Shoqëri apolitike

Oct 1, 2011 | 11:11

ILIR KALEMAJ

Çorganizimi shoqëror, rritja e alienimit social, mungesa e fijeve kapilare që përbëjnë stofin që mban bashkë atë që rëndom referohet si shoqëri e organizuar, dhe rrudhja e aktivizimit qytetar, janë disa nga fenomenet postmoderne që shoqërojnë botën e globalizuar nga njëri skaj në tjetrin. Në SHBA, për shembull, ka vite që vihet re ajo që politologu R. Putnam e quan “bowling alone” (të luash bouling i vetëm), duke iu referuar një prej atyre lloj sportesh,  i cili, nëpërmjet ligave të veta speciale, sillte bashkë amerikanë të shtresave të ndryshme dhe mundësonte biseda me karakter socio-politik, të cilat nxitnin dhe kanalizonin frustrimet që mund të vinin si rrjedhojë e politikave qeverisëse në nivel lokal apo kombëtar. Sot, kur njerëzit anembanë globit ndiejnë gjithnjë e më tepër presionin e edukimit dhe kualifikimeve të vazhdueshme për të qenë të përputhshëm me profilet që u kërkon tregu i punës, apo koha që kërkojnë interneti dhe televizori, për të qenë sa më në linjë me kërkesat e epokës ku jetojmë, si dhe rekreacionet e llojeve të ndryshme, bëjnë që koha në dispozicion të angazhimeve civile dhe sociale të reduktohet në thuajse zero.
Shoqërisë njerëzore iu deshën dhjetëra, në mos qindra mijëvjeçarë për të bërë kalimin nga fiset e gjuetarëve në shoqërinë e organizuar agrare me shpikjen e plugut dhe parmendës. Iu desh një kohë mjaft më e vogël për të bërë kalimin në epokën moderne, ku revolucioni industrial në shekullin e tetëmbëdhjetë, me motorin me avull, telegrafin, apo fabrikat e reja që bënë të mundur lindjen e qendrave urbane të mirëfillta dhe zhvendosjen masive demografike që bëri të mundur lindjen e ekonomisë kapitaliste moderne. Nga ana tjetër, këto lloj marrëdhëniesh ekonomike të reja, të cilat kërkonin një organizim më vertikal, së bashku me shpërhapjen masive të librave të shtypur (atë që B. Anderson e quan në mënyrë simbolike “print capitalism”, pra printimi dhe përhapja masive e librave në vernakular/ gjuhë amtare), mundësoi formësimin e shtet-kombit si njësia më e rëndësishme socio-politike e të paktën dy shekujve të fundit. Kohë kjo e mjaftueshme për të bërë kalimin drejt një revolucioni tjetër, post-industrial, i cili njihet si revolucioni know-how dhe ka çuar drejt shoqërisë së informacionit.
Nëse para shekullit të tetëmbëdhjetë, mbi 90 për qind të njerëzve punonin në bujqësi, revolucioni industrial bëri të munduar kalimin drejt qendrave urbane dhe rriti ndjeshëm proporcionalisht punësimin e njerëzve në industri, qoftë kjo në vendet perëndimore, apo bllokun komunist. Revolucion post-industriali, i fokusuar në teknologjinë e dijes dhe shpërhapjen e informacionit, ka bërë të mundur që shumica e njerëzve të punësuar sot në botë (të paktën në vendet e zhvilluara dhe ato në zhvillim) të jetë në dy të tretat i/e punësuar në shërbime apo ekonominë e informacionit. Kjo ka sjellë që përqindja e njerëzve që punojnë në bujqësi të paktën në vendet e zhvilluara të jetë në kufijtë e 1-2 përqindëshit, por që falë progresit të inxhinierisë agrare, të arrihet një rentabilitet sa më i lartë i prodhimeve bujqësore. Po ashtu përqindja e të punësuarve në industri ka rënë në shifra minimalë për herë të parë në të paktën njëqind e pesëdhjetë vitet e fundit. Kjo ka bërë që thuajse çdo gjë që hamë, pimë, veshim apo përdorim për konsum të përditshëm,- (nga televizori te makinat dhe nga kompjuteri personal te avioni), të prodhohet përveç kostos së lirë (si rezultat i prodhimit në seri dhe shfrytëzimit të krahut të lirë të punës që arrihet nëpërmjet “outsourcing” të kompanive gjithnjë e më globale),- të prodhohet nga vetëm një përqindje e papërfillshme njerëzish, ndërkohë që pjesa më e madhe punojnë në aktivitete joprodhuese.
