po pret zbardhjen e hetimeve nga Prokuroria e Përgjithshme dhe ajo e Dibrës, si dhe Reparti i Inspektim Shpëtimit të Minierave. “Ne, tha Koleci, do të padisim në organet e Drejtësisë firmën austriake ACR, sepse ka filluar punën në minierë në kundërshtim me një urdhër të METE-s që bënte fjalë për pezullimin e punës në minierë”, tha ai. Sindikata nuk jep detaje të padisë, por kjo është padia e dytë e minatorëve kundër firmës koncesionare. Nga ana e saj, pronarja Depicsh e ACR-së, vetëm dje doli publikisht për të ngushëlluar familjen e Naim Shytit dhe ka uruar tetë minatorët e plagosur për shërim sa më të shpejtë. Ndërkaq, pronarja hedh poshtë akuzat se ACR ka shkelur urdhrat e dhëna nga Ministria e Ekonomisë. Sipas saj, firma ka qenë shumë korrekte me të gjitha ligjet, vendimet dhe urdhrat e marra nga autoritetet shqiptare.

Ministri Naço: Ngjarja po shfrytëzohet politikisht
Ministri i Ekonomisë dhe Energjetikës, Nasip Naço, deklaroi dje në Parlament se ngjarja po shfrytëzohet politikisht. “Më vjen keq që ju mezi pritët, e thatë edhe para një muaji që do ketë një Gërdec të dytë në Bulqizë dhe me vrap sa u ul helikopteri përfituat nga rasti për të marrë kredo politike. Për të mos lejuar që helikopteri të ulet herë pas herë dhe dikush të përfitojë kredo politike, kam marrë unë masat që politikanë sezonalë të mos përfitojnë nga fatkeqësia e të tjerëve”. Ministri ka përmendur me data urdhrat e lëshuara prej tij, që nga kontrolli më 3 qershor 2011, i marrëveshjes me Darfo, duke vazhduar me kontrollet në minierë, pezullimin e lejes minerare, penalitetin ndaj ACR-së e deri te data 10 gusht, për ndërprerjen e prodhimit për minierën dhe marrjen e masave për rehabilitimin e saj. “Më 29 shtator 2011, kam kërkuar që të shlyheshin detyrimet. Më 6 tetor, kam kërkuar zbatimin e detyrave të lëna dhe pezullimin e saj nga institucionet ligjzbatuese”.

BULQIZE/ HASAN PASHA

© Panorama.al

Te lidhura