Shpërthimi i tritolit “zbulon” 4.5 kg hashash në apartament

Oct 22, 2011 | 13:26

TIRANE – Një sasi tritoli ka shpërthyer në dritaren e një apartamenti në katin e dytë të një pallati në rrugën “Naim Frashëri” në Tiranë. Shpërthimi ndodhi rreth orës 02:15 të mëngjesit të djeshëm. Apartamenti ku ishte vendosur lënda eksplozive ishte marrë me qira vetëm një muaj më parë nga dy djem të rinj. Banorët e bllokut të pallateve të vjetra, pjesë e të cilave është edhe vendi i ngjarjes, thanë dje se shpërthimi ka qenë mjaft i fuqishëm dhe është ndjerë pothuajse nga të gjithë. Madje, nga plasja e eksplozivit nuk janë dëmtuar vetëm dritaret e apartamentit ku jetonin katër të rinj nga Tropoja, por edhe apartamenti i katit të tretë, sipër tyre, si dhe disa automjete që ndodheshin të parkuara në oborrin e pallateve. Forcat e policisë së Komisariatit Nr. 2 kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes për të bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes, madje të pranishëm kanë qenë edhe ekspertë antieksploziv. Sipas burimeve, shpërthimi është shkaktuar nga një sasi rreth 50-60 gramë tritol e vendosur në parmakun e dritares. Ndërsa banorët kanë deklaruar se nuk kanë parë asgjë, por kanë dëgjuar vetëm hapa njerëzish që largoheshin me nxitim dhe që shanin me zë të lartë. Por, gjatë kontrollit të banesës ku ndodhi shpërthimi, policia gjeti një çantë në dhomën e gjumit, brenda së cilës ndodhej një sasi prej rreth 4.5 kilogramësh bimë narkotike, e dyshuar Cannabis sativa. Për këtë arsye, policia arrestoi katër të rinjtë që ndodheshin në shtëpi. Sipas Policisë, të arrestuarit janë Jetmir Katana, 16 vjeç, Ardit Ymaj 25 vjeç, Almir Gjidiaj, 19 vjeç dhe Rinor Osmanaj 26 vjeç, të katërt nga Tropoja. Burimet thanë se katër të rinjtë mbaheshin në vëzhgim prej disa javësh, pasi dyshohej se merreshin me shitje të lëndëve narkotike. Ndërsa mësohet se edhe shpërthimi ka lidhje pikërisht me sasinë e hashashit që u gjet në banesën e tyre dhe dyshohet se mes autorëve të shpërthimit dhe të arrestuarve mund të ketë pasur një konflikt të mëparshëm për sasinë e bimës narkotike që ishte e destinuar për shitje.

© Panorama.al

Te lidhura