Gjatë orëve të para të mëngjesit të së martës, në Veri të Mitrovicës ka ndodhur një shpërthim i fortë, pranë zyrave të EULEX-it. Lënda shpërthyese ishte vendosur në makinën e një serbi, që punonte për misionin europian. Shpërthimi ka shkaktuar vetëm dëme materiale dhe jo viktima në njerëz. EULEX e ka dënuar ashpër sulmin. “Kjo ishte një përpjekje e qartë e frikësimit kundër këtij pjesëtari të stafit dhe misionit në tërësi. Ky është një sulm kriminal kundër Misionit të Bashkimit Europian për sundimin e ligjit në Kosovë dhe, si i tillë, është i papranueshëm”, citohet të ketë thënë Ksavier de Marnak.











