
Qeveria ka shtrënguar në maksimum rripin gjatë shtatorit sa u përket shpenzimeve dhe, si rezultat, ka marrë një shifër pozitive në raport me të ardhurat, duke dalë suficit. Treguesit fiskalë të 9-mujorit, të publikuara nga Ministria e Financave, tregojnë se gjatë shtatorit, në arkën e shtetit janë mbledhur më shumë të ardhura sesa para të shpenzuara. Në shifra, këto të ardhura janë 28,349 miliardë lekë, ndërsa shpenzimet 27,892 miliardë lekë, pra një tepricë prej 4.5 milionë dollarësh. Në rezultatin e gjithë këtij 9-mujori, vetëm në janar qeveria ka shënuar një gjë të ngjashme, kur ka mbledhur më shumë të ardhura sesa ka shpenzuar, me një tepricë prej 16 milionë dollarësh. Duke iu rikthyer edhe njëherë analizës së shtatorit për raportin të ardhura/shpenzime, efekti është ndjerë menjëherë te deficiti, i cili nga -31,189 miliardë lekë, ka shkuar -30,732 miliardë lekë. Përtej pozitivitetit të shifrave të qeverisë, krahasuar me vjet, në arkën e shtetit, për shtatorin kanë

shkuar më pak para, por edhe janë investuar akoma më pak. Kështu, një vit më parë, në total shpenzimet kapitale kanë qenë 47,999 miliardë lekë për 9-mujorin, kurse për këtë vit janë 46,104 miliardë lekë, pra me një ulje prej 1,895 miliardë lekë, ose rreth 18 milionë USD. Vetëm në shtator, investimet në krahasim me vjet janë ulur me 4,143 miliardë lekë, ose 41 milionë USD. Kjo, në fakt, ishte e pritshme pas vendimit që mori qeveria që të mos bëhej asnjë prokurim projekti për të cilin nuk ishte lidhur ende kontrata. Këtë shtator janë investuar vetëm 3.6 miliardë lekë nga 7.7 miliardë lekë që u investuan në shtatorin 2010, një përgjysmim që reflekton menjëherë masat e qeverisë për shpenzime minimale.
4.5 milione usd
është teprica që del nga raporti të ardhura/ shpenzime për muajin shtator të këtij viti sipas treguesve të 9-mujorit të Financave
NERTILA MAHO
© Panorama.al











