
I shpërthen dinamiti në duar, humb jetën punëtori i gurores. Ngjarja është shënuar në fshatin Symiz të Korçës, ku një 61-vjeçar nga fshati Kolanec i Korçës si zakonisht ka qenë duke punuar në guroren ku ai ishte i punësuar prej më se një viti. Sipas të dhënave, Maksim Kodra ka qenë duke përgatitur lëndën plasëse, e cila përdorej më tej për shpërthimet në guroren e fshatit Symiz, kur aksidentalisht një kapsollë dinamiti ka plasur duke i shkaktuar atij dëmtime të rënda në të gjithë trupin. 61-vjeçari është shoqëruar menjëherë në spitalin rajonal të qytetit të Korçës, por atje ka ndërruar jetë si pasojë e dëmtimeve të shumta.
Ngjarja
Maksim Kodra ishte duke punuar mesditën e së mërkurës rreth 300 metra larg rrugës nacionale Korçë-Pogradec me materialet plasëse dhe një kapsollë dinamiti. Sipas ekspertëve, të cilët kanë kryer analizën e vendngjarjes, mendohet se 61-vjeçari mund të jetë plagosur pasi ka ndezur një fitil, në tentativë për të copëtuar disa copa shkëmbinjsh, të cilat ndodheshin pak metra në distancë nga gurorja. Pasi është dëgjuar shpërthimi, një prej punëtorëve të gurores i është drejtuar vendngjarjes dhe ka njoftuar menjëherë policinë. I cilësuar si i vetmi dëshmitar i ngjarjes, punëtori është marrë në pyetje për të dhënë më tepër detaje, pasi i dëmtuari është transportuar prej tij me urgjencë drejt spitalit të Korçës. Pavarësisht ndihmës që i është dhënë nga mjekët, viktima nuk ka mundur të mbijetojë, si pasojë e sasisë së madhe të gjakut që kishte humbur, por edhe dëmtimit të organeve jetësore nga shpërthimi. Burime të Policisë sqaruan se shkak për ngjarjen është bërë një pakujdesi nga ana e punëtorit, i cili ka përdorur një fitil tepër të shkurtër dhe, pas ndezjes së tij, nuk ka pasur mjaftueshëm kohë për t’u distancuar nga vendi ku kishte vendosur lëndën plasëse. Ky version është mbështetur më tej edhe nga gurët e copëtuar të gjetur në vendin e ngjarjes.
Policia
Pas sinjalizimit për ngjarjen, ekspertët e krimit janë nisur drejt gurores në Symiz, ku nga verifikimet e kryera por edhe këqyrja e kufomës, ngjarja është klasifikuar si aksidentale. Në pyetje është marrë edhe punëtori, i cili ka shkuar në vendngjarje dhe ka konstatuar 61-vjeçarin, ende me shenja jete. Nga deklarimet e tij, viktima nuk ka përllogaritur kohën që do t’i duhej për t’u larguar nga vendi ku ishte lënda plasëse dhe ky ka qenë shkaku kryesor i ngjarjes. Ndërkaq policia ka shoqëruar edhe dy pronarët e gurores ku ishte duke punuar Kodra, të cilët janë shprehur se nuk kishin dhënë urdhër ditët e fundit për shpërthime. Nga ana e saj, policia ka nisur hetimet për të verifikuar nëse përmbusheshin kushtet e sigurisë në punë. Po të njëjtat burime kanë konfirmuar se subjekti privat ku ishte i punësuar viktima, ishte i licencuar dhe se viktima ka qenë një punonjës i deklaruar.
KORÇE/ DHORJELA DEMKOLLI











