TIRANE – Rrjedhja e gazit në kuzhinën e një restoranti në Tiranë shkaktoi një shpërthim të fuqishëm, nga i cili mbetën të plagosur tre persona. Ngjarja ndodhi rreth orës 14:00, në një restorant mbrapa Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Shpërthimi shkaktoi dëme të konsiderueshme materiale në ambientet e brendshme dhe të jashtme të lokalit, gjithashtu nga presioni i fuqishëm u dëmtuan edhe 3 automjete që ndodheshin të parkuara pranë vendit të ngjarjes. Në vendin e ngjarjes shkuan menjëherë forca të shumta policie, ndërsa nuk ka qenë e nevojshme ndërhyrja e zjarrfikëses, pasi zjarri u shua nga punonjësit e lokalit. Burime nga Policia e kryeqytetit thanë se janë plagosur lehtë kuzhinierja, një banakier dhe një punonjës i restorantit, të cilët kanë pësuar djegie në pjesë të ndryshme të trupit, teksa përpiqeshin të shuanin zjarrin që përfshiu kuzhinën. Mësohet se në momentin kur ka ndodhur ngjarja, veç punonjësve të lokalit ndodheshin edhe gjashtë klientë, brenda dhe jashtë restorantit, të cilët kanë pësuar dëmtime të lehta nga përplasja në tokë pas shpërthimit. Policia ka bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes dhe ka marrë në pyetje dëshmitarët për të zbuluar shkaqet e shpërthimit. Paraprakisht, dyshohet se gjithçka ka ndodhur nga rrjedhja e gazit, që në momentin kur ka rënë në kontakt me flakën është përhapur në gjithë kuzhinën e më pas ka ardhur shpërthimi i fuqishëm. Por, sipas Policisë, fatmirësisht bombola nuk ka pasur sasi të madhe gazi, pasi në rast se do të ishte plot, pasojat e shpërthimit mund të kishin qenë edhe më të rënda. Të plagosurit janë transportuar me urgjencë drejt qendrës spitalore “Nënë Tereza”, në pavijonin e djegieve, ku kanë marrë ndihmën e parë mjekësore. Sipas burimeve, gjendja e tyre shëndetësore nuk paraqet rrezik për jetën, pasi plagët nga djegia nuk kanë qenë të shkallës së lartë. Pasi të kenë përfunduar trajtimin në terapi intensive, të plagosurit do të merren në pyetje nga oficerët e policisë, për të shpjeguar rrethanat e ngjarjes.
Zjarri në autostradë, hetim për punimet
Zjarri i fuqishëm që përfshiu mbrëmjen e së shtunës depozitat e karburantit në autostradën Tiranë-Durrës, dyshohet të ketë rënë për shkak të shkeljes së rregullave të sigurisë në punë. Për këtë arsye, Policia dhe Prokuroria që po hetojnë shkaqet e zjarrit, kanë nisur procedim penal me akuzën e “shkeljes së rregullave të sigurisë në punë”, me pasojë plagosjen e tre personave dhe “shkatërrim të pronës me zjarr”. Nga deklarimet që kanë dhënë në polici disa dëshmitarë pranë vendit të ngjarjes, por edhe punonjës të kompanisë ku ra zjarri, mësohet se flakët kanë nisur të përhapen gjatë kohës që aty po kryheshin punime me fresibël. Sipas burimeve nga grupi hetimor, dyshohet të kenë qenë pikërisht shkëndijat që lëshon fresibëli gjatë prerjes, që kanë rënë në kontakt me benzinën, duke sjellë përhapjen e zjarrit. Pritet që në lidhje me ngjarjen të merren në pyetje edhe 3 të plagosurit, që sipas Policisë e kanë kaluar rrezikun për jetën.