Revolucioni industrial prodhoi ose u shoqërua me romanticizmin (lëvizjen romantike) e përfaqësuar nga emra të tillë si Bajroni, Udsuorthi apo Kolerixh, si një antidot intelektual dhe artistik qe kundërvinte vlerat “natyrore”, por edhe ofronte një lloj paqeje duke iu referuar në mënyrë idilike natyrës dhe vlerave rustike ndaj realitetit që përkeqësohej çdo ditë nën ritmin e një kapitalizmi shpesh të pashpirt që shfrytëzonte punëtorin deri në barbari. Vepra të tilla si Frankeshtajn i Meri Shell-it apo fabrikat e zeza satanike të Blejkut ngërthejnë më së miri këtë kontradiktë të hershme ndërmjet mënyrave të reja të prodhimit dhe stilit të vjetër të jetesës. Fillimet e ndryshimeve teknologjike dhe veçanërisht procesi i globalizimit, që krahas tregtisë së lirë dhe mobilitetit, krijoi dhe kushtet e shpërhapjes së informacionit në kohë reale dhe ritmin gjithnjë e më të ngjeshur dhe dinamik të punëve individuale, bënë të mundur në simbiozë me njëra-tjetrën, tkurrjen e lirisë për t`u shoqërizuar dhe mbrojtur interesat në mënyrë të organizuar. Në fakt, ushtrimi i demokracisë së drejtpërdrejtë, përkundër idealit teorik, nuk ka qenë ushtruar në asnjë shoqëri në mënyrë qoftë edhe disi të plotë. Shembulli i polis-eve greke gjithashtu është larg së qenit tip ideal, duke qenë se nga zgjedhjet dhe të zgjedhurit përjashtoheshin gratë, skllevërit, burrat me të ardhura të pakta, fëmijët dhe pleqtë, pra më tepër se dy të tretat e popullsisë. Me përjashtim të zgjedhjeve periodike, të cilat zakonisht bëhen të ndara për pushtetin lokal dhe atë qendror në cilindo vend, dhe garave të përbrendshme partiake, mundësitë e aktivizimit politik kanë qenë  tradicionalisht të rralla,  thuajse inekzistente, dhe akoma më tepër kjo ndjehet në epokën e sotme ku kombinimi i faktorëve të ndryshëm, thuajse e kanë paralizuar pjesëmarrjen demokratike, duke rritur prirjen deficitare në këtë drejtim. Si rrjedhojë shoqëritë po ç‘organizohen, anomia dhe alienimi social po rritet, tekno-kracia ka zëvendësuar demo(s)- kracinë në vendimmarrje dhe publiku gjithnjë e më tepër nuk është pjesëmarrës në politikat që kanë lidhje me mirëqenien e tij.  Një nga zgjidhjet apo faktorët që garantojnë edhe  stabilitet, edhe pjesëmarrje dhe demokraci në shkallë të gjerë, është parë zakonisht forcimi dhe ekspansionizmi i shtresës së mesme, e cila garanton dinamizmin dhe vitalitetin zhvillimor për të cilat kanë tepër nevojë shoqëritë e sotme. Kjo pasi vetëm shtresa e mesme e popullsisë ka luksin dhe mundësinë që të jetë hem garantuese e një rendi social të drejtë, hem ka luksin të ketë kohën, mënyrat dhe metodat për të garantuar atë shkallë pjesëmarrjeje në proceset vendimmarrëse pa të cilat do ta kishte të pamundur të qeveriste në mënyrë eficiente çdo lloj pushteti. Jo më kot, sa më e lartë të jetë përqindja që zë kjo shtresë përkundër polarizimeve të skajshme në popullsi, aq më e garantuar është si shkalla e përgjithshme e mirëqenies individuale, por edhe kohezioni i përgjithshëm shoqëror. Gjithashtu dëshmon për një shkallë më të lartë pjesëmarrjeje qytetare në politikat publike dhe demokracisë reale në një vend të caktuar. Pa rënë domosdoshmërish në determinizëm, krijimi i infrastrukturës së duhur ekonomike, e garantuar nga rregullat e një shteti ligjor që lejon konkurrimin real dhe të barabartë, është parakusht për rritje të shkallës së pjesëmarrjes politike, demokratizimit të një vendi të caktuar dhe lirisë më të madhe individuale.

© Panorama.al

Te lidhura