
SHKODER – Hajdutët sulmojnë sërish linjën e transportit hekurudhor të mallrave nga Mali i Zi. Kësaj radhe, pre e tyre nuk ka qenë skrapi, por treni i mallrave ushqimore të linjës Podgoricë-Bajzë-Sukth. Treni i mesnatës së të dielës, i cili përbëhej nga 15 vagonë, ku 10 prej tyre ishin të ngarkuar me sheqer dhe 5 të tjerë me lëngje frutash, është ndalur dhe më pas nga ai janë zbritur rreth 20 thasë me 1 ton sheqer. Ngjarja ka ndodhur në vendin e quajtur Vukpalaj, 1 km pa hyrë në stacionin hekurudhor të Bajzës. Persona të paidentifikuar kanë arritur të ndalojnë trenin e mallrave dhe të zbrazin nga vagonët rreth 1 ton sheqer. Mbërritja me shpejtësi e Policisë ka bërë që grabitësit të marrin jo të gjithë sasinë e shkarkuar nga vagonët, duke lënë përtokë rreth 10 thasë. Sikurse bëhet e ditur, personat që kishin planifikuar grabitjen, pasi kanë ditur më parë orarin e lëvizjes së trenit, për të penguar ecjen e tij kanë vendosur në shina disa traversa, duke improvizuar një ndalesë. Drejtuesit malazezë të trenit, të cilët kishin turnin për ta sjellë trenin me 15 vagonë deri në stacionin hekurudhor të Bajzës, sapo kanë dalluar pengesën kanë ndaluar trenin për të mos rrezikuar. Por ata janë befasuar dhe janë ndjerë të pafuqishëm kur disa persona të fshehur në anë të rrugës, të ndihmuar edhe nga errësira, kanë vrapuar me shpejtësi në vagonët e mallrave dhe kanë filluar të shkarkojnë thasët me sheqer. Sapo kanë parë një skenë të tillë, personeli malazez ka njoftuar menjëherë Policinë, e cila ka mbërritur brenda një kohe të shkurtër në vendngjarje. Policia ka marrë në pyetje punonjësit dhe ka bllokuar në vend 10 thasë të hedhur nga autorët, të cilët po ekzaminohen për gjurmët e gishtave të tyre. r.d
Ikën “Kurum”
Kompania “Kurum” shkëput kontratën me Hekurudhën Shqiptare për transportimin e skrapit nga Mali i Zi për në Elbasan. Këtë fakt e bën të ditur Tonin Trupa, drejtori Rajonal i Hekurudhës në Shkodër. Sipas tij, vjedhjet e shumta në trenat që transportonin skrap detyruan kompaninë të ndërpriste kontratën. Trupa thotë se grabitjet janë të mirorganizuara. “Ky fenomen po detyron mbylljen dhe falimentimin e shumë kompanive e për rrjedhojë edhe të transportit hekurudhor”, deklaroi drejtori i Hekurudhës.











