
Tri zona në Shkodër rrezikohen të përmbyten edhe këtë vit nëse niveli i shirave do të jetë sa dhjetorin e shkuar. Pavarësisht investimit për 9 projekte antipërmbytje gjatë verës, specialistët thonë se zona të tilla si: Oboti në komunën Ana e Malit, Trushi në komunën e Bërdicës dhe Baks Rrjolli në komunën e Velipojës, e kanë të pashmangshme përmbytjen, nëse do përsëritet situata e vitit të kaluar. Në këtë mënyrë bëhet thirrje që banorët të jenë në gjendje alarmi. Në një prononcim për “Panorama” drejtori i bordit të kullimit Shkodër, Rudolf Rasha, shprehet se është duke u bërë një punë e madhe në ndërtimin dhe rikonstruksionin e një sërë argjinaturash mbrojtëse, ku në disa puna ka përfunduar, ndërsa në disa argjinatura, si ajo e Dajçit, pritet të përfundojë shumë shpejt. Por sipas drejtorit të bordit të kullimit, në rast të përsëritjes së situatës së vjetshme, disa zona të veçanta të komunave Ana e Malit, Bërdicë dhe në Velipojë, e kanë të pashmangshme përmbytjen, pasi teknikisht nuk është arritur mbrojtja e tyre dhe banorët e këtyre zonave duhet të jenë të qartë për këtë. Sipas Rashës, duke qenë se lumi Buna është një lumë i cili kalon nëpër dy shtete, Shqipëri e Mal i Zi, mes tyre ka një marrëveshje për lartësinë e argjinaturave në pjesë të

ndryshme të brigjeve të këtij lumi. “Asnjëra palë nuk mund t’i ndërtojë këto argjinatura sipas dëshirës, pasi do të kishin stimulime të përmbytjeve në zona të padëshiruara, si një njërin shtet, ashtu edhe në tjetrin. Kështu, kur niveli i ujit është mbi lartësinë e këtyre argjinaturave, atëherë uji kalon mbi to dhe përmbyt pjesët që janë pas argjinaturave”, ka shtuar më tej Rasha. Aktualisht, janë rreth 23.5 km argjinatura me një vlerë prej 10 milionë dollarësh që janë ndërtuar ose janë ende në proces në qarkun e Shkodrës, me qëllim mbrojtjen e tij nga përmbytjet. Rasha u bën thirrje drejtuesve të njësive vendore që komunat dhe bashkitë të çelin fonde për të mirëmbajtur dhe ruajtur argjinaturat dhe kanalet kulluese që ndodhen në zonat e tyre, pasi Drejtoria e Bordit të Kullimit nuk mund t’ia dalë e vetme në mbajtjen nën kontroll të 60 km argjinaturë, që ka e gjithë zona e qarkut Shkodër. Këto ditë Banka Botërore ka iniciuar një projekt të madh që ka të bëjë me studimin e gjithë ujërave që rrethojnë Shkodrën dhe Nënshkodrën, duke bërë të mundur kështu që më pas të shihen me saktë dhe më me profesionalizëm ndërhyrjet teknike që duhen bërë. Në përmbytjen e fundit, e ndodhur më 4 dhjetor të vitit 2010, që ishte dhe e pesta që kaloi qarku i Shkodrës brenda një viti, në zonën e Nënshkodrës dhe qytetin e Shkodrës u përmbytën 14 mijë ha tokë dhe 4600 shtëpi dhe rreth 31 mijë krerë gjë e gjallë u mbytën, ndërsa me qindra banesa janë pjesërisht të shembura, për shkak të qëndrimit në ujë me javë të tëra.
Dëmi
Përmbytja e një viti më parë në zonën e Shkodrës dhe Nënshkodrës u cilësua si katastrofa më e madhe natyrore e ndodhur në Shqipëri gjatë 150 viteve të fundit. Dëmi i vlerësuar nga grupet e verifikimit kap shifrën e 30 milionë dollarëve, dë-me këto në pasuri private të banorëve dhe pasuri shtetërore.
SHKODER/ RITVAN DIBRA
© Panorama.al











